Nga Akademik, prof. Anastas Angjeli
Ylli i kinematografisë, Joan Crawford, duke iu drejtuar autorit Oscar Wilde, ka thënë: “Më e keqe se të jesh i përfolur, është të mos përflitesh”. Në ekonominë globale konvergjente të shekullit të njëzetenjë, i shkon përshtat një thënie e tillë. Në shumë vende, e vetmja gjë më e keqe se vetë hapja e kufijve për tregti, është mos-hapja e kufijve. Ndonëse ekzistojnë shumë disavantazhe për sa i përket shkëmbimit të lirë të mallrave, shërbimeve dhe parasë, avantazhet janë thuajse shumë herë më të larta”.
Ndërsa përmasat e krizës globale, rrjedhojë e pandemisë Covid -19 dhe pasojat e saj, po shumëdimensionon efektet e saj, veç të tjerave, po “lëndojnë dhe rritjen ekonomike kudo”. Ekonomia globale postpandemike, së paku për një kohë, duket se do të jetë shumë më pak ekonomi e globalizuar. Një ekonomi e tkurur, me blerje të produkteve që do të kenë edhe ngadalësim të rritjes, një rënie të konsiderueshme të të ardhurave kombëtare për të gjithë vendet, ndoshta dhe për vendet me diversifikimin më të gjerë ekonomik, po shfaqet dukshëm në këtë periudhë.
Në librin “Fundi i Globalizimit” historiani i ekonomisë së Princeton, Harold James, tregon se si në epokën e hershme, integrimi global ekonomik e financiar, u kolapsua, si rrjedhojë e presionit nga ngjarjet e padëshiruara të Depresionit të Madh, 1929-1932 , duke kulmuar në Luftën e Dytë Botërore. Sot, në krizën e COVID-19, duket se po nxit dhe përshpejton një distancim tjetër nga globalizimi. Kjo pandemi, duket gjithashtu se do të ketë një impact, efekt – afatgjatë, veçanërisht në tregti ndërkombëtare, edhe se qeveritë do të risin njohjen e nevojës për të riparë me përparësi kapacitetet e shëndetit publik si një element i rëndësishëm jetik, por edhe i sigurisë kombëtare.
Por risku i sotëm është kalimi në mënyrë masive i shumë limiteve që lëndojnë globalizimin. Dukshëm kjo po shfaqet në problemet dhe tensionimet e shkaktuara në marrëdhëniet tregtare SHBA-KINË. Kjo situatë “lufte” me “sulme e kundërsulme” që kishte filluar që në vitin 2016, vazhdoi gjatë gjithë vitit 2019-2020, pa shfaqur thujase asnjë shenjë për një “paqe tregëtare e ekonomike” ndërmjet këtyre fuqive botërore. Një luftë kjo, që do të kishte pasojat e veta në vendet e BE-së, vende të tjera aziatike, në Afrikë e Amerikën latine, pse jo, edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Shqipëri.
Edhe pse SHBA-ja, me ekonominë me diversifikimin më të lartë, një lider i teknologjisë botërore, me një bazë shumë të fortë resursesh natyrore, nuk mund të mos ndjejë rënien në GDP reale, si rrjedhojë e lëndimit të globalizimit nga kjo pandemi dhe kriza aktuale ekonomike. Ndërkohë që këtë vit, tregëtia ndërkombëtare pritet të bjerë nga 15-në 38 %, dhe veçanërisht, zinxhiri global ushqimor po kalon një provë të vështirë.
Sistemi nuk është tërësisht i përsosur: teksa të ardhurat bien, më shumë njerëz mbeten të papunë dhe të uritur. Edhe në librin e tij, (bestseller-2-14), “Kapitali në shekullin e 21-të”, të Thomas Piketty, e ka trajtuar mes të tjerash edhe këtë problem thellimin e pabarazisë midis shtresave të ndryshme të popullsisë në kapitalizmin e sotëm në kushtet e globalizimit, (edhe pse pandemia nuk kish ndodhur.)
Për më tepër tani. Pra në këtë situatë, ekzistojnë rreziqe të ndryshme, që nga mungesa e punës, deri në vështirësitë dhe problemet në prodhimet e shumta bujqësore, të korrat e këqija. Pra rrjeti ushqimor tani po kalon një provë të rëndë. Kjo në një kohë që para pandemisë sistemi global i ushqimit konsiderohej “ylli i pashuar i logjistikës së shekullit XXI” . Sepse duke e çuar prodhimin nga fusha, te piruni, ky sistem përbënte 10% të PBB-së botërore dhe punësonte rreth 1.5 miliardë njerëz. Furnizimi global ushqimor ishte trefishuar që nga viti 1970, pasi popullsia është dyfishuar në 7.7 miliardë njerëz. Në të njëjtën kohë, numri i njerëzve që vuajnë nga pamjaftueshmëria e ushqimit ka rënë nga 36%, në 11%,. Eksportet e ushqimit janë gjashtëfishuar gjatë 30 viteve të fundit; katër të pestat e njerëzve jetojnë pjesërisht me ushqimet e prodhuara në një vend tjetër.
