Në fillim të viteve të para të demokracisë në Shqipëri, dhe për gati një dekadë, mjekët dhe përfaqësues me emër nga bota akademike, profesorët dhe mësuesit, ishin më të preferuarit nga partitë kryesore për t’u propozuar si deputetë apo dhe kryebashkiakë. Tashmë nevoja për vota dhe fuqia e madhe e hedhjes së parave në fushata elektorale bëri që PS-ja dhe PD-ja t’i kthenin sytë te biznesmenët, si një alternativë për të bindur elektoratin.
Më shumë kjo ka qenë një armë e fuqishme e PS-së, që pas ardhjes së Edi Ramës në krye të saj, biznesmenët u shtuan në radhët e socialistëve, pavarësisht se disa prej tyre rezultuan me të kaluar të dyshimtë që lidhej me emigrimin që kishin kryer jashtë Shqipërisë. Që nga viti 2010 e këtej pati 20 biznesmenë që u futën në Parlament. E ky fenomen që u cilësua si i suksesshëm u shtri edhe te zgjedhjet lokale ku njerëz nga bota e biznesit u propozuan si kandidatë për kryetarë bashkie.
Në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, edhe pse opozita nuk mori pjesë në këtë proces, Partia Socialiste vendosi sërish të ndjekë të njëjtën skemë, duke mos hequr dorë nga vendosja e biznesmenëve, kryesisht në ato bashki, ku cilësoheshin si bastione të Partisë Demokratike. Gazeta Si ka parë listën e kryebashkiakëve të rinj apo të atyre që janë rizgjedhur, që vijnë nga bota e biznesit. Ata preferuan që të “heqin” dorë me letra nga biznesi që kanë edhe ti përkushtohen drejtimit të një sipërmarrjeje tjetër.
Gjici më fund me stof politik e kryebashkiak
Safet Gjici mund të jetë shembulli si një biznesmen nuk u hoqi dorë nga ideja fikse për të qenë pjesë e politikës. Ai mund të cilësohet si biznesmeni që i ka kushtuar pjesën më të madhe të pasurisë së tij në investimin politik. Pas shumë përpjekjesh arriti të bëhet kryetar i bashkisë së Kukësit. Duke shfrytëzuar sponsorizimet e klubi të futbollit, Gjici ishte një ndër njerëzit e përzgjedhur të Ramës për të thyer bastionet e PD-së, edhe pse iu desh një kohë e gjatë për ta arritur atë. Së fundmi ai po investon për ndërtimin e stadiumit të Kukësit. Në CV-në e tij shkruan se shifra për ndërtimin e stadiumit arrin afërsisht 1 milion e 200 mijë euro, ndërsa ai prej 5 vitesh sponsorizon klubin e futbollit të qytetit verilindor.
Gjici ka kryer shkollën e Akademisë së Policisë, si oficer policie. Nga viti 1990-2001 ka qenë shoqërues në ministrinë e Drejtësisë, oficer në Gardën e Republikës dhe oficer me detyra të ndryshme në Ministrinë e Brendshme. Pikërisht kjo ka ndikuar që në vitin 2001, Gjici së bashku me një grup punonjësish me eksperiencë, të krijonte shoqërinë private të sigurisë “EuroGjici” Security, e cila në një kohë të shkurtër e shtriu veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë. Në vitin 2007 themeloi Shoqërinë “Kevin Construction” që operon në fushën e ndërtimit, rikonstruksion dhe infrastrukturë.
Rama do ta caktonte si kandidat për bashkinë e Kamzës, me qëllimin për të thyer bastionin e demokratëve në vitin 2015, por që nuk ia arriti dot të mposhte Xhelal Mziun e PD-së. Gjithashtu do të ishte edhe kandidat për deputet në listën e PS-së për qarkun e Kukësit, i renditur i dyti, por nuk arriti që ta fitonte. Ai ka mbajtur edhe postin e prefektit të Kukësit.
Opozita do ta akuzonte kryeministrin Edi Rama se i ka dhënë tendera të ndryshme kompanisë që drejtohet nga Gjici. Tendera deri në vlerën e 1,5 milionë eurove sipas opozitës iu dhanë Euro Gjici Security shpk ,apo dhe tendera të tjerë për ndërtimin e godinës së universitetit.
