Ditën e sotme kanë nisur të vaksinohen me AstraZeneca, rreth 250 mjekët e parë që kanë arritur sot në Kukës nga spitalet e Kosovës.
Të pranishëm aty ndodheshin dhe kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Vëllai i madh e tregoi veten”, i tha Ramës Blerim Syla, Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Ndërkohë, kryeministri premtoi se kjo nuk do të jetë mbështetja e vetme, pasi mjekë të tjetër nga Kosova do vaksinohen me vaksina nga Shqipëria.
“Kjo ka pas një jehonë të madhe në Kosovë. Vëllai i madh e ka tregu veten. Për ne është një fillim i bukur dhe shumë i mirë. Jam i impresionuar me pritjen që na kanë bërë punëtorë shëndetësorë. Shpresoj tua kthejmë në një mënyrë tjetër, jo kështu”, i tha Syla Ramës.
Kryeministri u prit me duartrokitje nga mjekët e Kosovës, dhe u premtoi se Shqipëria pret një tjetër ngarkesë me vaksina dhe mbështetja për mantelbardhët përtej kufirit do vazhdojë.
“Ne jemi gati të bëjmë dhe më shumë. Por për momentin është e rëndësishme të fillojë me bluzat e bardha atje se aty është rreziku më i madh. Nuk ka kuptim që ne mbaruam tonat dhe ju s’kishit filluar akoma. Qysh në momentin e parë që ne filluam, kemi kontaktu Ministrinë e Shëndetësisë në Prishtinë. Kemi thënë ne jemi gati.
Problemi është që kompanitë nuk lejojnë rieksportim. Pra, nëse ne do i nxirrnim nga territori atëherë do kishim problem të madh, sepse është në kontratë që nuk lejohet. Kjo është njësoj si me qenë në Kosovë. Ne jemi një. S’kemi pse e vëmë në diskutim, e ardhmja dihet se cila është. Edhe në të sotmen, ne jemi një, jemi bashkë. Mirë se keni ardh. Ne nuk do ta lëmë vetëm me kaq”, u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.