Në gjuhën kineze fjala “krizë” shprehet nëpërmjet logogramit apo simbolit 危, që nënkupton “shfaqjen dhe diagnostifikimin e një sëmundje” dhe “recetën e shërimit të saj duke nxjerrë mësime për të ardhmen”, “duke parë më qartë në të ardhmen”.
Në këtë kuptim, kriza e sotme botërore e provokuar nga pandemia Covid-19, ka shkaktuar e do vazhdojë të shkaktojë për një kohë të gjatë në javët dhe muajt në vazhim një seri hamëndësimesh, debatesh, konkluzionesh e rekomandimesh, brenda të cilëve qëndron një emërues i përbashkët me dy pikëpyetje të mëdha: krizën e shkaktoi koronavirusi apo ai ishte thjesht lakmuesi që e nxorri në dritë; dhe së dyti, cfarë duhet të shohim më qartë në të ardhmen për të përballuar kriza të tjera me natyrë mjedisore, ekonomike, sociale, shëndetasore e demokratike? Mesa duket, përtej njëmijë e një të zezave, Covid-19 ka dhe vlerën e “lajmëtarit” për krizat e ardhshme globale të epokës sonë.
Pandemia e koronavirusit është para së gjithash një krizë shëndetësore që po vë në rrezik jetën e qindra mijë njerëzve, që vec të tjerave po kërcënohet dhe nga pamjaftueshmëria e kapaciteteve shëndetësore për tu përballur më të, përgatitjen dhe kapacitetet minimale spitalore të shumë vendeve për përballimin e pandemive të kësaj natyre. Shumë vende, përfshirë këtu dhe ato më të zhvilluara e të pasura të botës, po “shohin në pasqyrë” politikat e gabuara dhe reduktimet e mëdha financiare që kanë bërë në sektorin e shëndetësisë.
Por, kjo situatë “lufte me Covid-19” po shkakton dhe një krizë të rëndë sociale, deri tashti e mbuluar me kujdes nga realiteti i përditshëm. Shtresat më të varfëra dhe ato vulnerabël të shoqërisë po shqen si viktimat “e preferuara të koronavirusit”, sidomos në vendet që nuk disponojnë një sistem universal të shëndetit publik, në vendet me përqindje të lartë të familjeve të varfëra me të ardhura të pakta apo që jetojnë me ndihma sociale. Të mos flasim këtu për një tjetër kategori vendesh të varfëra që kanë vite që përballen me epidemi e sëmundje të tjera të ngjashme në realitetin e tyre të përditshëm.
Vec të tjerave, pandemia aktuale e Covid-19, duke prekur rëndë si konsumin ashtu dhe prodhimin e shërbimet, duke i dhënë një goditje chok ofertës dhe kërkesës në përmasa të jashtëzakonshme, po nxjerr në dritë cdo ditë e më tepër dhe një krizë të thellë ekonomike e financiare duke luajtur rolin e “fitilit të ndezur drejt një fucie baruti”.
E gjithë kjo po duket si “lajmëtare” e një recesioni të thellë global që shpejt mund të prodhojë një panik financiar dhe rënie të konsiderueshme të bursave. Mësimet dhe pasojat e “Depresionit të madh të viteve 1929-33” apo “Krizës globale të vitit 2008” duket se shumë shpejt mund të cfaqen përsëri.
Gjatë 3-4 javëve të fundit bursa e Wall Street humbi pothujase gjithëshka kishte fituar gjatë mandatit të Presidentit Trump; destabiliteti financiar në zonën euro, heqja dorë nga parimet e rigorozitetit dhe stabilitetit financiar, paketat e njëpasnjëshme financiare ndihmëse e qetësuese ekonomike po shtojnë rrezikun e një krize të borxhit sovran; përballë frikës së një krize të re financiare duket se po gjenden dhe vendet e grupit BRIKS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Koreja e Jugut).
Kjo krizë globale po cfaqet cdo ditë e më tepër edhe si një krizë e “Globalizimit”. Luftrat tregëtare, bllokimet e bashkëpunimit dhe tregëtisë, izolimi i vendeve të ndryshme, shtimi i zërave kundër globalizimit ekonomik e financiar dhe rrikthimi drejt “rikombëtarizimit të ekonomisë dhe shërbimeve”, vënia në bankën e të akuzuarve e “qarkullimit të lirë e pa limit të njerëzve” si shkaktarë të kësaj pandemie, rritja drastike e tezave dhe qëndrimeve “radikale populiste, nacionaliste e raciste” ndaj të huajve, etj., tregon se “globalizimi po shpallet si armiku i madh që destabilizon të ardhmen e planetit tonë”.
Listës së krizave duket se po i bashkohet dhe një “krizë demokracie”, në sensin e “uljes së besimit dhe mbështetjes për partitë politike tradicionale dhe rritjes për partitë nacional-populiste”. Në këtë situatë të jashtëzakonshme, Qeveritë nën moton “qëllimi justifikon mjetin”, shpesh edhe në kurriz të së ardhmes së tyre politike, janë të detyruara të marrin masa autoritare e veprime drastike për të luftuar pandeminë, pasi për momentin nuk egzistojnë rrugë të tjera alternative.
