Shefja e Epidemiologjisë në ISHP Silva Bino ka kërkuar që qytetarët të ndërgjegjësohen, për shkak se shifrat e të infektuarve po rriten përditë.
Ajo thekson se ndihet e shqetësuar që të rinjtë bëhen transmetues të infeksionit duke u grumbulluar dhe shtoi se e kupton që janë të lodhur, por duhet ta bëjnë dhe një sforco.
Sipas saj spitalet janë mbushur dhe njerëzit po vdesin, ndaj duhet një ndërgjegjësim i të gjithë popullsisë në mënyrë që numri i të infektuarve të ulet.
“Ajo çfarë kemi vënë re për rritjen e incidencës javore ka qenë diçka më e ulët, nuk është ndonjë diferencë shumë e madhe, por kemi përsëri rritje, po jo atë rritje drastike që kishim, atë rritje të theksuar që kishim një javë më parë. Ky është një sinjal i mirë, megjithatë duhet kohë që të presim se vetë virusi ka një kohë inkubacioni prej dy javësh maksimumi.
Ajo çfarë mua më shqetëson është moszbatimi i masave dhe mosndërgjegjësimi i njerëzve në përgjithësi, unë e kuptoj që pjesa më e madhe është lodhur, por edhe spitalet janë të mbushura edhe njerëzit vdesin.
Njerëzit duhet ta kuptojnë sidomos të rinjtë duhet ta kuptojnë këtë gjë sepse të rinjtë bëhen transmetues të infeksionit, shpeshherë të rinjtë mund të kenë shumica e tyre edhe forma asimptomatike dhe e keqja e kësaj sëmundje është se mund të përhapet edhe nga format asimptomatike dhe ky është një element tepër i rëndësishëm. Plus faktit që kemi pasur edhe forma të rënda tek të rinjtë sidomos edhe vdekje tek persona të rinjë kohët e fundit.
Nevojitet një ndërgjegjësim më i madh, shteti bën shumë, bën orën policore por mund edhe ta mbylli, bën shumë gjëra, aleanca jonë me individin duhet të jetë shumë më e madhe.
E kuptoj që shumica e njerëzve janë lodhur kemi një vit që të gjithë po përballemi, pasojat janë të ndryshme, por pasojat shëndetësore siç e thashë edhe mund të riinfektohesh. Shumë njerëz thonë e kam kaluar Covid-in nuk kam nevojë të mbajë maskë dhe fakti është që ata janë riiinfektuar“- u shpreh Bino.