Sa do të paguajnë banorët dhe bizneset e Tiranës për hapësirën, pastrimin, parkimin, arsimin etj në vitin 2020. Taksa e ndikimit në infrastrukturë pritet t’i sjellë Bashkisë së Tiranës 42% të të ardhurave të veta në 2019-n, duke e bërë atë tepër të varur nga dhënia e lejeve të ndërtimit.
Ndonëse hapësira në dispozicion sa vjen e po ngushtohet, të paktën deri në vitin 2022, ky zë pritet të sigurojë rreth 30% të totalit të buxhetit, duke paralajmëruar që vala e ndërtimeve pritet të vazhdojë vrullshëm. Ngecin të ardhurat në tre vitet e ardhshme.
Bashkia e Tiranës parashikon të mbledhë në 2020-n rreth 14.6 miliardë lekë të ardhura të veta (rreth 120 milionë euro), nga taksat dhe tarifat, sipas projektbuxhetit të saj zyrtar. Në raport me pritshmërinë e 2019-n, të ardhurat do të mbeten pothuajse të pandryshuara dhe e njëjta tendencë pritet deri në vitin 2022.
Duke i shtuar dhe transfertat e pakushtëzuara, që janë fondet qe merr nga qeveria, Bashkia e Tiranës pritet të ketë në dispozicion 20 miliardë lekë, ose rreth 165 milionë euro për vitin 2020.
Zëri kryesor që pritet të sjellë më shumë të ardhura në buxhet, është taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, me rreth 30% të totalit. Bashkia pritet të marrë si taksë 8% të vlerës për lejet e ndërtimit, që jep, rreth 4.3 miliardë lekë (22 milionë euro).
Nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme do të vijnë 18% e të ardhurave, ose 2.7 miliardë lekë (18 milionë euro). Të ardhurat nga ky zë pritet të shënojnë një rritje të fortë prej 42% në raport me pritshmërinë e 2019-s, për shkak të reformës mbi taksën e pronës, e cila pasi është shtyrë disa herë, pritet që të fillojë të mblidhet mi bazën e formulës së re mbi vlerën (0.05% të vlerës së pronës për banesat e pas ’90). Kjo formulë e re ka hyrë në fuqi që në prill 2018, por zbatimi i saj është shtyrë për shkak të vështirësive në krijimin e sistemit të të dhënave për regjistrin e pasurive. Ujësjellësi i Tiranës po u kërkon qytetarëve që të bëjnë vetëdeklarimin lidhur me banesën e tyre. Në momentin që qytetari shkon në sportelet e UKT, njoftohet edhe për taksën që duhet të paguajë sipas formulës së re të taksimit.
Nga tarifa e pastrimit, bashkia do të mbledhë 15% të totalit. Bizneset dhe individët do të paguajnë 2.2 miliardë lekë, ose 17% më shumë se një vit më parë.
Nga taksa e përkohshme për Infrastrukturën arsimore parashikohet të arkëtohen 813 milionë lekë, ose 8.3% më shumë sesa fakti i vitit 2019. Bashkia thonë në relacion se Taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore ka një realizueshmëri të kënaqshme që nga koha e hyrjes në fuqi, në vitin 2016, si për kategorinë biznese edhe për kategorinë familjarë, por nuk jep informacion konkret se ku janë përdorur këto para. Që prej vitit 2016, kur u vendos kjo taksë, përfshirë pritshmritë e 2019-s, janë arkëtuar gjithsej 2.6 miliardë lekë, ose rreth 22 milionë euro.
Një tjetër zë i rëndësishëm në buxhet janë tarifat e parkimit të automjeteve, që janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, teksa pothuajse të gjitha rrugët e Tiranës janë me pagesë. Nga ky zë bashkia pret të arkëtojë 617 milionë lekë (rreth 5 milionë euro), ose 34% më shumë se pritshmëria e 2019-s.
Nga tarifa për zënien e hapësirave publike, parashikohet të mblidhen 420 milionë lekë, ose 7% më shumë se vitin e mëparshëm.