Nga Akademik Prof. Anastas Angjeli
Pandemia dhe pasojat ekonomike e sociale që kanë tronditur botën dy vitet e fundit, rrugët e përballjes me të dhe rimëkëmbja ekonomike dhe ndryshimet klimaterike si një shqetësim mbarë global, kanë qenë dhe mbeten probleme themelore për institucionet ndërkombëtare dhe vendet më të zhvilluara, që njihen me organizmin e G20..
NJERËZIT, PLANETI DHE PROSPERITETI
Në këtë klimë shqetësuese erdhi edhe samiti i vendeve të G20-s, që u zhvillua gjatë kësaj fundjave në Romë. Ky samit ishte finalizimi i presidencës italiane të G20-s, presidencë e cila kishte vënë në fokusin e veprimtarive të saj tri prioritete, tri shtylla kryesore: njerëzit, planeti dhe prosperiteti. Kuptohet që këto tri pika kryesore lidhen me specifikën e dy viteve të fundit (por jo vetëm). Pandemia (e cila ende nuk mund të thuhet se ka kaluar) bëri të kuptojmë se sa e brishtë është ekonomia e globalizuar ndaj krizave të tilla multidimensionale. Gjithashtu, pandemia solli në vëmendje rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërkombëtar në përballimin e krizave të tilla.
Samiti i Romës mund të konsiderohet me të drejtë si një samit i një rëndësie të veçantë. Kjo, për faktin sepse temat e diskutuara gjatë takimeve dyditore ishin me te vërtetë të një rëndësie të tillë.. Një vend të rëndësishëm gjatë bisedimeve iu kushtua rritjes ekonomike në periudhën postpandemi si dhe rimëkëmbjes ekonomike. Edhe pse për këtë qëllim institucionet ndërkombëtare, BE, SHBA dhe vendet e zhvilluara kanë shpallur dhe kanë filluar zbatimin e programeve të rimëkëmbjes (FMN ka deklaruar se rimëkëmbja e plotë kërkon një mbështetje prej rreth 20 miliardë USD), edhe pse duket se efektet e plota pozitive do të marrin kohën e vet, ato tashmë po bëhen realitet. Vendet e eurozonës shënuan për të dytin tremujor rritje pozitive (2.2 % rritja e GDP në tremujorin e tretë). Njëhershmi, kjo rimëkëmbje rrezikon të jetë e pabarabartë si në planin ekonomik ku vihet re një hendek ndërmjet vendeve perëndimore dhe pjesës tjetër të botës, ashtu edhe në planin e shëndetit publik, ku tani më shumë se kurrë duket pamundësia e aksesit të vendeve dhe rajoneve të varfra në vaksina për popullsinë e tyre. Prandaj, bashkëpunimi dhe mbështetja e vendeve të varfra për procesin e vaksinimit si një aksion global, nuk mund të mos merrte vëmendjen e duhur në këtë Samit..
Çështja e ndryshimeve klimatike dhe ajo e zhvillimit të qëndrueshëm ishin temat e tjera që mbushën axhendën e diskutimeve gjatë dy ditëve të samitit. Marrëveshja e rëndësishme e arritur për këtë qëllim në këtë samit u përfshi në deklaratën përfundimtare të tij
Në kërkim të rrugës dhe instrumenteve për të përshpejtuar procesin e rimëkëmbjes, siç ishte e pritshme, çështja e reformës së taksimit global të korporatave, zuri vendin kryesor në punimet e samitit. Kjo çështje ka disa vite që është në axhendën e vendeve të G7-ës dhe G20-ës dhe OECD-së dhe që sot, në situatën ku gjendet ekonomia botërore si pasojë e ndryshimeve radikale që kanë ardhur si rezultat i zhvillimit teknologjik dhe globalizimit, por edhe sigurisht edhe nga situata e rëndë e krijuar nga pandemia, është bërë më aktuale dhe e domosdoshme se kurrë.
