Kur erdhi në pushtet, në prill 2019, Volodymyr Zelensky ishte një kryetar shteti pa përvojë politike apo ushtarake, i cili qe i njohur vetëm për rolin e tij si president… në një serial televiziv. Ai po përballet tani me krizën më serioze në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Vendi i tij i është nënshtruar një ofensive Ruse, e cila e ka rrethuar Ukrainën me më shumë se 150,000 trupa. I gjendur papritmas në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ky ish-aktor 44-vjeçar vijon sot negociatat me zyrtarët më të lartë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Presioni i jashtëzakonshëm të cilit i është nënshtruar u përforcua edhe më tej të hënën, 21 shkurt, kur Moska vendosi të njohë republikat e vetëshpallura të Donetsk dhe Luhansk, në lindje të Ukrainës. Vendimi i Vladimir Putin, u njoftua pas një fjalimi të gjatë “paranojak”, duke grisur marrëveshjet e Minskut, të nënshkruara në shkurt 2015 dhe që supozohej të vendosnin përfundimin e konfliktit me separatistët pro-rusë në Donbass.
“Ne jemi në tokën tonë. Ne nuk kemi frikë nga asgjë dhe nga askush, nuk i detyrohemi asgjë askujt, ne nuk do ti falim asgjë askujt”, u përgjigj Presidenti ukrainas në një fjalim drejtuar kombit, duke denoncuar një “shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial”.
“Ai nuk është më i njëjti njeri si në fillim të mandatit të tij”, vëren Oleksiy Melnyk, bashkëdrejtor i Think Tank-ut Razumkov, në Kiev: “Ai dukej shumë i sigurt për veten në fjalën e tij, pavarësisht situatës shumë të rrezikshme”. I akuzuar për naivitet ndaj Rusisë në fillim të presidencës së tij, Volodymyr Zelensky e kuptoi me vonesë se nuk do të mjaftonte të uleshin armët dhe të zhvillonte takime “sy më sy” me Vladimir Putin për t’i dhënë fund konflikt, siç kishte deklaruar ai në vitin 2019. “Ai e kuptoi se kishte të bënte me një kundërshtar të ashpër, grabitqar, cinik, armiqësor ndaj çdo kompromisi dhe që kërkonte koncesione të njëanshme nga Ukraina”, thekson studiuesi.
Një transformim që ngjall respekt
Kur shpërtheu kriza e re me Moskën, në tetor 2021, Voolodymyr Zelensky ngjalli dyshime dhe mosbesim duke kundërshtuar publikisht deklaratat e Uashingtonit për frikën e kërcënimit rus ndaj kufijve të Ukrainës. Në vend, shumëkush u habit me mungesën e tij të përvojës dhe pyeti me çudi: a e kupton presidenti të paktën se çfarë po ndodh ? A është ai më i mirëinformuar sesa ShBA?
Pas disa hezitimesh ai përfundoi duke përqafuar pozicionin Amerikan, por me një kusht, duke e zbutur diskursin alarmues Uashingtonit, për të qetësuar popullatën, ndonëse pa reshtur asnjëherë presonin ndaj perëndimit për të shtuar sanksionet ndaj Rusisë.
Ai kishte vetëm një qëllim, të shmangte me çdo kusht krijimin e panikut në Ukrainë për të kursyer sadopak ekonominë e prekur qysh më parë nga kriza.
Jashtë vendit, transformimi i humoristit të vjetër në një komandat lufte filloi të fitonte kuriozitetin dhe respektin e bashkëbiseduesve të tij. Liderët perendimorë filluan të përshëndesin “gjakftohtësinë” e tij, pavarësisht nga shantazhi i vazhdueshëm i Vladimir Putin. Gjatë Konferencës së Mynihut për sigurinë, më 18 shkurt, të pranishmit e duartrokitën dhe u ngritën në këmbë që para se ai të merrte fjalën, për të shënuar mbështetjen dhe unitetin e tyre kundër Moskës. Nga tribuna një buzëqeshje e shkurtër u shfaq në fytyrën e presidentit, i cili nuk kishte dëgjuar prej kohësh një kor të tillë duartrokitjesh. Ai shijoi rikthimin e një zakoni të jetës së vet të mëparshme, kur luante rolin kryesor në serialin e superndjekur, “Shërbëtori e njerëzve” (foto ketu poshte). Volodymyr Zelensky aty mbante petkun e një mësuesi të ndershëm por naiv që rastësisht, bëhet president.
