AKADEMIK, PROF. DR. ANASTAS ANGJELI
Tridhjetë vjet më parë na u desh të hidhnim themelet e një sistemi të ri ekonomik, atij të ekonomisë së tregut e në funksion të tij edhe një politike të re fiskale, një sistem fiskal rrënjësisht ndryshe nga ai që i përshtatej ekonomisë së centralizuar të një vendi, që e konsideronte veten si “vendi pa tatime e taksa”. Në ketë aspekt, gjatë këtyre 30 viteve ndryshimet janë rrënjësore, me gjithë problemet dhe vështirësitë e hasura.
Kuadri ligjor fiskal ndryshoi, u zhvillua dhe u përsos duke iu përgjigjur dinamikës së zhvillimit ekonomik e social; falë vullnetit të qeverive për reforma, në vite e vite, të punës së administratës fiskale, komunitetit të biznesit, asistencës dhe mbështetjes së institucioneve ndërkombëtare si FMN, BB, misioneve të BE, OECD-së etj. Sot, jo vetëm pas 30 viteve, por edhe pas 6 viteve, kur maxhoranca aktuale erdhi në pushtet, ka ndryshuar, pa dyshim, pozitivisht, ambienti ekonomik, social, prioritetet dhe struktura e ekonomisë, roli i sektorit privat në ekonomi është vital, jetojmë një ekonomi të hapur, pjesë e ekonomisë rajonale, europiane dhe asaj globale, që shoqërohet nga rritja e lëvizjes së lire të njerëzve, mallrave, kapitaleve, investimeve, forcës së punës, zhvillimit të teknologjisë, informacionit dhe inovacionit.
Në rend të ditës kanë dalë çështjet e politikave të reja fiskale, në drejtim të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm, të zhvillimit të teknologjisë, të ekonomisë së gjelbër, ndryshimeve klimaterike dhe fenomeneve natyrore, të ekonomisë blu, të politikave fiskale për shëndetin etj. Në këto kushte dhe të perspektivës europiane të vendit tonë, të harmonizimit të legjislacionit me atë europiane, bazuar në direktivat e BE-së dhe Kombeve të Bashkuara, është koha për një reflektim, për një ridimensionim të Politikës Fiskale, për t’iu përshtatur këtyre rrethanave dhe perspektivës, duke hedhur themelet e NJË POLITIKE FISKALE PËR DEKADËN E TRETË TË KËTIJ SHEKULLI.
Por për këtë, do duhet të konsiderojmë apo të mbështetemi në disa shtylla.
NJË RIDIMENSIONIM I SISTEMIT TË TATIMEVE DHE TAKSAVE
Siç e theksova më lart, vendi ynë në përgjithësi ka zhvilluar e zbatuar një sistem modern tatimor. Në dy dekadat e fundit, edhe pse niveli i tarifave të tatimeve dhe taksave është i krahasueshëm me vendet e rajonit, të ardhurat e siguruara prej tyre në raport ndaj PBB duket se janë në nivel mesatar, krahasuar me këto vende. Kjo situatë dëshmon se ka hapësirë për të rritur të ardhurat në raport me PBB duke ndikuar në rritjen ekonomike. Veç shumë faktorëve, politika fiskale ka rolin e vet ndikues në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Por është koha për një politikë fiskale ndryshe dhe për këtë duhet të mbështetemi në disa shtylla:
A. MIRADMINISTRIMI FISKAL DHE LUFTA KUNDËR INFORMALITETIT
U bë tashmë më shume se një vit që po punohet efektivisht në drejtim të miradministrimit fiskal dhe rezultatet e para janë premtuese. Këtij qëllimi i shërbejnë dhe ndryshimet e ligjeve fiskale (Paketa Fiskale), që miratoi Kuvendi gjatë dhe në fund të vitit 2019. Këto janë një bazë e shëndoshë për akte nënligjore dhe masa organizative dhe motivim të organeve fiskale për të përmbushur më mirë misionin e tyre. Natyrisht, duhet pritur rezultati konkret në fund të këtij viti dhe efekti në të ardhurat nga kjo punë.
B. POLITIKAT E REJA FISKALE, PËRMIRËSIMI I CILËSISË SË TAKSAVE DHE RRITJA E EFIKASITETIT TË TYRE
Pra, sistemi aktual, për shkak të ndryshimeve të shumta gjatë 30 viteve, është bërë shumë kompleks, i fragmentuar, i vështirë për t’u zbatuar nga tatimpaguesit dhe administruar nga organet fiskale, i ndjeshëm ndaj presioneve dhe lobimeve, në shumë raste “agresiv” ndaj komunitetit të biznesit, duke errësuar transparencën dhe deformuar disa nga parimet bazë të tatimeve dhe taksave.