Kjo ndodh pavarësisht qeverive, jo falë tyre. Megjithëse roli i qeverive ka rënë, ato ende rregullojnë ndonjëherë çmimet dhe kontrollojnë shpërndarjen. Tarifat bujqësore të Bashkimit Europian, janë katër herë më të larta se ato të importeve jobujqësore. Rreth një duzinë eksportuesish të mëdhenj, përfshirë Amerikën, Indinë, Rusinë dhe Vietnamin, kanë peshën kryesore në prodhime si gruri dhe orizi. Gjysmë duzinë kompanish tregtare, si “Cargill” nga Minesota dhe “COFCO” nga Pekini, shpërndajnë ushqime në të gjithë botën.
Është thelbësore që, gjatë dhe pas pandemisë, qeveritë të mos bien pre e një fushate të gabuar për t’u mbështetur te vetja, apo për t’u mbyllur.
Kjo do të kërkojë të gjithë shkathtësinë dhe zotësinë e mundshme nga ana e tregjeve, dhe shuma të mëdha të kapitalit privat. Këtë mbrëmje, kur të merrni “lugën, pirunin, shkopinjtë ose thikën për të ngrënë, mendoni për ata që janë të uritur, por edhe për sistemin që ushqen botën. Ai duhet të lihet i lirë të kryejë punën e vet, jo vetëm gjatë pandemisë, por edhe pas saj.”
Parë dhe thënë këta shembuj, (dhe si këta ka me dhjetra, apo me qindra, që po ndodhin realisht në ekonominë e sotme globale të goditur nga pandemia dhe recensioni), s’ka se si të mos niste një diskurs i ri në thelb të të cilit kërkohet t’i jepet përgjigje pyetjes: “A do të kemi një proces deglobalizimi apo globalizimi vazhdon?” “Globalizimi do jetë problem, apo zgjidhje”? Siç e kam theksuar edhe në një shkrim tjetër, ky diskurs ka nxjerrë në pah avantazhet e globalizimit dhe disavantazhet e tij, dhe sinjalet e disa hapave të deglobalizimit. Çfarë do të ndodhë? Do të mbyllemi apo do të hapemi ? Më shumë integrim apo disintegrim?
Të gjitha këto hipoteza, iu kanë dhënë “shpresa” konservatorëve e populistëve për më shumë kritika ndaj globalizimit dhe ka shtuar kërkesat për “mbyllje”, disintegrim e deglobalizim, duke e fajësuar dhe për krizën e sotme, ndërkohë që forcave progresiste u ka nxitur mendimin për më shumë hapje e bashkëpunim e solidaritet, integrim e përmirësim të globalizimit, për më shumë zgjidhje shkencore e zhvillim të teknologjisë dhe të arsimit, konsolidimit të sistemit shëndetësor dhe trajtimit të tij si një e mirë publike, ridimensionimit e ristrukturimit të politikave ekonomike etj..
Shumë politikanë të spektrit politik konservator anatemojnë globalizimin, duke paralajmëruar për rreziqet që vijnë nga globalizimi dhe duke ofruar ngjashmëri me fenomenet që përngjajnë drejt diçkaje me sistemin izolues të epokës së Depresionit të Madh të viteve 1929-1932. Frika dhe sfidat e krijuara në kushtet e Covid-19, duhen përballuar me kurajo dhe veprime të reja, inovative, konkrete, për të mbështetur më shumë hapje e liberalizëm, programe liberale të pluralizmit kulturor dhe kufij të hapur, të kujdesit të shëndetit dhe të ekonomisë së gjelbër, të ekonomisë blu, të zhvillimit teknologjik dhe inteligjencës artificiale, të cilat çojnë drejt imigrimit të përshpejtuar dhe globalizimit të përmirësuar. Ndaj dhe këto fenomene kanë ndezur diskursin për kapitalizmin e kohës së sotme, atë me dimension akoma më social, apo kapitalizmin dixhital.
Ndaj dhe Mbyllja, disintegrimi dhe deglobalizimi sjellin më shumë kufizime dhe më pak zhvillim e komunikim, shkëmbim dhe progres. E kundërta ndodh me Globalizimin, që na siguron më shumë hapje, mundësi të reja për të blerë, shitur dhe udhëtuar kudo. Në këtë lëvizje njerëzish e kapitalesh, disa mund të humbasin vendet e tyre të punës, por shumë të tjerë do të fitojnë vende të reja pune. Në kushtet e globalizimit, tregëtia dhe shkëmbimi, përkthehen në rritje ekonomike dhe përfitimesh për të gjithë. Funksionimi i një tregu të lirë dhe një ekonomie të hapur ishte, është dhe do të mbetet më i preferuar. Integrimi fiton mbi disintegrimin. Globalizimi është më i avantazhuar dhe e “mund” deglobalizimin. Kjo sepse sipas të gjitha vlerësimeve, fenomeni i globalizmit dhe në epokën paspandemi, (në aftat mesëm dhe afat gjatë), do të jetë në zhvillim të vrullshëm dhe anët pozitive, avantazhet, do të jenë shumë më të mëdha se disavantazhet, kështu që, ai, (globalizmi), është zgjidhje, për më shumë zhvillim dhe jo pengesë.