Mbrëmjen e sotme ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim ka folur për kandidatët e partive politike për listat e zgjedhjeve të 25 prillit.
Ndër të tjera ajo nuk kurseu as sulmin ndaj Tom Doshit, për të cilin foli në mënyrë indirekte.
Numri një i diplomacisë amerikane në vendin tonë u shpreh se pavarësisht se një kandidat paguan fatura të spitalit apo merr pjesë në një dasmë, ai sërish nuk e meriton të përfaqësojë shqiptarët për shkak se SHBA nuk e lejon të futet në territorin e saj.
Edhe pse nuk përmendi emra, ambasadorja Kim nënkuptoi kryetarin e PSD-së Tom Doshi, pasi ky i fundit i premtoi disa javë më parë një qytetari se do t’i paguante paratë e operacionit.
“Zv.Sekretari Mattheë Palmer bëri të qartë që ka emra jo të pastër në lista. KQZ duhet t’i shohë dhe deri më tani ka dërguar 30 emra në prokurori SHBA kanë qenë të qarta për 3 emra, nuk e bëjmë lehtë këtë. Një pjesë e informacionit është në dispozicion dhe një pjesë tjetër është e klasifikuar.
Zv.Sekretari nuk e vendos lehtë emrin për këto gjëra.Kam besim që investimi i SHBA te Reforma në Drejtësi, te SPAK, do ia vlejë. Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë, por po fillojm ëtë shohim rezultate. SPAK ka nxjerrë raportin e parë vjetor, ku del se kanë bërë 588 ndjekje penale dhe kanë sekuestruar mbi 70 milionë euro pasuri.
Mendoj se votuesit shqiptarë janë të mençur, e dinë se kush bën çfarë. Ne u kemi treguar se kush nuk duhet të jetë në parlament. Ky person është dikush që i ndalohet në SHBA, në të gjithë vendin dhe kjo ka më shumë peshë se çdo faturë dyqanesh apo spitali që ka paguar. Fakti që vjen në dasmën e vajzës tënde, nuk do të thotë që është njeri i mirë. I quaj kriminelë sepse përpjekja për të blerë votën është krim”, tha ambasadorja Kim në RTSH.