Në stadin aktual të zhvillimit ekonomik të vendit, që të garantohet vazhdimësia e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe për të shmangur përsëritjen e “ngërçeve” pse jo edhe të krizave apo të dekonsolidimit fiskal, mbetet thelbësore një politikë fiskale, një sistem tatimor efikas, që të mund të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për përmbushjen e funksioneve të shtetit, për të financuar shpenzimet publike, investimet publike, shpenzimet e programeve sociale, me një fjalë funksionet e shtetit.
E gjithë kjo kërkon një strategji të re afatmesme dhe më shumë, një politikë të re fiskale për dekadën e tretë të shekullit të 20-të, duke konsideruar më mirë stadin aktual dhe perspektiv të zhvillimit ekonomik të vendit dhe rikthimin e parimeve bazë të tatimeve në themel të sistemit tatimor.
Në prani të një informaliteti të lartë, kërkohet që sistemi tatimor të bazohet në një numër relativisht të vogël të taksave me një tatim të vetëm, sistemi të ofrojë më shumë drejtësi fiskale pa pasur deviacione nga parimet bazë të tatimeve. Pra, është e domosdoshme:
·Një rishikim i taksave mbi konsumin dhe mbi të ardhurat ku TVSH-ja mbetet “thembra e Akilit”. Ky rishikim dhe përjashtimet apo jo duhet të jetë në funksion të politikave, strategjive dhe prioriteteve të zhvillimit të ekonomisë (sektorë, prodhime të caktuara) etj., dhe në fund konvergimit të buxheteve familjare dhe përmirësimi i nivelit të jetesës së qytetarëve.
· Një sistem gjithëpërfshirës i taksave që mbulon të gjithë grupin e taksapaguesve me rregulla të drejta, për të siguruar që të gjithë të paguajnë një barrë të drejtë tatimore.
Reforma në Drejtësi është në mbështetje të plotë të kësaj çështjeje, e cila do të sigurojë njëherësh me shume efikasitet dhe me shume drejtësi ekonomike dhe fiskale. Kjo do të bëjë që të kemi;
·Një sistem tatimor që nuk deformon parimet bazë të: Efikasitetit: sistemi tatimor duhet të jetë transparent, i thjeshtë, i qëndrueshëm dhe të minimizojë shtrembërimet ndaj sjelljes së tatimpaguesit. Ai duhet të jetë i drejtë dhe neutral midis llojeve të ndryshme të tatimpaguesve në situata të ngjashme ekonomike. Barazisë: sistemi tatimor duhet të jetë i drejtë dhe gjithëpërfshirës dhe të kontribuojë në objektivat e shpërndarjes, së bashku me sistemin e përfitimeve shoqërore.
Tatimpaguesit duhet të kontribuojnë në financat publike sipas aftësisë së tyre për të paguar. Janë këto arsyet që, përveç mobilizimit të të ardhurave, thjeshtësia, gjithëpërfshirja, transparenca dhe barazia e sistemit të taksave; të gjitha luajnë role të rëndësishme në vendosjen e legjitimitetit dhe rritjen e efikasitetit të tyre. Taksat efikase shërbejnë gjithashtu si një instrument i rëndësishëm dhe i dobishëm për pritjet afatgjata të investitorëve dhe të tatimpaguesve. Sepse stabiliteti dhe transparenca e taksave do të ndihmojnë bizneset të planifikojnë dhe tërheqin investime të huaja.
E gjithë kjo politikë do të ndihmojë në ndryshimin harmonik të sjelljes së administratës tatimore dhe të komunitetit të biznesit. Dhe kështu, një sistem i ri e i konsoliduar tatimor jep më shumë garanci për zhvillim të qëndrueshëm dhe konsolidim të mëtejshëm të financave publike.
C. SISTEMI TATIMOR DHE POLITIKAT E REJA TË ZHVILLIMIT
1-Sistemi tatimor dhe zhvillimi i politikës së re industriale, investimeve të huaja, teknologjisë, inovacionit dhe shkencës Ekonomia jonë, edhe pse jo e madhe, me peshë të vogël në ekonominë globale, është dhe mbetet pjesë e saj, bashkëjeton dhe ndikohet nga fenomenet e saj.
