Dy vëllezërit Hoten Doçi e Marjan Doçi, 23 dhe 30 vjeç, të cilët udhëtonin me një makinë janë plagosur me armë zjarri sot në Shkodër.
Sipas Report TV, vëllezërit janë kushërinj me Gentian Doçajn, në kërkim si urdhërues i pengmarrjes së Jan Prengës në Kamëz 1 vit më parë.
Për policinë dhe prokurorinë e Tiranës, Gentian Doçi, dyshohet se është njëri nga tre personat që kanë urdhëruar marrjen peng të Jan Prengës, përfshirë këtu Dritan Rexhepin nga Vlora dhe Altin Hajrin nga Shijaku.
Për lirimin e Jan Prengës, i cili ishte i vetmi nga 5 vëllezërit që jetonte në Shqipëri, mësohet të ketë udhëtuar nga Anglia në Shqipëri, vëllai tjetër i Prengave, Artan Prenga, i cili i vënë në dijeni nga dy vëllezërit e tij Astrit dhe Admir Prenga, se kush ishin njerëzit organizuar pengmarrjen, besohet se ka shkuar në Dukagjin, ku me një pajtues gjaqesh, ka dashur të ndërmjetësojë me disa anëtarë të familjes Doçi, për lirimin e vëllait. Sipas burimeve të policisë disa nga të vjetrit e fisit Doçi, i kanë pohuar se nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet Gentian Doçi dhe çfarë mund të ketë bërë ai.
Ndërkohë dy vëllezërit Doçi janë transportuar në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi paraprak i policisë për ngjarjen
Rreth orës 19.45, në fshatin Bardhaj, në rrethana ende të paqarta janë plagosur me armë zjarri dy vëllezërit M.D., 23 vjeç dhe H.D., 30 vjeç, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, forcat Shqiponja dhe ato të Sektorit Kundër Krimeve ndaj Personit në DVP Shkodër.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe grupe të FNSH Shkodër , me qëllim rrethimin e zonës dhe krehjen e saj për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijon veprimet për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes, identifikimit dhe kapjes së autorëve.