Ditën e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë vendimin që të pezullojë veprimtarinë e gjithë gjykatave në vend.
Kështu, duke filluar që nesër asnjë prej gjykatave nuk do të jetë e hapur.
Për 2 javë gjykatat do të qëndrojnë të mbyllura, deri në marrjen e një vendimi tjetër.
Vendimet e KLGJ:
- Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit, të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm, për shkak të situatës së krijuar nga infeksioni i përhapur Covid-2019.
- Përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, të vlerësuara si të tilla rast pas rasti nga gjyqtari.
- Përjashtohen nga efektet të këtij pezullimi, seancat e vlerësimit të masave të sigurisë, seancat në të cilat janë kërkuar ose zbatuar masat e sigurisë me burg, dhe kur të arrestuarit, të pandehurit, ose mbrojtësit e tyre e kërkojnë shprehimisht që të vijohet me shqyrtimin e tyre.
- Në çdo rast nga ana e gjykatës duhet të shmanget prania e publikut në zhvillimin e seancave gjyqësore.
- Kohëzgjatja e pezullimit, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të jetë për një periudhë 2 (dy) javore nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
- Kryetarët e gjykatave ngarkohen të marrin të gjithë masat për zbatimin e këtij vendimi.