Kryeministri Edi Rama ka mbyllur sot fushatën në Shkodër.
Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në qytetin verior do të kandidojë Majlinda Angoni, nën siglën e Partisë Socialiste.
Në takimin përmbyllës, Rama përpara mbështetësve pranoi se Shkodra ka më shumë të djathtë se të majtë. Pikërisht për demokratët kishte një mesazh. Sipas kreut të qeverisë, punët për komunitetin nuk ndahen në të majta dhe të djathta. Nuk la pa përmendur edhe konfliktin në Partinë Demkokratike.
“Nuk kemi ardhur të luftojmë as me komunizmin dhe as me ata të tjerët që janë bërë kashtë e ko**. Jemi gati t’i transformojmë kopshtet.
Shkodra ka më shumë të djathë dhe të majtë, por plehrat nuk janë as të djathta as të majta. Fëmijët në shkolla nuk janë as të majtë dhe as të djathtë. Problemet që kenë njerëzit, banorët, e kësaj bashkie edhe ata që janë në emigracion, nuk janë të majta dhe të djathta.
E vetmja gjë që dua është që unë të luftoj komunizmin, s’kemi çfarë i bëjmë fare. Ka njerëz që mendojnë ndryshe, por duan të dëgjojnë. Ka njerëz që i kanë sytë në ballë, por nuk duan as të shikojnë, as të dëgjojnë. Me këta është e pamundur. Demokratëve të Shkodrës u the; nuk është e rasti që zoti njeriut i dha dy sy, dy veshë dhe vetëm një gojë. Që të shikojë dy herë, të dëgjojë dy herë dhe të flasë vetëm njëherë.
Ajo që po ndodh me ta dhe me atë sherrin atje është asnjë sy, asnjë vesh, dy gojë. Imagjinoni ku mund të shkojë njeriu dhe të kenë dy palë që çfarë thotë njëra nuk thotë tjetra. Imagjinoni se ku shkon një qytet i tërë sikur institucioni që drejton mos ketë sy e veshë, por të ketë dy gojë. Zoti e pastë në vëmendje Shkodrën, ne jemi këtu, ne jemi gati”, tha Rama.