Edhe pse prioritet “klasike” të zhvillimit të ekonomisë sonë, si zhvillimi i infrastrukturës, energjisë, turizmit, agrobiznesit, arsimit dhe shëndetësisë, janë dhe mbeten në fokus, ne duhet të kuptojmë dhe reagojmë ndaj ndryshimeve strukturore që po ndodhin në ekonominë tonë dhe tendencën që po zhvillohet drejt një ekonomie shërbimesh. Kjo duhet të na bëjë më konsiderues e reflektues ndaj zhvillimeve të teknologjisë, inovacionit dhe kërkimit shkencor, shpejtësisë së ecurisë së tyre dhe nevojës për zbatim në ekonominë tonë.
Programi i qeverisë për dixhitalizimin e shërbimeve ndaj qytetarëve është tregues pozitiv dhe konsiderues i kësaj filozofie. Ndërkaq, politikat e reja fiskale nuk duhet të jenë “indiferente” ndaj këtij procesi, ndaj nxitjes së investimeve të huaja për politika të reja industriale, investime të huaja, investimin në arsim dhe profesione të reja (pas dhjetë apo 20 vjetësh më shumë se gjysma e profesioneve aktuale nuk do të ekzistojnë më). Ne nuk aplikojmë taksa në eksport, por duhet të ndryshojmë sjelljen fiskale për të nxitur prodhimin për eksport. Kjo do të na bëjë më të pranishëm dhe konkurrues në tregjet rajonale dhe atë evropian.
2-Sistemi tatimor dhe ekonomia e gjelbër Zhvillimi i ekonomisë së gjelbër presupozon një lloj të ri zhvillimi, ku mjedisi dhe cilësia nuk janë thjesht parametra ose politika sektoriale, por boshtet kryesore dhe bazat e një plani (programi) të ri të zhvillimit alternativ të ekonomisë se një vendi. Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) ka zhvilluar një përkufizim për Ekonominë e Gjelbër si një ekonomi që çon në përmirësimin e mirëqenies njerëzore dhe barazisë sociale, duke reduktuar ndjeshëm rreziqet mjedisore dhe menaxhuar burimet natyrore në mënyrë të qëndrueshme. E thënë më thjesht, ekonomia e gjelbër është një ekonomi që shkarkon sasi të vogla karboni, përdor në mënyrë eficiente burimet dhe sjell një zhvillim gjithëpërfshirës në shoqëri.
Në një model të tillë duhet të kryhet menaxhimi sa më i mirë i burimeve, instrumenteve ekonomike, që janë të mira për mjedisin, mbështetjen e inovacionit, politikave më të mira për ujë dhe mbeturinave si dhe përpjekjeve për të rritur konsumin dhe prodhimin e qëndrueshëm. Por, sfida e përballjes me pasojat e ndryshimeve klimaterike globale dhe provat shkencore se klima, mjedisi, “sjelljet e natyrës” po ndryshojnë dhe shpesh janë të paparashikueshme, janë shtuar aq shumë e po shtohen vazhdimisht, duke u shndërruar në epiqendër të diskutimeve jo vetëm globale, por edhe në vendin tonë.
Ky fakt ka bërë të domosdoshëm jo vetëm krijimin e modeleve dhe të teknologjive të reja të zhvillimit, por edhe të politikave fiskale adekuate, në funksion të këtij zhvillimi. Këto politika duhet të jenë “më miqësore, më të thjeshta dhe më nxitëse” ndaj bizneseve që përdorin teknologji miqësore, ndaj ambientit, (turizmit, ujërave, pyjeve). Ne duhet të jemi të përgatitur për t’i bërë ballë dhe mbështetur zhvillimin e gjelbër dhe “ndryshimit të sjelljes së natyrës dhe ndaj natyrës”. Politikat e nisura në këtë drejtim, edhe pse përgjithësisht pozitive, duhen rishikuar e shtuar.
3 – Sistemi tatimor dhe ekonomia blu Revolucioni dixhital dhe zhvillimet teknologjike të dekadave të fundit me ndryshimet radikale që kanë sjellë në strukturën ekonomike, në prodhim, organizim, modelet e biznesit, industritë e reja, e ka bërë vendin tonë, që për kushtet që ka, të kthejë sytë edhe nga “zhvillimi i ekonomisë blu”, zhvillimi i turizmit, industria e peshkimit, transporti detar etj. Por pesha e tij në zhvillimin e ekonomisë është ende shumë e vogël. Transporti detar nuk i kalon 3-4% të transportit në total në vendin tonë. Peshkimi ndaj prodhimit bujqësor në total ka mbetur në nivelet e 1%. Infrastruktura në funksion të zhvillimit të ekonomisë blu është minimale dhe jo shumë e zhvilluar.
