Ngjarja e rëndë e ndodhur në Kombinat ka tronditur opinionin publik. Detaje të reja, në kufijtë e imagjinatës, kanë dalë në dritë ditën e sotme.
Gazetarja Dorjana Bezat në një lidhje live për ‘News24’ raportoi nga pallati ku jetonte Zhaneta Josifi, bashkë me dy vajzat e saj, Anisa dhe Blerta. Bezat raportoi se nëna me të bijat, 30 dhe 33-vjeçare jetonin me qira prej 15 vitesh në një apartament në katin e 3-të të një pallati mbrapa ish-mapos në Kombinat, afër gjimnazit “Myslim Keta”.
Po ashtu mësohet se prej gati 2 vitesh, kjo familje thuajse jetonte e izoluar, ndërsa fqinjët e tyre thuajse nuk kishin kontakte, madje dyshonin nëse ato jetonin ende në atë shtëpi, pasi nuk bënin kurrë zhurmë. I vetmi që interesohej për to ishte vëllai i Zhanetës, i cili edhe para 3 javësh kishte tentuar të komunikonte me të motrën, e cila i shmangej kontaktit me të apo dhe vizitave në shtëpi. Duke qenë përballë kësaj situate, vëllai i 56-vjeçares, është paraqitur në polici, ku ka raportuar edhe sjelljen e çuditshme të familjes së motrës së saj. Për të verifikuar situatën nga afër, një patrullë policie është paraqitur në banesën e të ndjerës, ndërsa punonjësit e policisë e kishin pyetur Zhaneta Josifin nëse kishin ndonjë problem për faktin se pse rrinin të izoluara bashkë me vajzat. Bezat ka siguruar edhe dëshminë e nënës, e cila i kishte pohuar policëve se qëndronte brenda pasi ndiheshin të rrezikuara për shkak të koronavirusit dhe për arsye personale.
Ndërkohë, detaji tronditës është dhe fakti se ka dyshime të forta se njëra nga vajzat, Anisa Josifi ka ndërruar jetë disa muaj më parë, dhe se nëna, e ndihmuar nga e bija, ia lyenin trupin me solucion, (vaj dhe uthull) për të vonuar procesin e dekopozimit, ndërsa e mbulonin atë me shumë kuverta, për të shmangur dhe erën e rëndë. Por duke kaluar shumë kohë, (mendohet rreth 5 muaj) fqinjët janë alarmuar nga era e rëndë që ndihej, por kurrsesi nuk menduan se në pallat kishte një njeri të pajetë, pasi dyshonin se ishte për shkak të tubacioneve, madje ata njoftuan edhe bashkinë për këtë fakt.
NGJARJA
Ngjarja e rëndë, në përmasat e horrorit, ndodhi mbrëmë mbrapa ish-mapos në Kombinat, afër gjimnazit “Myslim Keta”. Të treja, nëna dhe dy vajzat, mësohet se ishin besimtare të sekti fetar ‘Dëshmitarët e Jehovait’ dhe duket se e kanë ndërmarrë aktin e rëndë të vetëflijimit pasi besonin tek ringjallja dhe te një jetë më e mirë.
Alarmin për ngjarjen e dha vëllai i Zhaneta Josifit, që s’po komunikonte dot me to. Fillimisht në banesë kanë hyrë nga dritarja punonjësit e zjarrfikëses, pasi dera e apartamentit ka qenë e mbyllur nga brenda. Ata kanë zbuluar skenën e rëndë. Njëra prej vajzave që besohet se kishte humbur jetën disa ditë më parë por edhe nëna që u gjet e pajetë, kishin shenja të mosushqyerjes.
Vajza tjetër, Blerta u gjet me shenja jete. Ajo është dërguar në gjendje të rëndë në spital. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të hedhë më tepër dritë mbi këtë ngjarje të rëndë. Kujtojmë se brenda banesës, policia ka gjetur disa letra me shënime fetare.