Ishte 4 tetori i vitit 1883 kur “Orient Express”nisi udhëtimin e tij të parë, duke përuruar linjën Paris-Stamboll në trenin më luksoz të ndërtuar ndonjëherë deri në atëkohë. Me kalimin e kohës, rrugët dhe qytetet ku kalonte ky tren kanë ndryshuar, dhe shërbimi origjinal i “Compagnie Internationale des Wagons-Lits” nuk ekziston më.
Tani ekzistojnë kompanitë private, të cilat ofrojnë udhëtime luksoze në linjat e gjata ndërkombëtare dhe trena të quajtur ende “Orient Express”. Një emër që ka bërë të ëndërrojnëbreza të tërë udhëtarësh, dhe që ka nxitur imagjinatën e romancierëve, nga Agata Kristi me romanin e saj të famshëm “Vrasje në trenin Orient Express”, deri tek Jan Fleming me “Agjentin 007:Nga Rusia me dashuri”. Por ai është gjithashtu një emër që evokon histori të vërteta spiunësh, intrigash dhe misteresh.
Nga Parisi në Stamboll
Aventura e madhe filloi në vitin 1883, kur mes reve të avullit, treni u largua solemnisht nga stacioni Gare de l’Est në Paris për në Stamboll. Tek turma që ishte e pranishme në ceremoni nuk munguan edhe skeptikët, të bindur se “të shkosh nga Parisi në Stamboll ishte po aq marrëzi sa të mendoje të shkoje në Hënë”, shkroi gazetari Edmond Abu në artikullin e tij në “Le Figaro”.
Së bashku me shkrimtarë dhe personalitete të tjera, ai ishte një nga 40 mysafirët që morën pjesë në udhëtimin e parë. Të gjithë u emocionuan me atë përvojë të re, dhe rekomandimi për të pasur me vete një revolver vetëm sa e shtoi ndjenjën e eksitimit.
“Express de l’Orient”, i riemëruar në “Orient Express” në vitin 1891, ishte një mrekulli e vërtetë i teknikës dhe elegancës. Duke filluar që nga vagonët, që të gjithë të veshur me dru të llakuar dhe shkëlqyes. Po ashtu ata ishin të pajisur me divane të rehatshëm.
Treni kishte edhe një sallë leximi, ku mund të pihej duhan, një dhomë ndenje për zonjat, dhe një zyrë për ata që donin të shkruanin ose të punonin në paqe. Në vagonin e ngrënies, një kuzhinier i kualifikuar gatuante një ushqim të rafinuar.
Një hotel madhështor mbi shina
Gjithçka në tren shërbehej në pjata prej porcelani, dhe shoqërohej me verëra të shkëlqyera. Por a kishte rrezik që vera të derdhej nga gota për shkak të tronditjeve që shkaktonte lëvizja e trenit? Jo, sepse inxhinieri Delaitre e kishte verifikuar personalisht. Falë teknologjisë më të fundit të amortizatorëve, as edhe një pikë nuk mund të binte nga gota edhe kur ajo ishte e mbushur plotësisht.
“Express de l’Orient” udhëtonte nga Parisi në Stamboll për 4 ditë, kohë që u reduktua në 3 ditë kur në vitin 1889 linja u përmirësua. Treni përshkonte Bavarinë e Luisit II, Austro-Hungarinë e Franz Jozefit, Serbinë e Aleksandrit I, Rumaninë e Karlit I, Bullgarinë e Ferdinand I dhe Turqinë e Abdyl-Hamitit II.
Madje Ferdinanti I i habiti të gjithë kur nisi të sillej si makinist dhe mori drejtimin e trenit. Ai e ngiste si një i çmendur me shpejtësi të madhe, dhe askush nuk guxoi ta kundërshtonte.Krijuesi i këtij trenit të famshëm ishte inxhinier belg, Zhorzh Nagelmakers (1845-1905), që vinte nga një familje bankierësh.
Gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara, ai hipi në trenin e biznesmenit amerikan Xhorxh Mortimer Pullman, ku mund të flinte, por pa shumë privatësi. Ai mbeti shumë i impresionuar nga ajo përvojë dhe kur u kthye në shtëpi, themeloi “Compagnie internationale des Wagons-lits” për të prodhuar trena të klasit të parë, luksozë dhe të rehatshëm për klientelën më të pasur të Evropës.
Dhe në fakt goditi në shenjë. Suksesi ishte aq i madh, saqë midis viteve 1883-1940 rrjeti hekurudhor, kishte 29 linja që lidhnin Londrën me Parisin dhe Stambollin, Athinën, Damaskun, Teheranin. Por edhe me Madridin, Lisbonën, Romën, Nisën dhe vendpushimet e njohura të skive në Alpe (Leh, Insbruck,etj).
Pasioni për Lindjen
“Orient Express” ndihmoi në nxitjen e modës së ekzotikes, të një Orienti të ëndërruar dhe misterioz, dekadent dhe të rafinuar. Një dukuri që lindi gjatë shekullin XVIII, dhe që u popullarizua shumë gjatë shekullit XIX.
Piktorët dhe shkrimtarët si Ingre, Delakrua, Hygo dhe Bajron u magjepsën nga hijeshia e Stambollit, qytetit me 300 xhami, qendrës së Bizantit të lashtë, peizazhi i të cilit ishte “çuditërisht aq i bukur, sa dyshoje nëse ishte i vërtetë” sikurse shkroi poeti francez Teofil Gotie në vitin 1853.
