Atmosfera festive me sa duket do të shfrytëzohet nga autoritetet e rendit për të bërë disa operacione për arrestimin e personave të shpallur në kërkim.
Gjatë një deklarate për mediat, drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Albert Dervishaj tha se FNSH, RENEA dhe FAST do të zhvillojnë operacione për arrestimin e personave në kërkim gjatë natës së ndërrimit të viteve, por edhe në ditët para dhe pas 31 dhjetorit.
Ai gjithashtu duke folur në lidhje me masat e marra nga Policia e Shtetit është shprehur se janë bërë të gjitha vlerësimet për të ofruar siguri dhe mbarëvajtjen e festave të fundvitit.
“Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”, tha Dervishaj.
“Policia e Shtetit ka planifikuar gjithashtu masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, qendra tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj., duke bashkëpunuar me bashkitë respektive, me qëllim bashkërendimin dhe koordinimin e masave për këtë qëllim.
Janë evidentuar dhe organizuar shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale”, vijoi ai.
Për këtë qëllim, Policia e Shtetit ka hartuar planet e masave në nivel qendror dhe atë vendor, në të cilat janë përcaktuar objektivat dhe detyrimet për strukturat e saj, nëpërmjet të cilave synohet:
- Rritja e sigurisë së jetës dhe pronës duke rritur prezencën policore në të gjithë territorin, për faktin se në raste festash kemi rritje të numrit të qytetarëve të cilët kthehen pranë familjeve të tyre për të festuar festat e fundvitit;
- Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimi dhe mbajtja nën kontroll e personave me precedent kriminal dhe penal, sidomos e atyre personave që kthehen për të festuar festat, identifikimi dhe mbajtja nën vëzhgim e automjeteve që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
- Rritja e efikasitetit të shërbimeve të Policisë në njohjen e situatës operative kriminale, nëpërmjet bashkërendimit dhe bashkëveprimit efektiv të strukturave, me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit;
- Monitorimi i qarkullimit të automjeteve, duke shtuar prezencën policore në të gjitha akset rrugore dhe në sheshet kryesore, në përdorimin e mjeteve logjistike si radarë e dragera, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore;
- Krijimi i lehtësirave ligjore në pikat e kalimit të kontrollit kufitar duke shtuar burimet njerëzore dhe infrastrukturën, si dhe aplikimin e kontrolleve të lehtësuara kufitare, me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe në rast fluksi;
Këto masa do të synojnë shtimin e kontrollit të automjeteve në bazë të analizave të riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike, në shtimin e patrullave në kufirin e gjelbër, si dhe në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me homologët kufitarë në interes të lëvizjes së lirë dhe në kohë, si dhe të parandalimit e goditjes së paligjshmërisë.
- Shtimi i kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese.
“Në këtë drejtim, strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me institucionet e tjera të Task Forcës së krijuar me Urdhër të Përbashkët Nr. 661 të vitit 2018, të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave dhe Ekonomisë “Për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, në zbatim të detyrimeve që përcaktohen, po intensifikojnë kontrollet për verifikimin e kushteve të prodhimit, magazinimit, tregtimit dhe përdorimit nga subjektet e licencuara të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrët.
Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”.
Policia e Shtetit ka planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, qendra tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj., duke bashkëpunuar me bashkitë respektive, me qëllim bashkërendimin dhe koordinimin e masave për këtë qëllim.
Janë evidentuar dhe organizuar shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale.
Gjithashtu, strukturat e Policisë do të organizojnë takime me subjektet e shërbimit privat të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.
Drejtoria e Vendore e Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë kanë marrë masa ekstra në drejtim të ruajtjes së pronës, sidomos në ato zona që u goditën nga tërmeti me qëllim parandalimin e vjedhjes së pronës.
Policia e Shtetit, nëpërmjet këtyre masave synon që Festa e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri të kalojnë në mënyrë sa më festive dhe të mos veniten nga episode të mundshme paligjshmërie.
Në këtë kuadër ajo kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunim e qytetarëve që të ndihmojnë Policinë, duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe uron të gjithë qytetarët: Gëzuar festat, shëndet, mbarësi dhe sa më shumë besim e bashkëpunim të ndërsjellët për të mirën e përbashkët gjatë vitit 2020.
Ju faleminderit!”, tha Dervishaj në deklaratë.