Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se duke filluar nga 1 tetori do të hiqen të gjitha pagesat për studentët e Bachelorit dhe Masterit, në të gjitha universitet publike atje.
Kurti tha se ky vendim do të hyjë në fuqi edhe për studentët e vitit akademik 2021/2022, teksa theksoi se do të ketë ulje çmimesh edhe për studentët e Doktoraturës.
“Nga një tetori i këtij viti duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin Bachelor dhe Master ndërsa ata të Doktoratës do të kenë lehtësime”, ka thënë ai.
Në politikën e re mësohet se do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të rajonit, të cilët do të trajtohen si studentët vendas. Sipas Kurtit, një vendim i tillë do të ndihmojë në përmirësimin e nivelit të përgjithshëm arsimor të popullsisë.
“Besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror. Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera e sidomos të atyre të rajonit që do të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë”, është shprehur Kurti.
Në universitetet publike në shtetin kosovar, studentët e nivelit Bachelor kanë paguar 25 euro për semestër deri më tani, përveç vitit të parë të studimeve i cili ka qenë falas. Semestri për nivelin Master ka kushtuar 150 euro, teksa për doktoraturë 500 euro.
Kosova bëhet vendi i parë në rajon i cili ofron edukim falas në nivelet Master dhe Bachelor.