TAKSIMI GLOBAL I KORPORATAVE SHUMËKOMBËSHE
Po si erdhi kjo reforme e taksimit global të korporatave shumëkombëshe dhe çfarë pritet prej saj. Në fillim të muajit korrik më shumë se 130 vende dhe entitete nënshkruan një deklaratë të përbashkët (në kuadrin e OECD-së), e cila përmbante një plan të bazuar në dy shtylla nëpërmjet të cilit synohet që të reformohen rregullat e taksimit ndërkombëtar dhe që firmat e mëdha shumëkombëshe të paguajnë një taksë të ndershme në vendet ku ato operojnë. Ky plan vendos një kornizë të re rregullatore për taksimin ndërkombëtar duke përditësuar komponentët tradicionalë të taksimit të deritanishëm ndërkombëtar, i cili nuk u përshtatet ndryshimeve radikale që ka pësuar sistemi ekonomik ndërkombëtar, i cili tashmë operon në një realitet të globalizuar dhe të dixhitalizuar.
Nëpërmjet shtyllës së parë të këtij plani sigurohet një shpërndarje më e ndershme e fitimeve dhe e të drejtave të taksimit ndërmjet vendeve. Do të mundësohet një rialokim i disa të drejtave të taksimit ndaj kompanive të mëdha shumëkombëshe nga vendet e origjinës drejt tregjeve, ku këto kompani zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe realizojnë fitimet e tyre, pavarësisht nëse këto kompani kanë prezencë fizike në këto vende. Nëpërmjet shtyllës së dytë synohet të vendoset një shkallë minimale globale e taksimit të korporatave, e cila do t’u mundësojë vendeve të mbrojnë bazat e tyre të taksave. Ky plan do t’u sigurojë qeverive mbështetjen e nevojshme për të mbledhur të ardhura për të ekuilibruar buxhetet e tyre, si dhe të vazhdojnë të investojnë në shërbime thelbësore publike, infrastrukturë dhe masat e nevojshme për të siguruar rimëkëmbjen ekonomike postCovid. Pritet që nëpërmjet shtyllës së parë të kësaj reforme, të sigurohen më shumë se 100 miliardë dollarë çdo vit. Shkalla prej 15 % e taksës ndërkombëtare të korporatave, e parashikuar në shtyllën e dytë, pritet të gjenerojë rreth 150 miliardë dollarë çdo vit. Gjithashtu, akoma më shumë të ardhura do të gjenerohen nga stabilizimi i sistemit ndërkombëtar të taksimit, si dhe i sigurisë së shtuar për taksapaguesit.
Pikërisht gjatë këtyre dy ditëve të takimeve intensive, liderët e vendeve të G20-ës, të mbështetur në këtë filozofi dhe përfundimet e takimit të ministrave të Financave gjatë muajit korrik, vendosën në shinat e implementimit propozimet e OECD-së në lidhje me taksimin global të kompanive shumëkombëshe. Presidenca italiane e G20-s njoftoi në përfundimin e ditës së parë të Samitit se ishte arritur një marrëveshje për taksimin minimal të korporatave shumëkombëshe. Sipas kësaj marrëveshjeje, parashikohet që duke nisur nga viti 2023, kompanitë e mëdha të paguajnë një taksë minimale prej 15% mbi fitimet e tyre dhe do ta paguajnë shumën në ato vende ku shesin produktet apo ofrojnë shërbimet e tyre. Pra, ideja qendrore e marrëveshjes është që kompanitë shumëkombëshe të paguajnë një taksë prej 15% në vendin ku kanë bazën e tyre, nëse fitimet e tyre nuk tatohen në vendet e tjera ku ato operojnë. Më herët, diplomatët italianë njoftuan se u arrit një mbështetje e gjerë për marrëveshjen, e cila u përgatit në takimin e ministrave të financave të 20 ekonomive më të forta në botë, më 3 tetor në Uashington bazuar mbi përfundimet e takimit të ministrave të financës të muajit korrik në Venecia. Për miratimin e taksës ishte thelbësore mbështetja e Presidentit amerikan, Joe Biden, i cili megjithatë kishte propozuar një taksë prej në 21%.
Megjithatë, duhet theksuar se procesi i kësaj reforme taksimi ka hapur debate në përmbajtjen e saj (nobelisti i Ekonomisë, Stiglits) dhe ne zgjidhjen e paqartësive se si do të zbatohet masa dhe si do të shpërndahen burimet në vendet më të varfra, të cilat preken nga pamundësia për të taksuar kompanitë shumëkombëshe.
DISA PËRFUNDIME NGA DEKLARATA E SAMITIT TË G20-S
Përfundimet dhe marrëveshjet e arritura në Samitin e G20-s u bënë të ditura në deklaratën përfundimtare në fund të ditës së dytë, prej të cilave sipas çështjeve kryesore të debatuara që ishin: ekonomia globale, shëndeti, zhvillimi i qëndrueshëm, arkitektura financiare ndërkombëtare dhe financat e qëndrueshme, ambienti, energjia dhe klima, barazia gjinore, punësimi dhe mbrojtja sociale, emigrimi, tregtia dhe investimet dhe sigurisht ashtu siç përmenda më sipër edhe taksimi ndërkombëtar.
