Ministri i jashtëm i Italisë Luigi Di Maio ka qenë i pranishëm sot kampin e Vorës, në të cilën ndodhen banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Së bashku me ministren Belinda Balluku, ambasadorin italian Alberto Cutillo dhe atë të BE-në Shqipëri, Luigi Soreca, ai ka vizituar cadrat ku ndodhen të strehuar këta banorë që u janë shkatërruar banesat.
Gjatë një prononcimi përpara gazetarëve Di Maio deklaroi se prania e tij këtu është dëshmia konkrete e afërsisë së dy vendeve.
Ai shtoi se pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve qeveria italiane do të ndihmojë dhe në procesin e rindërtimit.
“Prania ime sot këtu përbën një dëshmi të afërsisë së qeverisë italiane me popullin shqiptar pas tërmetit të fundit të muajit të kaluar. Afërsia e qeverisë italiane është dëshmuar edhe nëpërmjet pranisë së emergjencave civile edhe forcave zjarrfikëse. Këtë e dëshmon edhe ky kamp me tenda që është dhuruar nga qeveria italiane.
Teksa i shpreh edhe njëherë ngushëllimet për viktimat e tërmetit të muajit të kaluar, theksoj se po ndihmojmë edhe në vlerësimin e dëmeve dhe në bazë të tyre do të japim ndihmën tonë për të ndihmuar në përballimin me sukses të kësaj situate. Një përqafim edhe për familjarët e viktimave të tërmetit.
Populli italian është pranë popullit shqiptar sepse i lidh një miqësi e fortë. Italia është në linjën e parë që mbështet fuqimisht Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE. Dhe integrimi në BE i Shqipërisë mund t’i japë mundësi sipërmarrjeve tona këtu të rriten dhe duke ofruar kështu mundësi të reja punësimi por edhe për rritjen ekonomike të vendit.
BE në mënyrë të natyrshme duhet të bëjë pjesë të saj Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ne do e mbështesim këtë edhe ndaj atyre vendeve që nuk janë pro zgjerimit të BE dhe po e pengojnë zgjerimin e BE”, deklaroi ministri i jashtëm italian.