Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme ndaj Nikollaq Çepajt dhe Roland Çepajt në Vlorë.
Duke iu referuar informacioneve të deritanishme, mësohet se autori ka qëlluar me 15 plumba në drejtim të tyre pasi në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja ndërsa, deri më tani në Polici janë shoëruar 10 persona.
Mbrëmjen e së shtunës, në lagjen ‘Bashkimi’ të qytetit të Vlorës iu bë atentat me kallashnikov, Nikollaq Çepajt (Taullaraj) 36vjeç, që kishte vetëm tre ditë që kishte dalë nga burgu dhe kunatit të tij, Roland Çepaj 27 vjeç.
36-vjeçari ishte ulur në një kafe së bashku me kunatin e tij, ndërsa autori e kishte monitoruar duke e ndjekur me kujdes dhe në momentin që ra errësira u afrua përpara lokalit, uli xhamin e makinës dhe lëshoi breshërinë e kallashnikovit drejt tavolinës.
Nikollaq Çepaj ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës, pasi e kapën 5 plumba, njëri prej tyre në kokë. Ndërsa kunati i tij Ronald Çepaj ka marrë 2 plumba në të dyja këmbët, por gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.
Dëshmitarët deklaruan se autori ishte brenda një makine tip “Benz”, me mjekët dhe kapele dhe se pas atentatit u largua me shpejtësi. Dy orë më vonë, në aksin e vjetër Vlorë-Fier u gjet makina e djegut e autorit. Brenda saj edhe një kallashnikov. Pista e parë ku po hetohet është hakmarrja.