Qeveria ul çmimin e blerjes së energjisë elektrike nga hidrocentralët privatë. Kjo nëpërmjet ndryshimit të formulës, nëpërmjet së cilës përcaktohet çmimi. Me një vendim të kësaj jave është vendosur ulja e bonusit për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.30 në 1.20.
Ky bonus është një nga tre elementët që përfshin formula e miratuar në vitin 2017 dhe e kundërshtuar gjerësisht në atë kohë nga investitorët pasi ulte në mënyrë të dukshme çmimin e rënë dakord në kontratat fillestare koncesionare të nënshkruara me shtetin shqiptar. E cilësuar si një formulë reale në atë kohë edhe pse e kundërshtuar gjerësisht çmimi vjetor i blerjes ka në bazë bursën hungareze HUPX DAM.
“Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kwh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX DAM), i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kwh x bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.30 x normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit” thuhet në vendimin e vitit 2017. Tashmë e njëjta formulë do të zbatohet duke aplikuar si bonus promovimi për burimet e rinovueshme në masën 1.2 që automatikisht ul çmimin vjetor final në çdo skenar.
Kjo është “thyerja” tretë që qeveria i bën kontratave të nënshkruara mes saj dhe palës private për projektet e hidrocentraleve.
Fillimisht në një përpjekje për të nxitur investimet në HEC-e qeveria Berisha në vitin 2007 do të miratonte si çmim vjetor të blerjes për këtë kategori HEC-sh një formulë që kishte në bazë çmimin e importit të vitit paraardhës plus 10 për qind. Kjo sigurisht që rezultonte në një çmim joshës që shkonte mbi 9 lekë/kwh.
Në vitin 2014 qeveria e majtë duke anatemuar formulën e paraardhëses nënvizonte se ishte e padrejtë që KESH të paguante energjinë në këto nivele. Për këtë u propozua në atë kohë çmimi mesatar vjetor i energjisë në bursën hungareze. Kur HEC-et ishin të lidhura në rrjetin e shpërndarjes merrnin një bonus 10 për qind. Kjo e çoi çmimin e energjisë në një luhatje mes 6-7.5 lekëve/kwh për disa vite derisa në vitin 2017 do të kishim një metodologji të re.
Vendimi i vitit 2017 parashikon gjithashtu në pikën 1 të tij se “metodologjia për llogaritjen e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi, përcaktohet në pikat 2 dhe 3 të këtij vendimi. Prodhuesit ekzistues me përparësi janë prodhuesit me përparësi, që, në bazë të pikës 1, të nenit 22, të ligjit nr. 7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, janë pajisur me certifikatën e pranimit të veprës së centralit elektrik, brenda datës 31 dhjetor 2020”
Po kështu në pikën 2 shkronja ç vendos kufizime për çmimin minimal dhe maksimal.
“Niveli minimal i çmimit të llogaritur të blerjes së energjisë elektrike”, në çdo rast, nuk do të jetë më i ulët se i çmimit të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë për vitin 2016 për këta prodhues.
- d) “Niveli maksimal i çmimit të llogaritur të blerjes së energjisë elektrike”, në çdo rast, nuk do të jetë më i lartë se 15% e çmimit të miratuar nga ERE për vitin 2016 për këta prodhues” thuhet në vendim.
Sipas të dhënave zyrtare sot janë aktive 251 kontrata koncesionare me mbi 500 hidrocentrale në gjithë vendin.
AREA: Ndryshimi i metodologjisë godet prodhuesit e energjisë. U bë në fshehtësi
Pas vendimit të qeverisë Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) shprehet se vendimi i qeverisë është marrë në fshehtësi pa konsultime dhe se ai vë në rrezik planet e tyre të biznesit dhe marrëdhënien me bankat.
“Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rivonueshme (AREA) e konsideron si goditjen e papritur të radhës ndaj prodhuesve të energjisë nga burime të rinovueshme Vendimin e Këshillit të Ministrave për ndryshimin e VKM nr. 687, date 13.5.2020 “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues”.
Ky vendim, që ul bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.30 në masën 1.20, është marrë në fshehtësi të plotë, pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa u bazuar në ndonjë studim që të justifikojë nevojën e ndërhyrjes në ndryshimin e metodologjisë.
Për më tepër, ai ndikon drejtpërdrejtë qëndrueshmërinë financiare të investitorëve që po përballen me kushtet e thatësirës në dy vitet e fundit , dhe vë në pikëpyetje aftësinë e tyre për të shlyer detyrimet bankare të marra si kredi për të kryer investimet.
Shoqata e Prodhuesve të Energjisë së Rinovueshme (AREA), që përfaqëson prodhuesit e energjisë nga burime të rinovueshme, shqiptarë e të huaj, po kërkon informacion të detajuar nga organet shtetërore që e kanë iniciuar ndryshimin e metodologjisë, mbi arsyet dhe mbi faktin se përse ky ndryshim u bë pa u konsultuar më parë me grupet e interesit”, theksohet në reagim.