Prej 2 javësh, biznesmeni nga Kamza, Ruzhdi Hoxha 43-vjeç rezulton i zhdukur. Familjarët kanë bërë denoncim në komisariatin nr.5, pasi nuk kanë asnjë gjurmë të 43-vjeçarit që ushtronte aktivitet në fushën e shitjes së materialeve të ndërtimit dhe hidrokarbureve.
Ekskluzivisht për Klan News, djali i Ruzhdi Hoxhës, thotë se ai ka dalë me shoqërinë, me të cilët njihej prej vitesh. Njëri prej shokëve të tij, është dhe Fredi Rrushi, i cili është tashmë i arrestuar nga policia. Burimet policore bëjnë me dije se ndalimi i 43-vjeçarit është bërë për shkak se kërkohet nga Italia për tu ekstraduar për trafik të lëndëve narkotike.
Policia ka ngritur dyshime se ngjarja ka të bëjë me çështje borxhi, të cilat familjarët i mohojnë kategorikisht. Samir Hoxha shprehet se, deri tani nuk ka pasur asnjë kontakt te dyshimte për kërkim të shumave monetare apo pretendim për rrëmbim të 43-vjeçarit.
Dy javë pas ngjarjes policia ka shoqëruar më shumë se 10 persona, por ende nuk ka të dhëna konkrete për gjetjen e biznesmenit. Nga grupi hetimor janë këqyrur disa kamera sigurie, ku dyshimet janë ngritur mbi disa automjete. Destinacioni i fundit i policisë është zona e Dajtit në kryeqytet, për të cilin po kryhen kërkime intensive.
Intervista e plotë e Saimir Hoxhës me gazetarin e Klan News, Besar Bajraktaraj:
Samir Hoxha: Me datë 21 nga ora 12 e natës.
Gazetari: 12 e natës?
Samir Hoxha: Po!
Gazetari: Tentuat që ta telefononit?
Samir Hoxha: Po.
Gazetari: Dilte i fikur?
Samir Hoxha: Ka folur vëllai.
Gazetari: Dhe çfarë ju tha, do vonohej?
Samir Hoxha: Jo. Normalisht si çdo herë.
Gazetari: U largua për një kafe? Për diçka?
Samir Hoxha: Jo, ashtu largohej normalisht pas punëve të veta.
Gazetari: Pas atij rastit kur keni tentuar që të komunikoni?
Samir Hoxha: Çdo ditë !
Gazetari: Telefoni pastaj rrinte i fikur?
Saimir Hoxha: Po. I fikur. Pas tre ditësh është bërë denoncimi në polici. Nga dita mbrapa shkova te policia.
Gazetari: Kush ishte personi i fundit që është larguar se dhe nga policia ka dyshime që të jetë larguar bashkë me…
Samir Hoxha: Personi i fundit, atë e di policia, i ka policia të gjitha. Përderisa unë ia kam lënë policisë në dorë i ka policia të gjitha. Edhe sqarimin ua ka dhënë.
Gazetari: Nuk keni ndonjë dyshim?
Samir Hoxha: Jo, i ka policia dyshimet të gjitha. Vetë personalisht nuk kam. Për personin konkret e di policia, i fundit që është parë, është parë me një shok të vetin. Se ai vetëm me shokë rrinte.
Gazetari: E njihni ju?
Samir Hoxha: Po normalisht e njoh. E ka shok prej vitesh.
Gazetari: Ka pasur disa aludime nga burimet e policisë se mund të jetë për çështje borxhesh.
Samir Hoxha: S’ka lidhje çështje borxhesh. Se unë po shoh edhe disa media që po shkruajnë për çështje borxhesh e materiale ndërtimi. Me vëllanë kemi 2 biznese, 3 me gjithë karburantin. Kemi 3 biznese, unë me babin. Nuk kanë lidhje fare. Bizneset ne i kemi në zgjerim jo në falimentim. Ne nuk kemi asnjë biznes në falimentim. I kemi të gjithë në zgjerim e sipër. Nuk ka lidhje, nuk ka pasur borxhe, pot ë ketë pasur unë do ia dija. Nuk ka pasur as borxhe as një lloj gjëje. Thjesht disa gënjeshtra që i bëjnë mediat kot më kot. Nga mendja e vet sepse mua nuk më ka pyetur njeri. I pari që vjen e më pyet je ti. Nuk është se më ka pyetur njeri. I thonë nga mendja vet nga aludimet e veta.
Gazetari: Po fëmijët e vëllait për rrëmbimin, ju ka kontaktuar njeri?
Samir Hoxha: Jo. Fare.
Gazetari: Ju thatë edhe për punën e bizneseve, me këto 2 biznese që ju thoni është marrë babai kohët e fundit?
Samir Hoxha: Me mua. Me këto 2 biznese jemi marrë. Me fabrikë betoni dhe karburant. Me mua është marrë gjatë gjithë kohës.
Gazetari: Për shkak të natyrës së biznesit keni pasur konflikte?
Samir Hoxha: Jo kurrë konflikte. Nuk kemi pasur konflikte pune. Disa gjëra të tjera i di drejtoria, ato ju japin shpjegime.
Marrë nga Tv Klan