Ditën e sotme është dhënë masa e sigurisë për dy personat të cilët mbetën të plagosur gjatë përplasjes me armë në Velipojë, ku humbën jetën 4 persona, 2 prej tyre ishin vëllezër, pronari i një hoteli si dhe një kamerier 20-vjeçar.
Dy të plagosurit, konkretisht Hasan Ferracaku dhe Elmilind Dyli, nipi i viktimës Kujtim Ferracaku aktualisht ndodhen në Spitalin e Traumës.
Pasi ka dëgjuar palët, gjykatësi Besmir Stroka ka vendosur “arrest me burg” për dy të akuzuarit si autorë të përfshirë në konfliktin me armë.
Të vrarë pas konfliktit i cili dyshohet se filloi për hapësirat në plazh mbetën Kujtim Ferracaku teksa u plagos nipi i tij Elmilind Dyli, 17 vjeç ndërsa u plagos edhe Hasan Ferracaku, vëllai i tij.
Nga pala tjetër, të vrarë mbetën vëllezërit Edmond Gocaj dhe Xhovan Gocaj si dhe shtetasi Mysaen Zeneli, 20 vjeçari i cili një ditë më parë kishte nisur punën si kamerier në plazhin e Velipojës.
Në dëshminë e dhënë, 54-vjeçari Hasan Verracaku (Ferracaku) ka pohuar se kishin shkuar në hotelin e familjes Gocaj për t’u sqaruar, pasi në plazh kishin pasur një debat të fortë në lidhje me shezllonet dhe hapësirat e secilit. Situata sipas tij ka dalë jashtë kontrollit dhe janë nxjerrë armët, duke akuzuar haptazi vëllezërit Gocaj, të dy të vrarë se kishin qëlluar vëllain e tij Kujtimin dhe se ai kishte reaguar për vetëmbrojtje. Po ashtu, Hasan Ferracaku ka deklaruar se nuk ka pasur vetë armë.
“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezllonet në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezllonet në një kohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në bazë të aplikimeve.
Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, mësohet të ketë thënë 54-vjeçari, që ndodhet në Spitalin e Traumës.