Nga Artan Fuga
Duhej një ditë zie për viktimat e tërmetit! Flamurët në gjysëm shtizë, as muzikë të gëzueshme, as evente kulturore, as gaz e haré.
Kuptohet që njerëzit janë të tronditur dhe gjithçka duhet bërë në përputhje me këtë gjendje psikologjike kolektive.
Por shurdhëria në kohë “kolere” është e papranueshme, është një keqkuptim i madh.
Ngjall panik!
Nuk duhet politikë në kohë tërmeti, murtaje, lufte, përmbytjesh?
Cfarë gabimi i madh poqese do të përgjigjeshim: Jo politikë në këto kushte!
Po të thonim kështu nuk do ta kishim kuptuar atë që thotë Aristoteli i madh se politika është shkenca e shkencave. Sigurisht nuk duhet politikë e keqe, nuk duhet politikë me llafe si gratë e Napolit në shekullin e 19-të që kapeshin për flokësh, jo fushatë elektorale, sigurisht.
Por politika është arti i të qeverisurit. Pra të heqim dorë nga qeverisja dhe alternativat për t’a qeverisur situatën në krizën që na ka zënë?
Pa politikë të mirë çdo dukuri natyrore e ashpër na dëmton.
Nuk duhet art, kulturë, shkencë në kohë murtaje, tërmeti, lufte?
O Zot çfarë gabimi? Cfarë keqkuptimi i kulturës, i artit, i shkencës, i filozofisë!!!
Arti, kultura, shkenca nuk janë hargalisjet nëpër varietetet muzikore dhe nuk janë tallavaja e radhës. Kultura, shkenca dhe arti i japin forcë njeriut të përballojë gjithçka. Kultura është forca e njeriut mbi natyrën dhe botën e kafshëve. Njeriu pa kulturë është i dobët, i dorëzuar, nuk ringrihet dot pas shkatërrimit.
Habitem me këngëtarë që anullojnë shfaqjet në ven t’i ri-orientojnë ato drejt dhënies kurajo kombit!
Informacioni i medias nuk duhet në kohë kolere, murtaje, tërmeti, lufte?
O Zot çfarë budallalliku do të ishte po t’a ndërprisnin. Dihet se kur në një vend media nuk informon ashtu si di dhe si e ndjen gjëja e parë që lind te njerëzit është ankthi dhe ankthi është babai i panikut.
Eksperimentet e bëra nga universitetet amerikane tregojnë se kur mediat janë në greva, ankthi kolektiv brenda një jave bëhet i papërballueshëm.
E kujtojnë rrumpallë median këta, por ajo, edhe me të gjitha të metat e saj, sepse nuk mund të jetë e mirë kur e gjithë shoqëria është e sëmurë, është instrumenti i vetëm që krijon informimin kolektiv, krijon opinionin publik. Krijon shoqëri. Përndryshe njeriu izolohet dhe bie në depresion.
Nuk krijon panik informacioni, por informacioni i keq, si edhe kur medias i mbyllet goja. Njësoj panik krijojnë.
Qytetari në kohë rrëmeti ka nevojë ta verifikojë dhe ekuilibrojë propagandën qeveritare. Propaganda vetëm ngjall panik!
Në kohë krizash, tërmetesh, nuk duhet të ketë të drejta kushtetuese për qytetarët dhe të gjithë duhet të jemi si ushtarët para gjeneralit?
Vetëm servilat, budallenjtë dhe naivët mund të mendojnë kështu.
Pse të drejtat qytetare çfarë janë? Janë luks, janë të tepërta, janë kundër menaxhimit të krizave?!
Mendësitë totalitare gëlojnë edhe te gjoja ekspertët e paaftë.
O budalla, o krijues paniku, pse i shton shkatërrimit që na bëri natyra, me ndihmën tonë, edhe shkatërrimin e të drejtave qytetare?
Ku shërohen plagët e shkatërrimit pa liritë qytetare, pa pjesëmarrjen qytetare, pa kontrollin qytetar, pa kritikën qytetare?
Janë në vete këta krijues të zisë, të heshtjes, të ngrirjes të shoqërisë?!
Duhet edhe kultura, edhe politika, edhe të drejtat qytetare, edhe informacioni, njësoj si spitalet, vinçat, forcat e rendit.