Ekspertë të shumtë të shkencave politike mendojnë se në fund të kësaj lufte, edhe në rastet e suksesshme, shumë qeveri e parti politike do dalin “të humbura” e me një shkallë të ulët legjitimiteti, cka me siguri do tju krijojë terren të përshtatshëm “lulëzimit” të partive apo lëvizjeve politike populiste, ekstreme, sovraniste, antiglobaliste,etj.
Edhe kooperimi ndërkombëtar multirateral po kthehet në një problem global. Shtete të ndryshme po marrin “vendime ekstreme por të crregullta”, ndërkohë që po vihet në dyshim aftësia e kooperimit ndërkombëtar si “instrument për zgjidhjen e krizës po vihet në dyshim”.
SHBA nën moton tashmë të njohur America First, duket se nuk dëshiron të jetë në linjën e parë si furi botërore stabilizuese e rendit botëror, kërkesa për të patur eskluzivitetin e vaksinës anti Covid-19 është një dëshmi më shumë në favor të kësaj teze, Komisioni europian po bën përpjekje titanike për të minimizuar mungesën e unitetit europian, Kina po përpiqet ta kapitalizojë në maksimum modelin e saj të kooperimit ndërkombëtar dhe influencën gjeopolitike të modelit autoritar kinez.
Së fundmi, bota rrezikon të përballet dhe me një krizë civilizimesh. Historia na tregon se krizat sanitare shëndetësore janë shoqëruar shpesh me përmbysje të mëdha historike. Rënia e Perandorisë romake u favorizua nga epidemia e murtajës e cila preku dhe zhduku gati një të tretën e popullsisë së saj.
Në shek.XIV-të, epidemia e murtajës së zezë, provokoi zhdukjen e dy të tretave të Europës dhe coi në krizë totale sistemin feudal. Gripi spanjoll i viteve 1918-1919 shkaktoi “transformimin e madh” të periudhës ndërmjet dy luftrave botërore duke provokuar lindjen e totalitarizmit në Gjermani, Itali, Spanjë, Rusi, etj. “Nuk përjashtohet që Covid-19 të shoqërohet me ndryshime drastike në këtë aspekt.
Por, egziston dhe një këndvështrim tjetër më optimist. Krizat e kësaj natyre dhe këtyre përmasave “krijojnë dhe oportunitete të mëdha” që duhen ditur të shfrytëzohen. Nëse për momentin “qëllimi absolut është kontrolli dhe zvogëlimi deri në zhdukje i pandemisë” në qëndër të së cilit është shpëtimi i jetëve njerëzore, sfida më e madhe duket se po drejtohet nga ekonomia, tregu, konsumi dhe prodhimi.
Masat dhe politikat që po zbatohen apo po propozohen për një të ardhme shumë të afërt po synojnë objektiva e sfida që deri dje konsideroheshin utopike: megjithë rreziqet e “zhytjes në një politikë 100% keynesianiste dhe pasojave të saj në nivelin e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, rrigoroziteti dhe rregullat buxhetore “po harrohen”; Shtetet po investojnë dhe po ndërhynë masivisht në ekonomi dhe tregjet financiare; “Etat-providence” dhe shërbimi shëndetësor publik po konsiderohen si kështjella më e sigurtë e përballimit të pandemisë dhe efekteve shkatërruese të saj; rri-kombëtarizimi i ekonomisë po vlerësohet si mjeti më i sigurtë e garantues i furnizimit me mallra ushqimore e konsumi të domosdoshme për popullsinë e cdo vendi; qeveritë janë të prirura të dëgjojnë më shumë e më me kujdes shkencëtarët e kërkuesit më tepër se lobet e interesave private ekonomike e financiare; qytetarët po i modifikojnë sjelljet e tyre në funksion të interesit të përgjithshëm duke lënë mënjanë egoizmin dhe individualizmin e cfrenuar që ka mbretëruar deri tani në kuadrin e modelit ultraliberal ekonomik e shoqëror.
BE-ja duket se po sheh ditën jeshile për ti dhënë jetë projektit të saj “Green Deal” që synon eleminimin e efekteve të ngruhjes dhe ndotjes globale deri në vitin 2050. Në shkallë ndërkombëtare është rritur në mënyrë eksponenciale ndjeshmëria dhe bindja për ta shpejtuar procesin e tranzicionit drejt një rritje ekonomike të qëndrueshme e cilësore, drejt një demokracie më të gjerë e gjithëpërfshirëse në nivel global, drejt ndryshimit të paradigmës sonë të mirëqënies.
Si një element mjaft i rëndësishëm po shfaqet dhe “administrimi i krizave nëpërmjet teknollogjive të reja”. Format e reja të komunikimit po luajnë dhe mendohet se do të luajnë një rol thelbësor në menaxhimin e krizave të llojeve e formave të ndryshme. Një pjesë e punësimi do orientohet gjithnjë e më shumë drejt “dixhitalizimit shtëpiak”; mjekësia drejt video-konferencave e diagnostifikemeve e kurmeve on-line; noterët, shpërndarja ushqimore, shërbimet bankare e financiare, etj., i pret një perspektivë e qartë dixhitale; sistemi 5G, big-data dhe inteligjenca artificialedo krijojnë mundësi që të zotërohet e përpunohet shumë më tepër informacion dhe vendimmarrje cilësore në kohë të shkurtër. Teknollogjitë e reja po ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme duke i bërë sfidat për zgjidhje e zgjedhje më të mira një mundësi reale që duhet ditur të shfrytëzohen.