Kajmaku i luleve dhe “njolla” e se kaluarës
Bashkia Vorë është bastioni i dytë i PD-së, që u dorëzua në garën pa rivalë më 30 qershor. Kandidati i PS-së për këtë bashki u zgjodh në momentet e fundit. Ai ishte një biznesmen me emër në këtë zonë, Agim Kajmaku. “Kajmaku” shpk është kompani, ku pronari i saj njihet në zhargonin e përditshëm si shitësi i luleve.
Ndaj tij ka akuza se prej vitesh qeveria ka lidhur kontratë për mbjelljen e fidanëve të pemëve, plehra kimike dhe luleve në institucionet shtetërore. Sipas të dhënave të mara nga Open Data, Kajmaku shpk është përfitues i miliardave lekëve nga buxheti i shtetit. Vetëm në 4 vitet e fundit (2015-2019), thesari i shtetit ka kryer 113 transaksione bankare, me vlerë 202,451,478 lekë të reja për llogari të firmës ‘Kajmaku’, e cila në QKB, është e vetmja me këtë mbiemër.
Po Kajmaku i luleve do të kthehet në një problem PS-së, e kjo për shkak të kaluarës së tij. Gjatë kohës që ka qenë emigrant në Greqi, dyshohet se është person i dënuar me emrin Jorgo Toto. Denoncimi për të kaluarën e tij u bë nga Partia Demokratike, e cila kërkon shkarkimin e Kajmaku pasi sipas tyre është i dënuar për një vepër penale. Ai akuzohet se ka kryer biznes të luleve në Greqi duke përdorur mijëra euro false për transaksionin e kryer. “Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim. Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë”, do të shprehej sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. Tashmë çështja i ka kaluar Prokurorisë, e cila ka nisur hetimet, duke ia marrë gjurmët e gishtave kryebashkiakut Kajmaku, i cili ka mohuar akuzat e opozitës.
Lefter Alla, biznesmeni i minierave në krye të Bulqizës
Lefter Alla, është një biznesmen në sektorin minerar. Ai ka mbaruar studimet për mësues të Edukimit Fizik dhe mban postin e kryetarit të PS-së për Bulqizën. Kompania e tij Alb Leaa International SHPK, sipas regjistrit të QKB, e themeluar që në vitin 1999 merret me “Ndërtime, punime dheu, rikonstruksione, shfrytëzim, prodhim, transport, shitje mineral kromi”. Gjithashtu firma merret edhe me importim -eksportim tregtim me shumicë dhe pakicë artikuj hidraulike, industriale; Bar- kafe, Fast – Food, Restorant, Hoteleri, si dhe përdorim të lëndëve plasëse”. Zotëron 51% të aksioneve, ndërsa 41 % i zotëron Jeton Dani . Firma gjithashtu ushtron aktivitetin në ndërtime investimesh publike dhe veprash arti- ura-autostrada.
Ndërsa ka fituar tendera nga bashkia e Klosit. Mediet dhe opozita theksuan se emri i tij nuk përbën surprizë për shkak të lidhjeve të tij me kryebashkiakun e Bulqizës (Melaim Damzi), ku në këto 4 vite me anë të kompanisë së tij dhe të afërmve, ka përfituar një sërë tenderash, duke nisur nga ndërtimi i pedonales së qytetit, deri në mirëmbajtjen e rrugës së Krastës. Damzi ishte i vetmi që e priti në zyrë Allën, pra nuk bëri rezistencë në lirimin e zyrës, e kjo për shkak të lidhjeve familjare mes tyre. Stafeta u kalua nga daja i LSI te nipi i PS-së.
Babani, biznesmeni i peshkut
Mark Babani është një biznesmen i njohur. Ai është pronar i kompanisë “Mare Adriatica”, firma më e madhe në vend për tregtimin dhe prodhimin të açugeve dhe konservave. Drejton për herë të parë bashkinë e Vaut të Dejës. U zgjodh kandidat si një preferencë e deputetit Tom Doshi, i cili ka ndikim të madh në këtë zonë. Që në prezantimin e tij të parë në publik, Babani do të falënderonte publikisht Tom Doshin për mbështetjen e dhënë për të si kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës, të një tjetër bastion të Partisë Demokratike.
Kompania është themeluar nga Babani që në vitin 1995 dhe merret me import-eksportin e prodhimeve drejt Italisë dhe shteteve të tjera të Europës.