Skenari u bë realitet në natën e Vitit të Ri 2018, kur Volodymyr Zelensky, një hebre jo praktikant, i lindur në qytetin industrial dhe rusishtfolës Kryvyi Rih, shpalli kandidimin për zgjedhjet presidenciale, me një pemë krishtlindjesh në sfond.
Komediani, i martuar me dy femije, i dha partisë të njëjtin emër si titulli i serisë në të cilën luante: “Shërbëtori i popullit” dhe fitoi zgjedhjet presidenciale katër muaj më pas falë dy premtime kryesore: luftës kundër korrupsionit dhe paqes në Donbass, ku më shumë se 14,000 njerëz kanë vdekur që prej fillimit të luftës, në vitin 2014.
I nxitur nga rezultati historik në zgjedhje (73%) dhe shumica absolute që mori në Parlament partia e tij, Volodymyr Zelensky, pati iluzionin se do të ndryshonte gjithçka shpejt.
Por, zhgënjimi do të qe po kaq befasues.
“Ai mendoi se ishte e mjaftueshme që të zëvendësoje politikanët e vjetër me fytyra më të reja”, tregon analisti politik, Volodymyr Fessenko, në Kiev. Por e kuptoi shpejt
se kaq nuk mjaftonte dhe se shumica e votuesve kishin nevojë mbi të gjitha për menaxherë efikas. »
“Armiqtë imagjinarë”
Aktori popullor i mësuar me lëvdata, i përjetoi shumë keq kritikat e para si president. Si rezulatat i kësaj tregojnë disa ish-bashkëpunëtorë, ai u vetëizolua dhe u rrethua nga njërëz të besuar që i bënin qefin. Ai filloi të favorizonte ata që i shfaqnin besnikëri përpara atyre që ishin kompetentë.
Sipas faqes investigative në internet, Bihus, në qeveri, madje dhe në agjensitë e inteligjencës apo mbrojtjes, gjenden më shumë se 30 persona të lidhur me familjen apo me kompaninë që prodhoi serialin e tij.
Brenda tre vjetëve, pikët e presidentit në sondazhe ranë në 23%, ndonëse ai mbetet ende politikani më popullor. Opozita, një pjesë e votuesve të saj dhe ish-bashkëpunëtorët e qortojnë për mungesën e përvojës, që rezulton të jetë tepër e rrezikshme në këto kohë të pasigurta. “Sot, Zelensky përballet me një sfidë të madhe për atë vetë, për Ukrainën, por mbi të gjitha për komunitetin ndërkombëtar”, vëren z. Melnyk. Ai është më i aftë se dy vjet e gjysmë më parë, por unë kam frikë se ai nuk ështe mjaftueshëm i përgatitur për luftën“. Presidenti bëri një “gabim” edhe sepse humbi shumë kohë “duke luftuar kundër armiqve imagjinarë si Poroshenko”, paraardhësi i tij dhe kundërshtari numër një, në vend që ti kushtonte vëmendjen e duhur “kundërshtarëve të vërtetë të Ukrainës”.
Sipas një studimi të publikuar në shkurt nga Qendra Razumkov, 55% e popullatës beson se në rast pushtimi Volodymyr Zelensky nuk do të qe dot një komandant i përgjithshëm efikas, i aftë për të organizuar mbrojtjen e vendit. “Unë besoj se asnjë Presidenti i Ukrainës nuk ka qenë i përgatitur për një luftë me Rusinë”, u mbrojt ai në një intervistë në fund të janarit. Ndonëse tani siguron: “Ne jemi gati. »./ Lapsi.al