Ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli ka rrëfyer së fundmi planet që ka pas rikthimit në politikë me lëvizjen që ka krijuar.
Duke folur në një intervistë për gazetaren Ilva Tare, Topalli u ndal te ajo që synon të përfaqësojë kjo forcë e re, dhe theksoi se do të përfshihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me Lëvizjen për Ndryshim, pasi sipas saj, kjo gjë i është kërkuar edhe nga një grup të rinjsh dhe qytetarësh që janë pjesë e kësaj partie.
Ndër të tjera ajo u shpreh se ky angazhim vjen pas një reflektimi të thellë të një karriere prej 30 vjetësh në politikë.
Gjithashtu ajo këmbënguli se sipas saj, ka ardhur koha që të rinjtë të marrin në duar fatet e tyre për të sjellë ndryshimin e munguar prej 3 dekadash në vendin tonë. “Pak para se të fillonte emisioni po kontaktoja me një tjetër person që po më thoshte mund të iki. Kjo është shumë e trishtueshme. Vetëm në një vit e gjysmë nga Shqipëria janë larguar 130 mijë shqiptarë. Kjo është dhimbje e madhe dhe bazuar në këtë dhimbje, ata (të rinjtë) mendojnë se mund të ndërgjegjësojnë dhe të ndalin boshatisjen e vendit. Kanë kaluar shumë kohë, nuk jemi më në vitin ‘90 dhe në vitin 2000. Po ti referohesh jetës politikë edhe ne vendet përqark, shumë raste nuk është se ngrihen parti, të cilat janë të strukturuara në formën tradicionale. Ato funksionojnë edhe si lëvizje , edhe për shkak të moshës digjitale. Ajo që unë prej kohësh kanë dëshiruar dhe kam ftuar një iniciativë të tillë ta marrin të rinjtë. Ka nevojë për një energji pozitive, forcë dhe besim, por edhe për optimizëm. Besoj se kjo është gjeneza e një lëvizje që do të konsolidohet”, deklaroi ajo.
Problemi i PD qëndron tek udhëheqja
Por teksa komentoi raportet që ajo ka me Partinë Demokratike, ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dha këtë shpjegim të detajuar, duke mos kursyer kritikat për drejtuesin aktual të PD, Lulzim Bashën. Në këtë kontekst, zonja Topalli shigjetoi shefin e selisë blu, kur tha se problemi i Partisë Demokratike qëndron tek udhëheqja, pra Lulzim Basha. “Kjo ka qenë dëshira ime, ndaj dhe prej shumë kohësh dhe një tjetër arsye se pse nuk kam marrë ndonjë mendim ndryshe, sepse kam dëshiruar që reforma të bëhej brenda partisë time ku kam qenë prej 20 vitesh e ku kam bërë betejat e mia politike. Unë lidhjen e kam të pazgjidhshme me demokratët. Unë nuk i ngatërroj demokratët me ca struktura dhe me udhëheqjen e saj, unë dyshoj shumë që ajo është Parti Demokratike, sepse po të jesh demokratike duhet të kesh vizionin evropian, por sot nuk e gjen më. Edhe sot kam një ftes, duke e lënë si shans apo dritare të hapur, nëse PD-ja do të kishte një udhëheqje të re dhe të pakorruptuar jam e sigurt se ajo do të fitonte zgjedhjet dhe nëse kjo do të kishte ndodhur më përpara qeveria Rama do të ishte rrëzuar, për të tjerat [kritikat] që ndodhin sot janë taktika të vjetra”, u shpreh ajo.
Do të përballem me të gjithë
Më tej përfaqësuesja e lëvizjes më të re politike në Shqipëri, Jozefina Topalli akuzoi kryetarët e tre partive kryesore në vend, duke i bërë ata përgjegjës për thellimin e krizës, e cila sipas saj, është shumëpërmasore. Megjithatë pavarësisht favorizimeve që ka kjo treshe, Topalli theksoi se ajo nuk ka frikë dhe se do të përballet me ta në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. “Besoj se gjerat do të marrin rrugën e tyre dhe në javët e ardhshme do të ketë zhvillime të reja për të shkuar drejt legalizimit. Unë besoj për të hyrë në zgjedhjet e ardhshme, sepse në politikë kanë faljen e tyre, por ajo që vendos janë veprimet politike. Thelbi i krizës në të cilën ndodhet vendi ynë, fillon nga problemi dhe kriza që është brenda forcave politike. Beteja është e vështirë, sepse ke përballë tre kryetarë partish, të cilët kanë fuqitë dhe mundësitë financiare dhe mbështetje mediatike”, nënvizoi kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli.