Sokol Hoxha, djali i ish-diktatorit Enver Hoxha, ka bërë një rrëfim për emisionin “Rrugë pa rrugë”.
Në këtë intervistë, Sokol Hoxha na ka prezantuar me pjesë të vilës 31, ku para viteve 1990, strehohej ai dhe familja. Hoxha ka treguar me detaje disa prej ambienteve të shtëpisë, duke nisur nga oborri, hyrja kryesore, kuzhina, por edhe tuneli i ‘fshehtë’. Sipas Hoxhës, tuneli nuk kishte lidhje me vilat e tjera dhe nuk të lidhte me asnjë institucion, por ishte aty në rast nevoje, nëse shtëpia bombardohej, ose binte tërmet.
“Për herë të fundit ka qenë dita kur kam ikur dhe që atëherë nuk kam shkelur më. Nuk dua më të futem. Dita që kemi dalë ka qenë pasi ra busti, një ditë më vonë. Nëse busti ishte më 20, më 21 kam ikur. Ne jetonim në pjesën që shikonte nga perëndimi. Në kuzhinë poshtë ishte një derë që komunikonte me një korridor, më pas zmadhohej me një dhomë, kishte një korridor dhe dilje në këtë dalje (tregon me duar daljen nga tuneli). Ajo mund të përdorej në rast tërmeti ose të një bombardimi. Jo se ky tunel tha që lidhej me vilat e tjera. Kjo vilë sot i takon shtetit shqiptar, por edhe atëherë e shtetit ishte. Pas luftës, një jurist ka qenë me lëvizjen dhe i propozoi babait që ta kthente vilën në emrin e tij, sepse ajo ka qenë e një investitori italian që merrej me shkrirjen e pesetave. Ai kishte ardhur në kohën e fashizmit dhe nuk është kërkuar më. Babait i propozuan që ta kthenin në emrin tonë, por nuk ka dëgjuar ai, thoshte gjithmonë që ishte shtëpi e shtetit. Në shtëpinë e re jemi vendosur në vitin ’74. Ndërtimi i vilës zgjati 2 vite e gjysmë”, tha Hoxha.
Ai gjithashtu na ka prezantuar me ambiente të tjera të shtëpisë, si dhomën e eveteve dhe arredimin e perdeve në formë fizarmonike, zgjedhje kjo sipas tij e kërkuar nga e ëma, Nexhmija në bashkëpunim me arkitektët e atëhershëm.
“Kjo është bërë për të krijuar ambiente të gjera për evente të ndryshme. Ndoshta ishte në bashkëpunim me arkitektin kjo ndarje. Kjo pjesa këtu është një minikuzhinë, për shërbime të shpejta. Kuzhinieri i shtëpisë vinte në mëngjes, përgatiste mëngjesin, më pas drekën e familjes, kthehej në shtëpi, përgatiste darkën. Kjo dera tjetër të dërgonte në bodrum. Kjo është salla e madhe, e pritjes. Këtu është bërë dhe dasma ime, ishte dasma e parë. Këtu ka qenë komplet me kolltuqe. Këtu priste babai të ftuarit që vinin për aktivitete, ose kur vinte byroja. Në dasmën time kanë qenë rreth 30 vetë, kanë qenë gjithashtu edhe Mehmet Shehu me të shoqen”, u shpreh Sokol Hoxha.
Për vilën 31, dikur strehë e tyre e sot pronë e shtetit, Hoxha thotë që të përdoret për qëllimet që është duke u përdorur aktualisht, pra për takime të veçanta politike.
“Kjo varet nga zgjuarsia që do të ketë qeveria shqiptare. Për mendimin tim, angazhimi që i ka dhënë qeveria sot, për pritje, takime, është e përshtatshme. Mënyra që kanë përdorur mënyra se si e kanë përdorur deri tani është e përshtatshme. Ajo mënyrë që është zgjedhur mua më pëlqen. Pishina që është në katin e parë është ndërtuar për ta përdorur babai. Por ai nuk e pëlqente, nuk e përdori asnjëherë”, tha Hoxha.bw