Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu vizitoi sot spitalin Covid 3 ku u prit nga të gjithë mjekët e këtij institucioni shëndetësor. Në videon e publikuar nga vetë Manastirliu, shihet se siç duket, mjekët kanë harruar pacientët e infektuar për një moment dhe kanë dalë të presin ministren.
Në fjalën e saj, ministrja Manastirliu tha se të hënën vjen një tjetër ngarkesë me vaksina të Pfizer, rreth 15 mijë të tilla. Ndërsa brenda 10 ditëshit të parë të Marsit, sipas Manastirliut, pritet të vijnë edhe 14,400 vaksina të AstraZeneca, nëpërmjet COVAX.
“Ekipi i COVID3, dua t’ju falenderoj që po përballeni prej një viti me një situatë jo të lehtë, nuk është e lehtë që të përballosh këtë intensitet. Por është e rëndësishme që për asnjë moment nuk ka munguar shërbimi për qytetarët. Jemi në një situatë delikate dhe gjithë angazhimi i personelit shëndetësor është i drejtuar në dhënien e shërbimeve këtyre pacientëve. Janë më shumë se 600 pacientë që janë duke u trajtuar në spitalet tona, qoftë në spitalin Infektiv, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në COVID 3, COVID 4 dhe spitalet rajonale që tashmë janë të hapura. Por ēshtë momenti për një thirrje për njerëzit: Sa më shumë të kujdesshëm, aq më pak raste në spitale, aq më pak fatalitete.
Fakti është që pjesa më e madhe e stafeve të spitaleve tona COVID tashmë janë vaksinuar edhe me dozën e dytë, e bën mbrojtjen maksimale. Sot fillojmë edhe vaksinimin në qendrën e përqëndruar në Korçë, ku do të vaksinohen mjekët e spitaleve dhe infermierët, kudo në qarkun e Korçës dhe duam që të përmbyllim në një kohë shumë të shpejtë vaksinimin e stafeve tona mjekësore, siç e kemi thënë, brenda dy javëve të para të muajit mars, duke ecur gjithashtu edhe me grupet prioritare të popullatës, siç janë të moshuarit +80 vjeç dhe më pas të vijojmë vaksinimin e grupeve të tjera. Pritet që të vijë ngarkesa e radhës së Pfizer ditën e hënë, rreth 15 mijë vaksina vijnë për të intensifikuar vaksinimin. Pritet gjithashtu që brenda 10 ditëshit të parë të Marsit të vijnë edhe 14,400 vaksina të AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit COVAX, dhe do të kemi besoj lajme të mira për sasi të tjera vaksinash,”- tha Manastirliu./Dosja.al