Nisjen e vaksinimit masiv të të moshuarve mbi 70 vjeç, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një nga ditët më të bukura të jetës së tij politike.
“Kjo e sotmja është një nga ditët më të bukura të jetës time politike. Mbase më e bukura. Është shumë më tepër se sa çdo ditë e çdo fitoreje zgjedhore. Sepse sot ka nisur çlirimi nga ankthi në shpirtin e mijëra gjysheve dhe gjyshërve të këtij vendi që për shkak të rrezikut të madh që i kërcënon në këtë kohë të mallkuar kur bota përballet me armikun e padukshëm, kanë qenë të detyruar që të mbyllen brenda.
Sot kemi hyrë në fazën finale të kësaj lufte. Faktikisht nga sot, çdo ditë është një hap kolosal drejt fitores mbi këtë mortje, që prej 1 viti e kusur e ka ndryshuar rrënjësisht kuptimin e jetës sonë dhe ka penguar çdonjërin prej nesh që të marrë frymë thellë për të parë të ardhmen. S’ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh mijëra e mijëra gjyshe dhe gjyshër që të marrim vaksinën”, tha Rama.
Ndërsa ka komentuar sërish ceremoninë e çeljes së fushatës së Partisë Demokratike, ai tha: “Këta janë një tufë personazhe, që humoristi nuk do i fuste në një pjesë estrade. Këta janë estrada jonë. Por si mund të luhet me këta, duke iu dhënë këtyre çelësat. T’ja japësh çelësin Tym Idrizit, që del nga dera pas. Ta bën tym shtëpinë. Ca problemi ka që në kombinat të rrijë dhe flamuri i PD-së? Të mbajë edhe foton e Bashës, dhe të Saliut po të dojë. Po taksën zero e ka për vete. Ajo taksa e sheshtë është dërrasë, pllakë varri mbi më të vegjlit. S’ka nevojë që të mbajë fotografin time. Të më shajë gjithë ditën.
Kur të vijë një që bën punën më mirë se ne, në rregull. Por për hir të partisë, ti t’i vësh erën biznesit, vetëm të shohësh dhëndër Lulin! Ata as në kohë pandemie nuk menduan. Vajtën u turrën atje krijuan një vatër zinxhiri infektimi. E patë! Lutem për ta. Uroj që mos t’i ndodh gjë. Uroj që mos ta përfundojnë mitingun duke e bërë tek Shefqet Ndroqi. Ju lutem shumë, të bëjnë atë që duhet të bëjnë për fëmijët e tyre. S’ka kënaqësi më të madhe se sa të mendosh që ke pasur një kontribut ne lehtësimin e shpirtit të qindra mijëra gjyshërve.”.