Nga Arminka Helić & Anthony Mangnall
“Politico.eu”
Sot në mbarë hapësirën e Ballkanin Perëndimor, mund të dëgjohet jehona alarmante të viteve 1990. Ndërsa po ngecin bisedimet për zgjerimin e Bashkimit Evropian në rajon, ekziston një faktor i përbashkët shqetësues në krizat me të cilat përballen aktualisht Bosnje Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi:qeveria serbe po mbështet në mënyrë aktive përpjekjet për t’i destabilizuar ato, duke mbështetur radikalët në këto vende, dhe duke kërcënuar sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.
E kombinuar me ndërhyrjen e Rusisë, përçarjen e BE-së dhe dobësinë e NATO-s, kjo situatë po rezulton të jetë një koktejl vdekjeprurëse. Përparimi që u arrit në rajon në vitet 2000 – në aspektin e ndërtimit të shteteve paqësore, të begata dhe multietnike – po zhbëhet me shpejtësi, dhe rajoni është i hapur për ndërhyrjen e gjithë ngatërrestarëve të mundshëm.
Prandaj ka ardhur koha që NATO dhe Bashkimi Evropian të bashkëpunojnë, duke ndërmarrë veprime konkrete për të ndalur rënien e standardeve, dhe për të mbrojtur progresin që është bërë deri më sot. Në shtator të këtij viti, Serbia vendosi pranë kufirit të saj me Kosovën, automjete të blinduara dhe avionë luftarakë, duke e sfiduar hapur ç’militarizimin e pas vitit 1999.
Në Bosnje Hercegovinë, politikanët separatistë serbë, të cilët janë të varur politikisht dhe financiarisht nga Serbia, po tërhiqen në mënyrë të njëanshme dhe jokushtetuese nga institucionet në rang federal të krijuara si rezultat i Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, ndërsa po kryejnë stërvitje speciale policore në një shfaqje të hapur të forcës.
Në Malin e Zi, Beogradi po nxit ndarjet fetare, duke kontribuar në një klimë politike gjithnjë e më toksike, e cila ka rindezur debatet mbi orientimin që duhet të ketë politika e jashtme, mbi përkatësinë etnike dhe besim fetar. Këto veprime destabilizuese mbështeten që të gjitha nga koncepti i “botës serbe” – një ide e ngjashme dhe po aq alarmante me “Serbinë e Madhe” e ish-presidentit Slobodan Milosevic – që tani përkrahet hapur nga ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin.
Këtu mund të shihen qartë gjurmët e viteve 1990, gjatë të cilave regjimi i Miloshevic shkaktoi një sërë luftërash, që kulmuan me spastrimin etnik dhe gjenocidin. Megjithatë këtë herë, situata po përshkallëzohet nga faktorë të mëtejshëm. Kryesorja midis tyre është ndërhyrja aktive e Rusisë.
Kremlini mbështeti një përpjekje për grusht shteti në Malin e Zi në vitin 2016, dhe vazhdon që ta pengojë Kosovën të njihet plotësisht nga Këshilli i Sigurimit të OKB. Gjithashtu, Moska ka mbështetur paraushtarakët, dhe ka bërë kërcënime të hapura në përgjigje të çdo sugjerimi për anëtarësimin e Bosnjës në NATO.
Po ashtu ajo ka synuar të minojë punën e përfaqësuesit të lartë, që është përgjegjës për mbikëqyrjen e përparimit të marrëveshjeve të Dejtonit, dhe po mbështet secesionistët dhe nacionalistët në të gjithë rajonin. Pastaj është problemi i një BE-je të përçarë.
Ndërsa Bullgaria mbetet vetoja e vetme kundër nisjes së bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kryeministri hungarez Viktor Orbán ka ofruar një platformë bazuar në një retorikë të rrezikshme islamofobike dhe anti-boshnjake, si dhe tek një revizionizëm historik, që i shtrembëron faktet e vërtetuara rreth luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.
Me ide të tilla që qarkullojnë lirshëm, BE-ja nuk është në gjendje të përballet me sfidën e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ndërkohë i inkurajuar nga tërheqja kaotike nga Afganistani, ka marrë shumë hov perceptimi se NATO është e pafuqishme, dhe se tani është koha e duhur për ta sfiduar ndikimin e saj në rajon.
