Një prokurore e njohur shqiptare në SHBA po përballet me kërcënime me vdekje, pasi ndoqi penalisht dhe kërkoi dënimin me burg për një shtetas, që u arrestua pasi po protestonte para një shkolle për përdhunimin e vajzës së tij.
Ka qenë vetë prokurorja e Loudoun-it me origjinë shqiptare, Buta Biberaj, ajo e cila ka kërkuar ndihmë për sigurinë e saj, duke treguar se ka marrë dhjetëra telefonata kërcënuese.
Mediat e huaja shkruajnë se Biberaj është një emigrante myslimane e gjeneratës së parë. Ajo është portretizuar nga faqe të ndryshme në internet, që i përkasin krahut të djathtë, si prokurore emigrante, që ka shënjestruar babain e një viktime përdhunimi në shkollë.
“Kam marrë me dhjetëra kërcënime me vdekje të specifikuara drejt meje. Më së shumti janë kryer nëpërmjet telefonit. Kam marrë një telefonatë në numrin personal ku thuhej fraza “Po vijmë k**vë”. Kam marrë edhe një kërcënim në numrin e zyrës dhe flitej që do të më vrisnin”, tha ajo, raportojnë mediat e huaja.
Biberaj pretendon se kërcënimet me vdekje janë shtuar ndjeshëm gjatë tre javëve të fundit.
“Kanë bërë deklarata të tilla që të mos shqetësohem për të parë nga mbrapa pasi do të vijnë nga para”, ka thënë ajo.
Prokurorja shqiptare beson se telefonuesit kanë qëllim ta vrasin atë. Autoritetet që po hetojnë rastin nuk japin të dhëna në qoftë se deri më tani është arrestuar ndonjë person.