Ditën e sotme kryeministri Edi Rama po jep dëshminë e tij në lidhje me temën e inceneratorëve.
Përpara se ai të përgjigjej për pyetjet, i tha kryetares Jorida Tabaku se në ligjet për Komisionet Hetimore ka lexuar se nuk mund të ngrihen akuza penale dhe as të merren atributet e gjykatës, në asnjë rast nuk lejohet që anëtarët të fyejnë ose të prekin dinjitetin njerëz të personave të thirrur në këtë komision.
Kryetarja e Komisionit Hetimor Jorida Tabaku: -Zoti dëshmitar në cilësinë e kryeministrit keni miratuar një ligj për pronarët përfitues. A është Lefter Koka pronar përfitues?
Kryeministri Edi Rama: -Zonjë unë kam ardhur në këtë komision, jam njohur me detyrimet e mia si dëshmitar dhe jam njohur dhe me detyrimet tuaja si komision, si anëtar dhe në këtë rast dhe si kryetare e komisionit.
Në ligjet për komisionet hetimore kam lexuar që kom nuk mund të ngrejë akuza penale dhe të marrë atributet e gjykatës, në asnjë rast nuk lejohet që anëtarët të fyejnë ose të prekin dinjitetin njerëz të personave të thirrur në këtë komision. E keni bërë në mënyrë të përsëritur dhe madje në këtë komision është përsëritur akuza e grupit të strukturuar kriminal. Unë kam ardhur si dëshmitar, do ju kërkoja që të bënit punën tuaj në respekt të ligjit dhe unë të bëj timen në respekt të ligjit.
Do t’ju sugjeroja që në këtë komision të mos eksportoni debatin parlamentar apo debatin televiziv, por ky është një sugjerim, mbetet në tagrin tuaj nëse do ta bëni ose jo. Mendoj që komisioni është shumë i rëndësishëm, ky komision. Unë i kam dhënë mbështetje të plotë. Opozita është lënë e lirë të bëjë gjithçka ka dashur, të thërrasë gjithë dëshmitarët që ka dashur dhe jam këtu për të ndihmuar në zbardhjen e të vërtetës dhe vetëm të vërtetës. Nëse dëshironi që të mbetemi të tillë deri në fund respektoni ligjin dhe ju. Nëse do të bëni zgjedhjen që keni bërë në ditë të tjera, unë do t’ju përgjigjem po ashtu. Por besoj që nuk do të jetë një punë e shëndetshme e komisionit.