Në lidhje me ekonominë globale. në deklaratën përfundimtare liderët pranojnë që gjatë vitit 2021 aktiviteti ekonomik global është rikuperuar me një ritëm të qëndrueshëm, falë edhe përhapjes së vaksinave dhe mbështetjes së vazhdueshme të politikave të rimëkëmbjes. Megjithatë, njëkohësisht pranohet se “…rimëkëmbja mbetet shumë divergjente ndërmjet dhe brenda vendeve, dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve negative, veçanërisht përhapjes së mundshme të varianteve të reja të COVID-19 dhe ritmeve të pabarabarta të vaksinimit. Vendet e G20-s dëshmuan vendosmërinë për të përdorur të gjitha mjetet e disponueshme për aq kohë sa kërkohet për të adresuar pasojat negative të pandemisë, veçanërisht mbi ata që janë më të prekurit, si gratë, të rinjtë dhe punëtorët informalë dhe me kualifikim të ulët. Ata do të vazhdojmë të mbështesim rimëkëmbjen, duke shmangur çdo tërheqje të parakohshme të masave mbështetëse, duke ruajtur stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë afatgjatë fiskale dhe duke u mbrojtur nga rreziqet negative…”.
Deklarata përfundimtare përmendi edhe rëndësinë e koordinimit të përpjekjeve për t’u përballur me sfidat e së ardhmes, duke përfshirë pandemitë, katastrofat natyrore dhe rreziqet që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike. U vendos theksi te rëndësia e një vlerësimi më gjithëpërfshirës i rreziqeve makroekonomike mjedisore dhe klimatike, gjë që mund të mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve inovative për t’i bërë ekonomitë e vendeve të G20-ës më të qëndrueshme, elastike dhe gjithëpërfshirëse.
Në lidhje me shëndetin, deklarata përfundimtare përmend gatishmërinë e vendeve të G20-s për “…të ndihmuar përparimin drejt qëllimeve globale për të vaksinuar të paktën 40 % të popullsisë në të gjitha vendet deri në fund të vitit 2021 dhe 70 % deri në mesin e vitit 2022, siç rekomandohet nga strategjia globale e vaksinimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për të marrë hapa për të ndihmuar në rritjen e furnizimit me vaksina dhe produkte dhe inpute mjekësore thelbësore në vendet në zhvillim dhe për të hequr kufizimet përkatëse të furnizimit dhe financimit…”.
Në lidhje me ndryshimet klimaterike, në deklaratë u theksua rëndësia e koordinimit më të afërt ndërkombëtar për veprimet klimatike, gjë që mund të mund të ndihmojë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Kjo mund të kontribuojë në zhvillimin e një diskutimi më produktiv mbi gjetjen e politikave të duhura për të krijuar një tranzicion më të drejtë dhe më të rregullt drejt emetimit të gazrave me efekt të ulët serë, ekonomive më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh rrethanat kombëtare. Liderët e G20-s u zotuan të ndërmarrin hapa thelbësorë dhe efektivë në mënyrë që të ulin ngrohjen globale, por pa specifikuar më hollësisht se cilët do të jenë këta hapa dhe pa përmendur vitin 2050, si vitin kur do të arrihet emetimi zero.
Në lidhje me krizën e shkaktuar nga COVID-19, liderët e vendeve të G20-s mbeten të përkushtuar për të siguruar që sektori financiar të sigurojë mbështetjen e duhur për rimëkëmbjen ekonomike duke ruajtur stabilitetin financiar. Në deklaratën përfundimtare theksohet se sistemi financiar global ka tejkaluar pandeminë e deritanishme falë një qëndrueshmërie më të madhe, mbështetur nga reformat rregullatore financiare të G20-s dhe nga një përgjigje adekuate e autoriteteve publike ndërkombëtare.
Ky samit i vendeve të G20-s tregoi edhe një herë se bashkëpunimi ndërkombëtar është mekanizmi kryesor (pse jo i vetmi), i cili bën të mundur tejkalimin e krizave, të cilat në epokën që jetojmë janë gjithmonë e më shumë multidimensionale.