Kjo situatë kërkon një vëmendje të re si nga pikëpamja e politikave të zhvillimit, ashtu dhe nga ajo e politikave fiskale nxitëse, në funksion dhe mbështetje të zhvillimit të ekonomisë blu, të bizneseve në këtë ekonomi, të kapaciteteve dhe infrastrukturës së tyre. Kjo ekonomi nuk duhet konsideruar si “ekonomi e dorës së dytë apo të tretë”, por si një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të së ardhmes, në përputhje edhe me direktivat e BEsë. 4 – Tatimet dhe shëndeti Taksa e shëndetit ka të bëjë me taksimin e të kequshqyerit. Përgjithësisht, në shumicën e shteteve, këto lloj taksash janë përdorur tërësisht në interes të sigurimit të të ardhura në buxhet.
Kësisoj është nxitur dhe stimuluar prodhimi dhe shpenzimi i produkteve dhe ushqimeve të lira duke “lënë në harresë sëmundjet dhe ndikimin në shëndetin e qytetarëve”. Qeveritë përpiqen të stimulojë prodhimin dhe shpërndarjen e sa më shumë ushqimeve të lira, në veçanti, të produkteve kryesore të niseshtesë (karbohidrateve të larta) dhe produkteve të tyre të përpunuara. Në të gjithë globin shihen pasojat e sëmundjeve kronike dhe të mbipeshës nga konsumi i lartë i ushqimit të lirë dhe jo të shëndetshëm. Nevoja për të promovuar një stil të jetës së shëndetshme në të ushqyer ka detyruar politikëbërësit të veprojnë, jo vetëm brenda një kornize të rregullt zbatimi të sanksioneve, por edhe përmes instrumenteve fiskale, bazuar në aftësinë e tyre për të kushtëzuar sjellje individuale dhe të grupeve sociale.
Kjo është mënyra sesi normat tatimore mund të orientojnë konsumatorin drejt një ushqyerje të shëndetshme. Ndërgjegjësimi mbi efektet pozitive ose negative të shkaktuara nga prodhimi ose konsumimi i ushqimit të shëndetshëm, është thelbësor që të parandalohen shtrembërime në tregun e ushqimit dhe të konkurrencës së lirë. Qeveritë mund të përdorin shumëllojshmëri politikash, nga ato vullnetare deri tek ato të detyrueshme. Edhe pse në vendin tonë janë konsideruar disa politika fiskale të dobishme në këtë drejtim, sidomos përmes akcizave për disa produkte (duhan, alkool, pije me përmbajtje alkoolike), fenomeni i ndikimit për keq nga shumë ushqime kërkon më shumë kujdes. Sot, p.sh., në vendin tonë, në dhjetë vjetët e fundit të prekurit nga diabeti janë trefishuar, kjo sëmundje po shtohet edhe të fëmijët. Gama e “produkteve të lira”, por me ndikim në kequshqyerje, është zgjeruar.
Prandaj, për t’u marrë me fenomenet negative që shkakton kequshqyerja, shtete të veçanta kërkojnë të ndërhyjnë nëpërmjet instrumenteve fiskale ose administrativ ose me anë të informacionit, vetëdijesimit dhe fushatave edukative. Natyrisht që taksa e kequshqyerjes, duke ndikuar në konsumin e tyre, përgjithësisht përcakton rritjen e çmimit të tyre, duke ndryshuar ekuilibrin e tregut (sepse dekurajon konsumin e mallrave të dëmshme, etj.).
Prandaj, politika dhe strukturat tatimore, në përputhje me direktivat e BE dhe OKB-së, duhet të kenë ndikim më të madh në shëndetin publik, ndërsa në të njëjtën kohë të prodhojnë një rrjedhë më të qëndrueshme, të besueshme të të ardhurave nga taksat.
Njëherësh, ndërhyrjet nëpërmjet një administrate të konsoliduar tatimore, përfshirë përdorimin e një sistemi më të lartë të monitorimit, përcjelljes dhe gjurmimit që përfshin pullat e teknologjisë së lartë dhe licencimin e të gjithë të përfshirëve në prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të dëmshme, shoqëruar me zbatim adekuat dhe dënime të shpejta, të ashpra për shkelësit, janë të domosdoshme.