Prej 26 vitesh një nga ish-pronarët e truallit të ish-kinema Lushnja endet në dyert e institucioneve shtetërore por ende nuk merr në pronësi truallin e tij. Zanafilla e kësaj prone ka nisur që në vitin 1958.
Ky truall ishte në pronësi të familjes Shefa. Ndërkohë, në vitin 1993, Bashkia Lushnjë nxjerr në ankand këtë pronë dhe ia shet të punësuarit Ferit Tabaku. Që këtu nis padrejtësia, pasi duhet të bazoheshin në ligjin për kthimin e pronave dhe të vetmit që e kishin këtë të drejtë ishte familja Shefa. Më pas familjarët i janë drejtuar gjykatës. Në dokumentacionet e që gazeta “Shekulli” siguroi gjykata mori vendim që kontrata e shitjes së truallit të prishet.
Gjykata e rrethit Lushnjë, vendosi: “Pranimin e kërkesës së ngritur nga paditësi Sefedin Shefa kundër të paditurve Agjencia e Privatizimit Lushnjë, Seksioni i Kulturës Lushnjë Ferit Tabaku dhe deklarimin e pavlefshëm të kontratës së shitjes realizuar për objektin e kinemasë me gjithë shtesat e saj.
Falsifikimi dhe zvarritja e hetimeve
Hetimet e prokurorisë për pallatin 10 katesh në qendër të Lushnjës, ku ka qenë ish- Kinemaja e këtij qyteti, kanë filluar që në vitin 2010. Kanë qenë 3 prokurorë të Prokurorisë së Lushnjës, të cilët kanë hetuar këto falsifikime. Fillimisht, çështja është hetuar nga prokurori Arben Dyla, i cili e mori dosjen ne vitin 2010 dhe e ka mbajtur për gati dy vjet çështjen nën hetim.
Pas vendimit të gjykatës në 1993 prishet kontrata e shit-blerjes së objektit kinema. Por ajo që duhet theksuar është fakti se në autorizimin e shitjes dhe kontratën e shitjes së objektit kinema, Ferit Tabaku e kishte blerë në shtator të vitit 1993, dhe sipërfaqja ishte 433 metër katrorë. Përsa i përket truallit thuhet në autorizim dhe në kontratë do të jepet me qira për një periudhë 5-vjeçare deri sa kjo çështje të shikohet me pronarin e truallit bazuar në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Në dokumentet që gazeta “Shekulli” disponon thuhet se në dhjetor të vitit 1994, shtetasi Ferit Tabaku falsifikon dokumentet nga qiraja tashmë blen truallin. Dhe në dokumentin e shitblerjes shihet se kontrata është korrigjuar me shkrim dore nga 433 në 686 metër katror.
Ajo që vihet re në kontratën e korrigjuar me shkrim dore, duket se është harruar të korrigjohet përllogaritja e “dhënies me qira”. Sepse në kontratën që gazeta “Shekulli” disponon shihet që kontrata me qira ka qenë 433 metër katror dhe automatikisht rritet vlera e dhënies së qirasë.
Pra gjatë falsifikimit është “korrigjuar” sipërfaqja dhe nuk është siguruar përllogaritja gjatë falsifikimit.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, ka marrë vendimin se:
“Sa i përket shtetasit Ferit Tabaku, ai i ka përdorur për herë të fundit këto dokumente të falsifikuara në vitin 2005, kohë në të cilën i është drejtuar gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje me kërkesë padinë me objekt, detyrimin e palës së paditur AKP Fier t’i njohë pronësinë për blerjen e truallit me sipërfaqe 682 m2. Që prej vitit 2005 deri aktualisht kanë kaluar afatet e parashkrimit për marrjen e këtij personi në përgjegjësi penale të “Falsifikimit të Dokumenteve”, realizuar në formën e përdorimit të një dokumenti të falsifikuar.
Seancat gjyqësore ndër vite
Ndërkohë në vitin 2005 zhvillohet një seancë gjyqësore për të fituar truallin me parashtrim dhe se nga kjo seancë gjyqësore pretendohet se trualli është regjistruar me këtë vendim gjykate, pasi hipoteka nuk ia regjistronte se “kishte mungesë dokumentacioni”.
Në bazë të dokumenteve që gazeta “Shekulli” disponon, familja Shefa u ka dërguar një kërkesë Prokurorit të Përgjithshëm asokohe Adriatik Llallës. Ky i fundit në shkresën kthim-përgjigje dërguar familjes Shefa, ka deklaruar që të njoftohet personi që ankohet dhe u rihap gjyqi por më pas u pushua në vitin 2015.
Më pas në gjykatën e Apelit të Vlorës, dhe kjo çështje u pushua e më pas u rihap në gjykatën e Lushnjës sërish.
Në seancën e parë të gjyqit, pas rihapjes së çështjes avokati mbrojtës i Ferit Tabakut pohoi se toka është e Sabri Shefës gjë të cilën familja Shefa këtë kërkon.
Fshirja e dokumenteve të falsifikuara
I vetmi institucion që nxori falsifikimet ishte Prokuroria e Lushnjës, e cila provoi se dokumentet janë të falsifikuara, por ndodheshin ende në zyrat e shtetit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë pranoi kërkesën e fshirjes së dokumenteve të konstatuara të falsifikuara nga ana e organit të akuzës, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me vendim të datës 27.05.2016 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, të pushimit të procedimit penal dhe vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë. Me ekzekutimin e këtij urdhri ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Rajonale Lushnjë, Bashkia Lushnjë, të gjitha institucionet ku ndodhen dokumentet e falsifikuara.
Akti i ekspertizës së vlerësimit
Gazeta “Shekulli” ka siguruar aktin e ekspertizës së vlerësimit për pronën. Ky vlerësim është realizua në nëntor të 2019.
Vlerësimi realizohet sipas parimeve të përgjithshme të vlerësimit që aplikohen edhe në vendet europiane, në përputhje me Manualin e Standardeve Europiane të Vlerësimit. Opinioni vlerësues i tregut real realizohet sipas kritereve të përcaktuara nga TEGOVA (Grupi Europian i Vlerësuesve të Pasurive të Paluajtshme), që është korporata e vendosjes së Standardeve të Vlerësimit brenda Komunitetit Europian, thuhet në informacionin për vlerësim.
Kontradiktor mbetet fakti ku thuhet se vlerësimi është bërë në bazë të kritereve europiane. Ajo çfarë konstatohet është se vlerësimi nuk është realizuar në përputhje me çmimet e VKM. Ajo që mbetet ende në pikëpyetje dhe transmeton paqartësi por jo vetëm, janë çmimet europiane në qytetin e Lushnjës.
Pas aktit të vlerësimit totali i shumës së gjithë ndërtesës është: 7 037 808 euro. Ndërkohë, e konvertuar kjo vlerë sipas kursit të këmbimit 1 euro=123 lekë. E konvertuar në lekë, në total e gjithë ndërtesa sipas vlerësimeve europiane i përkon shumës 865 649 400 lekë të reja.
Gazeta Shekulli