Në këto kushte, është thelbësore që ne të ndërmarrim disa veprime kolektive. Së pari, rajoni duhet të trajtohet si një tërësi koherente:politika perëndimore duhet të ketë parasysh faktin se krizat dhe tensionet në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, janë të gjitha të lidhura midis tyre, dhe se mbështetja tek Serbia si një shtyllë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, është fatkeqësisht një politikë e gabuar.
Serbia nuk është më një aleate ndihmuese në zgjidhjen e problemeve politike të Ballkanit. Përkundrazi, ajo është shkaku kryesor i tyre. Prandaj, qasja jonë duhet të kalojë në atë të kontrollit të situatës, duke i kërkuar llogari presidenti Aleksandar Vucic dhe qeverisë serbe për provokimin e destabilitetit.
Së dyti, NATO duhet të sigurojë që prania e saj në rajon të jetë mjaftueshëm e madhe, për të vepruar si një pengesë ndaj dhunës. Kjo do të nënkuptojë një rritje të numrit të trupave atje. Forca stabilizuese e EUFOR-it në Bosnje Hercegovinë ka rreth 700 anëtarë, një kontigjent shumë i pakët, që nuk ka gjasa të arrijë të frenojë ndonjë destabilitet në përmasa të konsiderueshme.
Ndërkohë, Kosova duhet të pranohet në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s së bashku me Bosnjën, si dhe të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur anëtare e aleancës. Së treti, BE-ja duhet të ndërgjegjësohet në lidhje me kërcënimit që ekziston në kufijtë e saj.
Fjalët e sjellshme nuk do të na çojnë gjëkundi. Një përgjigje e fortë e mbështetur nga kërcënimi i sanksioneve, është mesazhi i vetëm që do të vlejë në rajon. Kërcënimet e dhunës, nacionalizmit etnik dhe mohimit të gjenocidit, duhet të përballen me një denoncim të qartë dhe të shpejtë, në vend të heshtjes së zakonshme e të sikletshme të BE-së.
Ndërkohë, deklaratat zyrtare nuk duhet të vazhdojnë t’i drejtohen “të dyja palëve”. Disa politikanë evropianë mund të shqetësohen se një përgjigje e tillë e fortë, do të shërbejë vetëm për përkeqësimin e gjërave në Ballkanin Perëndimor, por kjo frikë është e pabazë. Rusia nuk do ta zëvendësojë dot BE-në në Ballkan. Të rinjtë e rajonit nuk po emigrojnë në Rusi, por në BE. Kur liderët evropianë, deklaruan në vitin 2003 se “e ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian”, ata kishin të drejtë. Çështja është se edhe sa konflikte do të duhet të përjetojë rajoni para se të arrijmë në atë pikë.
Në rast se liderët evropianë si Orbán i Hungarisë apo Janez Jansa i Sllovenisë, e bllokojnë këtë kthesë drejt politikës parimore, atëherë qeveritë progresive duhet të koordinohen midis tyre, së bashku me SHBA-në dhe Britaninë, dhe të ecin përpara bazuar në strategji afatshkurtra.
Në planin afatgjatë, vendet evropiane do të duhet të ndërtojnë një strategji dhe politikë për të cilën të mund të bien dakord të 27 vendet anëtare, diçka për të cilën duhet të punojë edhe SHBA. Nëse anëtarësimi në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është ende në plan, atëherë duhet të merren parasysh hapat e përkohshëm, si anëtarësimi në tregun e përbashkët dhe në unionin doganor, si dhe rritja e financimeve.
Nuk ka më asnjë dyshim, se konflikti në rajon, nuk është më diçka e paimagjinueshme. Në rast nuk veprojmë, fillimi i tij është thjesht çështje kohe. Rusia e di këtë, ndaj po teston qëllimisht vendosmërinë dhe aftësitë e NATO-s.
Nëse NATO dhe BE nuk janë në gjendje të mbrojnë stabilitetin në Ballkan, atëherë ka pak gjasa që ato ta bëjnë këtë diku tjetër. Dhe në mungesë të një angazhimi të besueshëm euroatlantik, ai që do të vuajë nuk është vetëm Ballkani.
Shënim:Arminka Helić, anëtare e Dhomës së Lordëve Britanikë, ish-këshilltare speciale e Sekretarit të Jashtëm William Hague në vitet 2010-2014. Anthony Mangnall, deputet britanik i Partisë Konservatore./ bota.al