Krali, biznesmeni i dyshekëve në Kavajë
Redjan Krali është biznesmeni i përzgjedhur nga Partia Socialiste për të drejtuar një tjetër bastion të demokratëve, Kavajën. Si kandidat u përzgjodh në momentin e fundit, pasi PS-ja synonte të caktonte një mjek për bashkinë e Kavajës. Krali, në CV-në e tij, shkruan se ka qenë administrator i dy kompanive. Nga viti 2010-2011 ka mbajtur pozicionin si Administrator i shoqërisë INTEX FIBER shpk. Nga viti 2011 e në vazhdim vijon të mbajë pozicionin si Administrator i shoqërisë ALB SPUGNA shpk. Biznesi i tij lidhet import-eksportin të prodhimit të dyshekëve, kryesisht me Italinë. Krali ishte një emër surprizë në këto zgjedhje, edhe përflitet se ai ka lidhje farefisnore edhe me ish-kryeministrin socialist Fatos Nano.
Kamza, biznesmeni deputet drejton bashkinë
Rakip Suli është biznesmeni që iu bashkua politikës dhjetë vite më parë. Rama e afroi atë së bashku me Sadri Abazin, që të dy biznesmenë që me origjinë nga Veriu i Shqipërisë me synimin që të ndikonin pikërisht në bastionin e PD-së, në Kamëz. Suli, i hyri politikës për t’u bërë deputet i PS-së. Për shkak të këtij angazhimi “la” firmën e tij Aurora Group për të qenë më pas edhe kandidati i PS-së për bashkinë që cilësohet si bastion i PD-së, Kamzën. Deputeti i PS-së në Tiranë do të akuzohej jo pak herë nga PD se kishte përfituar fonde publike përmes kompanisë së tij Aurora Group, e cila tashmë është në pronësi të të birit. Aurora Group u themelua ne vitin 1996 nga Rakip Suli, me aktivitet tregtimin e materialeve të ndërtimit. Opozita do ta akuzonte OSHEE-në se lidhi kontratë qiraje disa miliona eurosh me ambientet që janë në pronësi të Sulit dhe të kompanisë që zotërohen nga i biri i tij.
Tuci, firma Kristal
Bashkia e Fushë-Arrëzit që nga viti 2015 drejtohet nga Fran Tuci. Ai ka qenë biznesmen dhe ka drejtuar kompaninë Kristal. Të dhënat në Qendrën Kombëtare të Bizneseve tregojnë se Tuci ka themeluar në vitin 2000 kompaninë e sigurisë fizike “Kristal A”, aksionet e së cilës i ka shitur në vitin 2009. Ai ka themeluar një kompani të dytë, “Tuci ZD” sh.p.k në vitin 2015 me aktivitet në shërbime transporti dhe tregti. Kryebashkiaku zotëron 100% të kuotave, ndërkohë që kompania administrohet nga i vëllai.
Gjonaj, kryebashkiaku me mbi 6 milionë euro pasuri
Gjon Gjonaj ushtron për herë të dytë mandatin e kryebashkiakut të Pukës. I zgjedhur që nga 2015, Gjonaj vjen nga bota biznesit . Ai është pronar i hotel-turizëm “Puka” dhe është angazhuar në biznes privat në vitet 1995-2015. Ka mbaruar shkollën për Agronomi. Rezultonte në 2015-ën si kryebashkiaku më i pasur me 6,5 milionë euro pasuri. Gjithashtu ai merrej me gurore, ku ka deklaruar se 1,8 milionë euro fitime i ka nga nxjerrja e mermerit në Kolosjan- Kukës. Ai zotëron, sipas deklarimeve në formularin e pasurisë, 34% të aksioneve në këtë impiant. Ndërsa ka si pasuri edhe një magazinë frigoriferike në Kurbin, në vlerën 1,45 milionë eurove.
