Çmimi i energjisë për 7440 biznese të lidhura në tension të mesëm 6,10 dhe 20 kilovolt pritet që të jetë 18 lekë/kWh, nga mesatarisht 10-12 lekë që është sot, ose 50-80% më shtrenjtë.
Bëhet fjalë për atë kategori biznesi që nga 1 janari kishte detyrimin e daljes në tregun e lirë por që pas shqetësimit të tyre për kostos qeveria vendosi që t’i mbante me një çmim preferencial deri në qershor.
Në një intervistë për “Monitor”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pranuar se edhe pas mbarimit të afatit 6-mujor, nëse situata do të mbetet e ngjashme, mbështetja për këtë grup biznesi do të vazhdojë. Nëse kushtet janë lehtësuar dhe çmimet do të fillojnë të bien, atëherë do të vazhdohet më tej duke bërë liberalizim të plotë dhe jo të pjesshëm sikurse është aktualisht.
“Çmimi i përllogaritur i shitjes së energjisë për konsumatorët në klient të mesëm, duke përfshirë edhe tarifën e shpërndarjes së energjisë elektrike, parashikohet të jetë rreth 18 lek/kWh. Në përfundim të kësaj periudhe 6-mujore, Ministria do bëjë vlerësimet e nevojshme për çmimet e pritshme të energjisë në gjysmën e dytë të vitit 2022.
Prioritet i MIE do vijojë të jetë zbatimi i detyrimeve ligjore dhe angazhimeve të marra në kuadër integrimit në BE, por edhe mbrojtja e bizneseve nga çmime të paprecentë dhe e klientëve fundorë nga rritja e çmimeve të produkteve të shportës” nënvizon MIE.
Çmimi prej 18 lekësh për një kilovat energji është më i lartë sesa çmimi me të cilin biznesi i këtij grupi blinte energjinë më herët që luhatej mes 10-12 lekësh sipas pikës së lidhjes, me një rritje prej 50-80%, por sigurisht është sa gjysma e çmimit të tregut të lirë. Nëse bizneset do të blinin energjinë në tregun e lirë, çmimi në dhjetor ishte 31.7 lekë, ose 164-217% më shtrenjtë.
Tregues për nivelet e çmendura ku arritën çmimet në tregun e parregulluar janë çmimet mujore me të cilat Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (pjesë e OSHEE Group) ka siguruar energjinë për grupin e bizneseve të lidhur në 35 kilovolt.
Në nëntor që mban edhe rekordin historik një kilovat energji u sigurua për 38.7 lekë/kWh ndërkohë që në dhjetor të vitit të kaluar çmimet kanë pësuar një ulje të lehtë duke rezultuar me një tarifë 31.7 lekë.
Pavarësisht pritshmërive që në mes të këtij viti të ketë një ulje të çmimeve të energjisë në bursa njohës të sektorit dhe tregut shprehen se çmimet e larta do të shkojnë përtej këtij viti. Një pjesë e mirë e tyre parashikojnë që stabilizimi të arrihet vetëm pas 6-mujorit të parë të vitit 2023 duke e lidhur këtë me ngërçin që është krijuar globalisht në të gjithë tregjet dhe zinxhirët ekonomikë./Monitor/