Një përplasje ka ndodhur sot në mbledhjen e katërt të Komitetit të Rindërtimit ku është diskutuar për situatën pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.
Drejtuesi i fondacionit “Rrënjë shqiptare” gazetari Marin Mema ka debatuar me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me mosheqjen e TVSH-së për materialet e ndërtimit.
Mema ka pretenduar se me këtë logjikë, në 4 shtëpi, i bie që një ta mbajë shteti, dhe ka shtuar se tashmë ka nisur rindërtimi i 4 banesave të para.
Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer aspak kryeministrit duke thënë se ky process kërkon bashkërendim me të gjithë të tjerët.
PJESE NGA DEBATI
Marin Mema: Një shqetësim që kemi hasur në procesin e rindërtimit të 4 shtëpive është cështja e TVSH-së që u deklarua se do hiqej mëse një muaj e ca më parë por në fakt ajo sot akoma nuk është hequr dhe ne kemi këtë problem madhor. I bie që shteti në 4 shtëpi të mbajë vetë një shtëpi.
Rama: Nisjen përpara nuk e përshëndes sepse kemi bërë një bisedë të qërtë se këtu nuk është kush nis i pari por të bashkërendojmë në një plan të mirëmenduar.
Modelet që ne kemi projektuar janë modele të cilat kanë të gjitha parametrat e nevojshëm që japin mundësinë që duke koordinuar së bashku të kemi një përfitim të përbashkët që të bëjmë më shumë shtëpi.
Për TVSH të ta sqarojë ministri se unë nuk jam në dijeni.
Ahmetaj: Kryeministër ne kemi kaluar heqjen e TVSH për të gjithë procesin që në dhjetor në komision e parlament, ka patur procesin e vet bërja e VKM-së dhe nesër përfundimisht kemi kalimin e VKMS-së që e kalon me shumë kujdes gjithë procesin për mos pasur asnjë konfuzion dhe devijim, kështu që nga nesër efektet janë të drejtpërdrejta.
Marin Mema: Në fakt, duhet të ishte përfunduar se ka një muaj e ca. Edhe një cështje të vogël, nuk dua të hap debat. Ne nuk e nisëm si lloj gare ndërtimin e shtëpive por duhet të ndihmonim disa familje në kushte ekstreme. Kur kemi mundësi të ndihmojmë në raste specifike ne e kemi bërë këtë duke e tejkaluar dhe nuk shoh asgjë të keqe, përkundrazi sa më shpejt sa më mirë për tu dhënë njerëzve një dritë shprese.
Rama: Me leje apo pa leje i keni bërë shtëpitë?
Mema: Të gjitha me leje dhe falenderoj bashkinë Krujë dhe Shijak për përshpejtimin. Për ne është ligji në rradhë të parë.
Rama: Por unë nuk mendoj se duhet bërë kështu, jemi të gjithë në këtë tryezë. Se po të jetë për nevoja imediate ka më shumë se kaq. Arsyeja themelore pse ne kemi kërkuar këtë bashkërendim është që mos i bëjmë gjërat shpejt sot dhe nesër të paguajnë kosto njerëzit. Gjëja që po bëjmë tani është që të gjitha modelet janë të strukturuara të miratuara dhe i gjithë procesi shkon në një drejtim. Nuk duhet të vazhdojë ky proces në mënyrë individuale. Jemi këtu të gjithë për një qëllim, shpejtësia ka një limit se shpejtësia pa limit na con në dëmë të një natyre tjetër.