Sikurse u njoftua dhe ditën e djeshme Kryeministri Edi Rama ka nënshkruar pak më parë një memorandum bashkëpunimi ekonomik me Nënsekretarin e SHBA për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.
“Dua ta falënderoj me gjithë zemër nënsekretarin e SHBA për të kurorëzuar një proces të nisur dhe përgatitur falë përfshirjes së drejtpërdrejtë të ambasadores, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik mes SHBA dhe Shqipërisë.
Përmes nënsekretarit, dëshiroj t’i përcjell publikisht presidentit Trump urimin më të sinqertë për një shërim sa më të shpejtë. Memorandumi që nënshkruam sot për bashkëpunimin ekonomik faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por edhe të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare dhe do të çfusë në rrugën përfundimtare të realizimit ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur nga burimet energjetike, por i varur nga moti, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë.
Nxisim bizneset të vazhdojnë në këtë biznes, ku qeveria amerikane hedh hapin e parë, duke u futur dhe angazhuar vetë për të mbështetur me ekspertizën dhe teknologjinë e vet, si dhe me financimin, për ndërtimin e Skavicës. Kam parasysh impaktin e madh që do të ketë ky hap, por edhe hapat e tjerë të kompanive amerikane. Për ne paraja që vjen për t’u investuar në Shqipëri nuk është një para që vlen njësoj si kur vjen nga një vend mik, si kur vjen nga vende që nuk hyjnë ndër miqtë tanë më të preferuar dhe nuk janë aleatë strategjikë të Shqipërisë. Në këtë rast ne jemi posaçërisht të kujdesshëm. Ndërkohë që do bëjmë çmos që paraja që vjen nga vendet mike të mos ketë pengesa dhe të përkthehet në rritje ekonomike, punësim e përfitim reciprok”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në një konference të përbashkët me Nënsekretarin e SHBA për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë deklaroi se në këtë kohë pandemie mes Amerikës dhe Shqipërisë ka një të përbashkët.
Ai theksoi se të dy vendeve nuk iu lejohet që të shkojnë në Europë, për shkak të rrezikut nga koronavirusi.
“Dua t’i rikthehem letrës dashamirëse që e mora nga presidenti Trump. Dua të rikonfirmoj se Shqipëria e sheh rolin e saj në rajon jo thjesht si rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe dialogut, por si një rol pro aktiv për rrugët e pastra të teknologjike 5G. Këto rrugë janë rrugë të pastra për fëmijët tanë. Ne nuk mund të lejojmë që një ditë të bukur fëmijët tanë të zgjohen dhe të jetë shumë vonë. Jemi absolutisht të lumtur që nuk jemi vetëm dhe që jemi në krahu e atyre që janë miqtë tanë më besnik dhe më të besueshëm dhe që të shohin tek ne atë që shohim ne tek ata; partnerë të besueshëm dhe miq të mirë në ditë të vështira. Edhe pse më vjen mirë që kemi një gjet ë përbashkët, shqiptarët dhe amerikanët, që në Europë e kemi të ndaluar të hyjmë. Ne kemi qenë mësuar me këtë. Fakti që jemi bashkë me ju, se nuk na lënë të shkojmë ne Evropë se kanë frikë se u çojmë COVID-in, takohemi në Tiranë. Koha do e tregojë se është bukur të takohesh në Tiranë, në një vend të Europës. Falënderoj dhe zonjën ambasadore, që se vuan fare që ndodhet e izoluar në Shqipëri.”, tha Rama.