Gjykata e Greqisë mori vendimin për të dënuar me burgim të përjetshëm një 61-vjeçar shqiptar, në qytetin Patra për vrasjen e gruas së tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi në muajin qershor të 2014 në zonën Ahaia të Greqisë.
61-vjeçari përdori një thikë kuzhine për vrasjen e gruas së tij e më pas e mbështolli trupin e të ndjerës me qilim dhe shkoi në polici ku tregoi ngjarjen.
Mediat e huaja shkrujanë se debati mes tyre nisi pasi gruaja këmbëngulte që të rikthehej në punë, kur kishte vetëm 8 ditë që kishte dalë nga spitali.
Por 61-vjeçari i kërkonte asaj që të qëndronte në shtëpi.
Përpara gjykatësit, ai ka treguar se nuk kishte aspak qëllim për ta vrarë dhe se nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte bërë deri në momentin që e ndjera ra në tokë e mbuluar në gjak.
Ai tha se bashkëshortja e ka ofenduar, shtyrë dhe më pas e ka goditur në gjoks, duke bërë që ai të humbasë qetësinë.
“Ajo më foli ashpër dhe keq. Më shtyu në gjoks, duke kaluar para meje. Humba durimin, sepse po përpiqesha shumë për shëndetin e saj“, tha i akuzuari.
I pyetur në Gjykatë se përse e mbështolli trupin e saj me qilim, 61-vjeçari u përgjigj se nuk dëshironte që ta shihnin fëmijët teksa ai shkonte në polici.
Pavarësisht se ai deklaroi se ishte një akt tërësisht i pafalshëm dhe i nxituar, mediat në Greqi kanë publikuar deklaratën e motrës së viktimës e cila thoshte se prej kohësh çifti kishte problem pasi 61-vjeçari ishte xheloz.
“Ai ishte xheloz për të dhe e rrihte shpeshherë pasi besonte se e tradhtonte” – është shprehur motra e të ndjerës.