Pas deklaratës së Lulzim Bashës se fitoi Bashkinë e Tiranës vetëm pse mënjanoi Sali Berishën nga fushata, ka ardhur dhe reagimi i këtij të fundit.
Gjatë takimit të sotëm në kuadër të lëvizjes “Foltorja”, ish-kryeministri tha se ai vetë e ka mësuar Bashën për të bërë fushatën.
Madje sipas tij e ndihmoi edhe për të fituar me 90 vota përballë rivalit të asaj kohe, tani kryeministër, Edi Ramës.
“Del thotë se fitova në 2011 sepse nuk kisha Berishën në fushatë. Por kjo është aq e vërtetë sa ajo që Lulzim Basha anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Tani po ju them një detaj, unë e thërrisja Bashën dhe ai vinte, dhe unë i thoja si ta bënte fushatën.
Pas zgjedhjeve, më informuan se disa vota ndodheshin në kutitë e gabuara, ndërsa Edi Rama ishte 10 vota para. Këto vota ishin tërësisht të vlefshme, dhe unë kërkova të numërohej çdo votë, qoftë edhe e hedhur në kutitë e gabuara. Një këshilltar amerikan erdhi më tha: zotëri, ata të ambasadës së SHBA janë shumë të shqetësuar.
Por më tha se shqetësim kishte edhe z. Basha, pra edhe kryetari pa parti nuk donte që të numëroheshin këto vota. I thashë kvshilltarit amerikan: thuaja edhe z. Basha që këto vota nuk po i numëroj për z. Basha, por për demokratët, dhe në përfundim ai fitoi me diku 80 vota, duke mos mbledhur dot as votat e koalicionit. Kjo ishte fitorja e fundit e peng-kryetarit, nuk puthi më asnjë fitore deri në fund”, tha Berisha.