Pas ngjarjes së 4 Gushtit, Prokurorët e Mirditës guxuan të nxjerrin nga sirtarët dosjen e vrasjes së Shaqir Hoxhës. Ai që ishte shndërruar në tmerrin e Tropojës nuk ishte më i paprekshëm. Përballë duhet të llogariste edhe shtetin, jo vetëm kundërshtarët.
Udhëtimi jashtë nuk u krye kurrë. Fatmiri ishte në pritje të fëmijës së parë pasi bashkëshortja e tij ishte shtatzënë. Ai, nuk do ta kishte kurrë fatin të shihte të paktën një herë vajzën.
“Në datën 15 tetor, të vitit 1999 po përgatiteshim të udhëtonim me Fatmirin për Prishtinë ndërsa Fatmiri refuzoi dhe tha:, unë nuk operohem derisa fëmija im të lind, e kishte shumë merak që fëmija të lindte dhe nuk pranoi të udhëtojë për Prishtinë”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
Pasi doli nga spitali, tashmë Fatmiri kishte nisur lëvizjet të zbulonte autorët e sulmit të 4 gushtit. Ai kishte mësuar nga burime të afërta se në 2 javë më parë, në një fuoristradë të policisë së Kukësit po transportoheshin mina drejt Tropojës. Në mjet ndodheshin edhe dy efektivë të forcave speciale si dhe një personazh që dikur kishte qenë truprojë e Sali Berishës. Këto informacione ishin mjaftueshëm që Fatmiri të drejtonte gishtin drejt kolonelit Jonuz Hyka dhe vëllezërve të tij.
“Përparim Hyka ka qenë një ndër ata, pas marrjes së makinës ka qenë ndër kryesorët që ka vendosur minat në 4 Gusht, 5 korrik dhe 6 maj të ‘99”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
Edhe Hamdiu, i cili i shpëtoi atentatit, kishte parë me dylbi një grup prej 9 personash të armatosur në kodrën përballë. Ata ishin të veshur me rroba kamuflazhi ushtarak dhe pas shpërthimeve ishin larguar drejt fshatit Koçanaj.
Kundërpërgjigja nuk do të vononte. Nuk kishte kaluar ende një orë nga shpërthimet e Cërrnicës dhe në qendër të Bajram Currit, ekzekutohet me breshëri Isuf Bashkurti dhe Bislim Hyka, vëllai i Jonuz Hykës.
Për këtë krim të rëndë, në atë kohë u akuzuan si autorë shefi i Rendit Jaho Mulosmani dhe Ylli Haklaj. Disa ditë më pas, u plagos në një atentat Fatmir Meta, ish shef i komisariatit në Tropojë. Ai do të deklaronte në gjykatë për procesin e vrasjes së Azem Hajdarit se “mban në trup plumbat e vrasësve të deputetit”. I dyshuari ishte Jaho Mulosmani.
Konflikti kishte nisur pasi Meta, kishte informuar se natën e vrasjes së Hajdarit, Jaho ndodhej në Tiranë.
Ishte e qartë tashmë se Haklajt kishin përballë efektivë të forcave speciale që në mos janë drejtuar nga lart, u është lënë dorë e lirë të bëjnë ato që kanë bërë. Kjo përforcohej edhe nga fakti se asnjë prej ngjarjeve ku ata ishin goditur nuk ishte zbardhur. Në ngjarjen e 4 gushtit, askush nuk u kujdes për provat materiale të mbetura. Minat e pashpërthyera ishin mundësi për të siguruar gjurmë gishtash.
Shteti duket se kishte zgjedhur si rrugëzgjidhje t’u linte dorë të lirë familjeve të përfshira në konflikt për të asgjësuar njëra-tjetrën. Asnjë prej ngjarjeve nuk zbardhej. Zinxhiri vetëm zgjatej. Komisari i ri i Tropojës Gani Malushi kishte grumbulluar prova të shumta pas atentateve por askush nuk e ndihmonte në instancat drejtuese. Ai kishte dhënë informacion për efektivët e forcave speciale që ishin përfshirë në atentatet me mina, por me ato dosje nuk e di njeri se çfarë u bë.
Fatmir Haklaj, kuptoi se kundërshtarët nuk do të ndaleshin derisa ta eliminonin. Dy muaj pas ngjarjeve të fundit, Jonuz Hyka ndalon në Bajram Curri, për marrë rrugën drejt Tiranës, ku dhe ishte familja e tij. Ai njoftohet nga komisar Malushi se është i pasigurt dhe duhet të largohet.
Më 13 tetor, rreth orës 19:30 minuta Hyka po i drejtohej banesës në lagjen “Partizani” bashkë me dajën e tij Musli Qokaj. Në hyrje të pallatit janë qëlluar me breshëri armësh. Të dy mbetën të vdekur në vend. Thuhej se autorë të krimit ishin Haklajt dhe Mulosmani, njësoj si në vrasjen e Bislim Hykës. Zyrtarisht, ngjarja është ende e pazbardhur.
Dyshimet te rivalët e njohur të Hykës u përforcuan edhe nga një ngjarje që do të ndodhte të nesërmen. Më 14 tetor, babai i Jahos, Sali Mulosmani i cili shërbente si shofer i SHIK-ut në Tropojë udhëtonte nga Bujani në Bajram Curri teksa iu bë atentat me minë të komanduar në distancë. Ai shpëtoi me dëmtime të lehta.
10 ditë më pas, më 25 tetor, Sali Mulosmani u ndalua nga postblloku i forcave speciale te Varrezat e Dëshmorëve. Ai u shoqërua pasi kishte dy kallashnikovë në makinë. Mulosmani deklaroi se ishte i detyruar të lëvizte i armatosur pasi ishte në hasmëri. Disa ditë më pas prokuroria e Tropojës do ta lironte./TopStory