Gjykata e Gjirokastrës ka lënë në burg Paris Xhihanin, 23-vjeçarin, që akuzohet për vrasjen e 35-vjeçarit në Gjirokastër. Ndërkohë, dy të mitur janë lënë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.
Mësohet se Xhihani ka pasur një konflikt me viktimën dhe e ka goditur me sende të forta, gjë që i solli vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes, Policia njoftoi se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Pariz Xhihani 23 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin Gjergjia Almasi duke i shkaktuar vdekjen.
Ndërkaq u arrestua në flagrancë shtetasi Andon Ahmeti 18 vjeç, si dhe u proceduan penalisht shtetasit Niko Xhihani 16 vjeç dhe Vasil Mehmeti 14 vjeç, banues në lagjen “Zinxhira” , për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi kanë qenë të pranishëm në momentet që ka ndodhur krimi dhe nuk e kanë kallëzuar atë.