POSTIMI I PLOTË
Shuma prej 1.1 miliardë euro, e deklaruar nga Konferenca e Donatorëve si ndihmë për Shqipërinë, është impresionuese dhe mund të jetë një nga angazhimet më të mëdha solidare në rrafshin ndërkombëtar. Por duhen sqaruar disa gjëra shumë shkurt. Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 700 milionë euro janë kredi. Këto angazhime praktikisht janë të pavlefshme për dy arsye. E para, Shqipëria nuk mund t’i përdorë dot sepse nuk ka hapësirë fiskale. Kreditë e premtuara nga donatorët shkojnë direkt në rritje të defiçitit fiskal dhe rrjedhimisht edhe borxhit publik. Shqipëria nuk ka hapësirë buxhetore për të rritur borxhin. Arsyeja e dyte është edhe më e thjeshtë. Shqipëria nuk ka nevojë për borxhe konferencash. Qeveria shqiptare nuk është në pamundësi për të gjetur borxh. Vendi ynë sot del lirisht në tregjet ndërkombëtare të financave dhe mund të marrë borxh në çdo moment, madje me kosto të lirë. Herën e fundit, eurobondi shqiptar u emetua me interes 3.5 përqind, çka është një normë relativisht e ulët borxhi.
I vetmi përfitim që vendi do kishte nga kreditë e donatorëve do ishte nëse ata do i akordonin këto kredi me interesa më të ulëta se 3 përqind. Por sërish edhe ky do të ishte një përfitim i papërfillshëm. Këtu dalim tek pjesa e donacioneve që vlejnë me të vërtetë. Ato janë grantet, pra paratë falas. Sipas të dhënave paraprake, shuma e granteve te dhuruara nga Konferenca e Donatorëve vërtitet nga 300-400 milionë euro, pasi shifrat duhet ende të saktësohen. Për hir të së vërtetës, ky nuk është një kontribut i vogël, pasi behet fjalë për 2-3 përqind e PBB-se. Pra financimi i defiçitit buxhetor për gati 2 vjet dhe për këtë Shqipëria duhet t’u jetë mirënjohëse donatorëve. Por edhe këtu duhet sqaruar një element shumë i rëndësishëm. Sa prej këtyre parave janë disbursuar dhe harxhuar ndërkohë. Sepse shuma prej 300-400 milionë euro që mendohet se është angazhuar përfshin brenda saj edhe paratë, të cilat janë disbursuar nga qeveritë mike dhe janë shpenzuar nga qeveria jonë gjatë situatës së emergjencës. Ditët në vijim do të qartësojnë edhe më mirë përmasat e donacioneve si dhe kushtet e disbursimit të tyre. Megjithatë ky është një kontribut i rëndësishem dhe qeveria meriton vlerësim për punën që ka bërë në mobilizimin e solidaritetit ndërkombëtar. Por, thënë këtë, është shumë e rëndësishme, që ato para të përdoren në destinacion. Do të ishte e pafalshme që qeveria e Shqipërisë dhe institucionet kontraktuese të abuzonin me donacionet. Kjo do ishte damka më e rëndë për çdo qeveri në glob./FastNewsAlbania