Por mbi të gjitha ishte emri i shkrimtarit Pier Loti, ai që u lidh pazgjidhshmërisht me Stambollin, pas suksesit të romanit “Azijade” në vitin 1879. Ai i tiji ishte një zë jashtë korit. Ai i urrente “përtacët e pasur që udhëtonin përmes “Orient Express”, që e përdhosin këtë tokë të dashur, pa pasur admirimin dhe respektin që meriton ende Stambolli i vjetër.
Bota elegante dhe kozmopolite e “Belle Époque” e bëri “Orient Express” simbolin e saj. Karli II i Rumanisë, Sulltan Abdyl-Hamiti II dhe Mbreti Leopold II i Belgjikës, ishin ndër të parët që hipën në këtë tren. Vetëm në një ditë në vitin 1902, në bordin e tij ndodheshin një mori aristokratësh:duka i madh perandorak Vladimir i Rusisë, Alberti i Prusisë, Princi Kristian i Danimarkës, Princi i Monakos dhe Konti Von Moltke.
Që nga ajo ditë“Orient Express” mori pseudonimin “mbreti i trenave, dhe treni i mbretërve”. Por në bordin e tij mund të ndeshje edhe personazhe të dyshimtë, si Bazil Zaharof, një tregtar i fuqishëm i armëve në kohën e Luftës së Parë Botërore. Pikërisht në këtë tren ai takoi dhe joshi në vitin 1886, 17 vjeçaren simpatike Maria del Pilar, Dukeshën e Villafranka de Los Kaballeros, me të cilën u martua.
Aristokratë dhe spiunë
Një personazh tjetër i pazakontë ishte armeni Kalust Gulbenkian, që në korrikun e vitit 1896 hipi në këtë tren për t’i shpëtuar masakrës që pësuan bashkatdhetarët e tij, duke marrë me vete djalin e tij Nubar, të mbështjellë në një qilim. Më vonë Gulbenkian u bë shumë i pasur në biznesin e naftës.
Për të gjithë ishte “Zoti Pesëpërqindësh”, pasi kaq ishte përqindja e kuotave që kërkoi nga kompanitë e naftës, të cilat i ndihmoi të zhvilloheshin. Në vitin 1915, me trenin legjendar udhëtuan Kozima, vajza e Franc List dhe e veja e Rikard Vagnerit.
Por “Orient Express”u përdor gjithashtu nga spiunë dhe agjentë sekretë, siç ishte Lorenci i Arabisë, koloneli britanik dhe agjenti sekret (emri i vërtetë ishte Tomas Lorenc), që gjatëLuftës së Parë Botërore u bë një nga udhëheqësit e revoltës arabe kundër dominimit turk.
Në vitin 1909, kur ishte ende student, ai kreu udhëtimin e tij të parë në atë tokë të largët në bordin e “Orient Express”, dhe u rikthye shumë herë. Në vitin 1910, në këtë tren hipi edhe balerina Mata Hari, që më vonë u rekrutua si spiune nga gjermanët, dhe u pushkatua në vitin 1917 nga francezët.
Robert Baden-Pauell, që punonte për shërbimet sekrete britanike, udhëtonte shpesh me“Orient Express”, duke u prezantuan si një koleksion fluturash, në krahët e të cilave ai vizatoi hartën e miniaturizuar të fortifikimeve të armikut dhe pozicionimin e armëve të tyre. Më vonë do të ishte radha e Kim Filbit, Riçard Sorges dhe Naum Ejtingonit dhe Ramon Merkaderit:që të gjithë spiunë për llogari të Kremlinit.
Në fund të Luftës së Madhe “Orient Express”nuk ekzistonte më. Vagonët, të kërkuar për qëllimet e luftës, u dëmtuan ose u shkatërruan. Kështu “Compagnie internationale des Wagons-lits“ i zëvendësoi ato me vagonë edhe më luksozë, të lyer me ngjyrë blu.
Të gjithë vagonët ishin prej metali, për të eleminuar zhurmat që bënin vagonët prej druri. Muret e brendshme ishin të veshura me llak, me gdhendje të rralla në dru dhe panele qelqi. Edhe klientela kishte ndryshuar:tashmë gratë bënin flokët me onde dhe mbanin fustane të shkurtra dhe dekolte të hapura. Burrat i mbanin flokët drejt dhe i hidhnin pas.
“Orient Express” ishte simboli i dëshirës për të jetuar i viteve 1920. Por lufta kishte lënë pasojat e saj, dhe shpesh në të mund të ndesheshin bjellorusë të dëbuar nga Revolucioni i Tetorit, ose anglezë, amerikanë dhe francezë të tronditur nga spektakli i Evropës së shkatërruar.
Në vitin 1931 kjo linjë përjetoi një tragjedi. Terroristët hodhën në erë viaduktin Biatorbágy në Hungari, pikërisht në kohën kur po kalonte treni. Disa vagonë ranë poshtë urës, duke shkaktuar rreth 20 të vdekur dhe rreth njëqind të plagosur.
Pas Luftës së Dytë Botërore, asgjë nuk ishte e njëjtë si më parë. Perdja e Hekurt që ndau Evropën Lindore nga Evropa Perëndimore, e bëri shumë të vështirë që trenat të kalonin nëpër kontrollet rraskapitëse, dhe udhëtarët preferuan më shumë shpejtësinë e avionit. Kompania jo vetëm që e humbi prestigjin e të qenit luksoze në vitin 1948, por u detyrua të shiste njëri pas tjetrit vagonët e saj. Po ashtu u shtua edhe klasi i dytë në përpjekje për të tërhequr pasagjerë të rinj.
Nga vitet 1960 e tutje, rënia ishte gjithnjë e më e dukshme dhe më 19 maj 1977 “treni i mbretërve” kreu udhëtimin e tij të fundit, përgjatë së njëjtës rrugë që e bëri atë të famshëm, Paris-Stamboll. / Focus – Bota.al