Flutura Kusari, këshilltare ligjore e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, i tha Zërit të Amerikës se paketa “antishpifje” synon të fuqizojë dy mekanizma rregullatorë (AMA dhe AKEP) që ato të ndërmarrin sanksione kundër mediave online dhe të mund t’i mbyllin ato pa urdhër gjyqësor.
Në një intervistë nga Prishtina, ajo i tha gazetarit Ilir Ikonomi se qëllimi i qeverisë është që mediat online të rregullohen nga shteti dhe jo të vetërregullohen, siç e kërkojnë standardet ndërkombëtare.
Zonja Kusari e quajti paketën “shkelje e të gjitha standardeve që garantojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave”. Në këtë mënyrë, tha ajo, AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive) do të jetë enti që do të vendosë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të raportohet nga gazetarët.
“Kjo është tronditëse,” tha zonja Kusari. “Është e paqartë se çfarë do të ndodhë me mediat nëse kjo paketë ‘antishprehje’ miratohet.”
Kryeministri Edi Rama shkruante të hënën në Twitter:“Projekt-ligji është konsultuar e përpunuar prej një viti, nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standarteve të lirisë për t’u shprehur e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim, po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet.”
Zonja Kusari tha se pohimi i zotit Rama nuk është i vërtetë.
“Ai përpiqet të japë përshtypjen se ka miratimin e OSBE-së dhe kjo nuk është e vërtetë, sepse zoti Harlem Désir (Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias) sapo ka publikuar opinionin e tij ligjor, me të cilin i kërkon zotit Rama që të përmirësojë draft-ligjet para se t’i miratojë. Pra, duhet të jetë e qartë se zoti Rama nuk e ka absolutisht miratimin e komunitetit ndërkombëtar,” tha zonja Kusari.
E pyetur për çështjen e përdorimit të shpifjes në media, zonja Kusari tha se “ai vetë (kryeministri) është një ndër personat fajtorë, sepse është duke kontrolluar televizionet dhe duke determinuar se si të raportohet… Në Shqipëri më shumë ka nevojë për një ligj që të mbrojë gazetarët nga fushatat denigruese dhe shpifëse të orkestruara nga zyra e Kryeministrit Edi Rama, se sa për ligje për të mbrojtur kryeministrin. Në Shqipëri, ka bazë të mjaftueshme ligjore për të ndjekur gazetarët nëse ata bëjnë shpifje,” tha zonja Kusari.
Ajo tha se “Kryeministri kontrollon një numër të madh televizionesh. Ajo që i ka shpëtuar kthetrave të tij janë mediat online. Puna e mediave online po e pengon televizionin e tij ERTV.”
Zonja Kusari mendon se qeveria do ta ketë të vështirë t’i kontrollojë mediat, edhe nëse projektligjet kalojnë, “sepse nuk ka autoritet në botë që ka burime të mjaftueshme për të kontrolluar të gjitha informacionet që qarkullojnë online.”
E pyetur konkretisht për televizionin online ERTV, ajo tha se ky “është një mjet jashtëzakonisht i rrezikshëm propagandues i qeverisë së Edi Ramës, që ka për qëllim t’u pamundësojë gazetarëve të ndjekin punën e qeverisë dhe t’i kërkojnë llogari kryeministrit dhe ministrave.”
“Zoti Rama thotë se ERTV është një dritare që informon popullin, por ky informacion nuk mund të verifikohet. Kjo nënkupton se populli është viktimë e propagandës së tij, pra është një mekanizëm jashtëzakonisht i dëmshëm për demokracinë e vendit,” tha ajo.
Për këtë arsye, tha zonja Kusari, shtatë organizata globale, e kritikuan këtë vit Edi Ramën për përdorimin e këtij kanali televiziv, në vend që të organizojë konferenca shtypi të rregullta ku gazetarët të mund t’i bëjnë pyetje./VOA