Nuk ka ende asnjë informacion për dy vajzat e mitura që u zhdukën në Tiranë që prej datës 1 janar.
Për herë të fundit Kejsi Ahmetaj dhe Mojna Hajdari u thanë familjarëve të tyre se do shkonin të uronin njëra-tjetrën për Vitin e Ri dhe që prej asaj dite ato rezultojnë të humbura dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
E ëma e Kejsit në një intervistë për emisionin “Pa Gjurmë”, shprehu frikën se vajzat mund të jenë trafikuar. Gjithashtu ajo theksoi se e bija vuan nga azma dhe ka nevojë për mjekim.
“Vajza ime nuk ikën nga shtëpia. Dyshoj se mund të jetë rrëmbyer dhe trafikuar. Në këto momente ku nuk të shkon mendja. Ju lutem kujtdo që mund t’i ketë parë të na lajmërojë ne ose policinë, më ndihmoni të gjej vajzën. Nga kontrollet që kemi bërë në banesë kemi vënë re se mungon karta e identitetit. Kam frikë se e kanë gënjyer bashkë me shoqen dhe mund t’i kenë trafikuar. Ata ishin shoqe që nga 9-vjeçarja dhe shtëpitë tona nuk janë larg. I bëj thirrje kujtdo të më ndihmojë ta gjejë. I bëj thirrje dhe Kejsit që nëse më dëgjon të lutem të hapë telefonin dhe të më thotë se është gjallë. Ajo është e sëmurë me astmë, dhe që prej 1 janarit nuk i ka marrë mjekimet e saj”, thotë me lot në sy nëna.
Mësohet se adoleshentet kanë marrë kartat e identitetit dhe një sasi parash. Herën e fundit vajzat e mitura janë parë tek ‘Qyteti Studentit’. Ndërkohë vijon akoma kërkimi i tyre nga ana e policisë dhe familjarëve.