“Stop” sjell sot rastin e një magjistrati, kandidat për gjyqtar, Elis Dine. Sipas informacioneve, Elisi është pranuar nga shkolla e Magjistraturës dhe KLGJ dhe aktualisht është duke përfunduar praktikën pranë Gjykatës, Dhoma Penale dhe pritet të dalë gjyqtar. Por e shkuara e Elisit është e errët dhe me probleme, pasi në vitin 2013 ai ka marrë peng një vajzë me të cilën kishte pasur një lidhje dashurie.
Pasi raporti kishte përfunduar, Elisi e ka detyruar vajzën e re të hipte me forcë në makinën e tij, duke ushtruar dhunë ndaj saj. Më pas, ai e ka çuar vajzën në pyllin e Semanit, ku donte ta zhvishte dhe përdhunonte, por fatmirësisht ai është parë nga fshatarët e zonës, të cilët njoftuan policinë dhe kjo e fundit arrestoi në flagrancë Elis Dinen.
“Stop” ka siguruar dëshminë e vajzës, e cila rrëfen me detaje ngjarjen.
“Isha duke ecur në trotuar duke shkuar për në shkollë, shikoj përpara meje Elisin me makinën e të atit të tij të cilën e ndalo para meje. Doli nga makina dhe më tha kam dy orë që të pres, futu në makinë, i thashë nuk futem por ai mu drejtua përsëri duke më bërtitur futu brenda që mos bëj ndonjë skandal që të të fus zvarrë në makinë.
U detyrova të futesha në makinë dhe fillova të qaja e frikësuar dhe ai më thoshte qaj tani si kurvë. Gjatë gjithë rrugës unë qaja, ai më godiste me grushta, më mori telefonin. Nga fshati Topojë deri në Seman më ka mbajtur për flokësh që të mos hidhesha nga makina. Mbëritëm në Seman dhe u fut me makinë në mes të pyllit. Ndaloi makinën dhe shkoi gjeti disa thupra dhe më tha dil nga makina se do të ta fus me thupër.
Dola nga makina dhe më tha, e shikon atë ndërtesën e braktisur? Ec drejt saj tani, do të të bëj foto dhe do të të zhvesh lakuriq. Duke ecur mes pyllit ktheu kokën mbrapa dhe shikon një makinë policie dhe erdhën drejt nesh, ku na shoqëruan në komisariat”, ishte një pjesë e dëshmisë së vajzës.
Kjo çështje u hetua asaj kohe nga prokurori i Fierit Enklid Gjini me dy akuza: përndjekje dhe heqja e paligjshme e lirisë së personit. Në dosje ishte raporti mjeko-ligjor dhe fotot e vajzës së dhunuar. Por prokurori Gjini e pushoi çështjen. Madje emisioni “Stop” ka mësuar se prokurori Enklid Gjini nuk i ka komunikuar vendimin e pushimit viktimës, vajzës e cila u dhunua në pyllin e Semanit.
Gazetari: Zoti Gjini pse e keni pushuar këtë çështje?
Enklid Gjini: Sepse është hetuar dhe është pushuar.
Gazetari: Nga njohuria ime juridike janë dy çështje që ndiqen kryesisht nga shteti.
Enklid Gjini: Jo kryesisht.
Gazetari: Po pse është pushuar, se vajza është dhunuar, është marrë në pyllin e Semanit?
Enklid Gjini: Është gjykuar, hetuar dhe është pushuar, janë regjistruar të gjitha provat.
Gaztari: Cilat prova?
Enklid Gjini: Merrni dosjet.
Gazetari: I kam marrë dosjet sepse ky zotëria ka dashur të përdhunojë këtë vajzë do bëhet gjyqtar dhe mosndëshkueshmëria sjell këtu ku jemi.
Emisioni “Stop” do të hedhë dritë mbi të tjera fakte ku ne do të kuptojmë në qoftë se kandidati për gjyqtar Elis Dine duhet apo jo të jetë pjesë e sistemit gjyqësor.
Veç pastërtisë së figurës, magjistrati ka probleme edhe me deklarimin e pasurisë.
Marrë nga tvklan.al