Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi mijëra banesa duke i bër të pabanueshme. Profesori dhe inxhinieri i Ndërtimit Arben Meçe ka dhënë alarmin për një situatë aspak të zakontë për një pallat në qytetin bregdetar.
Në një prononcim për gazetaren Klodiana Haxhiaj për “Balkanweb” deklaroi se gjendja në një pallat 12-katësh në lagjen 17 të Durrësit është e rëndë, ndërsa iu ka bërë thirrje institucioneve të shtetit që të reagojnë.
“Pallati 12 katësh me 285 hyrje në lagjen 17 të qytetit të Durrësit është në gjendje të rëndë. Strukturat shtetërore duhet të paraqiten menjëherë këtu. Është i vetmi pallat që kam parë deri tani në Durrës dhe ka dëmtime serioze në strukturë dhe në bërthamë”, tha inxhinieri Meçe.
Një banor i pallatit 12-katësh shprehet se vendi ku ata banojnë është inspektuar nga një inxhinier i njohur dhe del se ka dëmtime tepër serioze.
Ai thekson se kullat janë zhytur, në mënyrë të anuar. “Nga një inspektim i një inxhinieri të njohur dhe të nderuar, del se në pallate ka zhytje, në mënyrë të anuar. Po përpiqen që ta anashkalojnë. Të gjitha televizionet janë fokusuar në pallatet pa vlerë dhe me më pak dëme. Janë duke u përpjekur të shkëpusin vëmendjen”, deklaroi banori.