Kokoneshi, nga emigrant në biznesmen-kryebashkiak
Fredi Kokoneshi u zgjodh fillimisht si kryetar bashkie në Dijvakë në vitin 2011. Nga viti 1997 deri në vitin 2006 ai ka punuar si inspektor në Degën e Tatim-Taksave në Lushnjë dhe gjithashtu ka administruar një biznes privat deri në vitin 2011. Kokoneshi ka qenë më parë emigrant, ku sipas formularit të Dekriminalizimit, nga 1992-1997 ka jetuar e punuar në Greqi dhe në Itali. Nga viti 2007-2011 ka qenë administrator i Kantinës së pijeve alkoolike dhe Verës “Kokoneshi”. Pas zgjedhjes si kryebashkiak, aksionet ia kaloi bashkëshortes. Ndërsa nga viti 1997-2006, inspektor pranë Degës së Tatim-Taksave, Lushnjë. Aktualisht ka mandatin e tretë si kryebashkiak.
Marinaj, kryebashkiaku i Koplikut
Tonin Marinaj për dy mandate radhazi është kryetar i bashkisë së Koplikut të Malësisë së Madhe. Ai u bë pjesë e politikës lokale pas aktivitetit të tij si biznesmen prej më shumë se 20 vitesh. Ka nisur karrierën në biznesin e tij, themeloi kompaninë në fushën e tregtisë dhe ndërtimit, Marinaj M sh.p.k. Biznesin, pas zgjedhjes si kryebashkiak e kaloi në emër të bashkëshortes në vitin 2008. Në janar 2019, kompania e themeluar nga kryebashkiaku i Malësisë së Madhe ndryshoi emrin në “Mastela” shpk., duke ia dhuruar aksionet ortakut të vetëm Ylli Stërkaj.
Tafani, kryebashkiaku që u kthye në biznesmen
Arif Tafani është kryebashkiaku i Belshit, i qytetit që po lulëzon nga turizmi. Tafani i ka kryer studimet në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës dhe ka marrë titullin Agronom i Lartë. Siç deklaron vetë Tafani, ka qenë edhe emigrant nga vitit 1991-1996 në Veria të Greqisë. Ai është përfshirë në politikën lokale në vitin 2000, kur kandidoi për herë të parë si kryetar i bashkisë së Belshit dhe e fitoi atë për tre mandate radhazi deri në vitin 2011. Gjatë viteve 2011-2013, Tafani u angazhua në biznes privat, ndërsa në vitin 2013 u emërua drejtor i Shërbimit Pyjor të Elbasanit. Në vitin 2015, Arif Tafani u kandidua sërish nga Partia Socialiste dhe fitoi. U rizgjodh në 30 qershor dhe aktualisht ka mandatin e 5-të si kryebashkiak. Tafani është kryebashkiaku, që pas nuk u zgjodh, iu përkushtua botës së biznesit, në agro-bujqësi. Por pas një kohe të shkurtër u rikthye në krye të bashkisë së këtij qyteti.
Dropull, minoritari biznesmen që u bë kryebashkiak
Dhimitraq Toli është Kryetar i PS-së për Dropullin. Nga 2007-ta dhe deri më sot ka qenë Administrator në Shoqërinë “Demi-D SHPK” me qendër në Dhuvjan (Bashkia e Dropullit), Gjirokastër. Nga 2004-2007, Administrator në Shoqerine “Aleksandra SHPK me qendër në Vanistër (Bashkia e Dropullit), Gjirokastër. 2000-2004 Menaxher shitjesh në shoqërinë “Aleksandra” SHPK. Si minoritar ka jetuar dhe punuar në Greqi në vitit 1997 dhe 1998. Në zgjedhjet e 30 qershorit ai kandidoi si kryebashkiak dhe tashmë ka nisur detyrën.
Topçiu me 6 mandate, por që nuk vjen nga biznesi
Këta janë një pjesë biznesmenëve që kanë pasur ndikim dhe janë zgjedhur. Ndërsa të rrallë janë kryebashkiakët e PS-së që nuk vijnë nga bota e biznesit. Edhe vetë Gëzim Topçiu i Maliqit që ka gjashtë mandate mbi supe si kryebashkiak, në CV-në e tij shkruan se nga 1995-2000 ka qenë i angazhuar me drejtimin e biznesit privat. Ervin Demo i Beratit, Valbona Sako e Durrësit, Flamur Golemi i Gjirokastrës, Gledian Llatja, Sotiraq Filo i Korçës, Dritan Leli i Vlorës janë kryebashkiakë që nuk vijnë nga bota e biznesit.
Në këtë kategori përfshihet edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, i cili ka një karrierë puro politike, por që punën e parë në shtet e nisi si ministër dhe më pas si kryebashkiak.
Pjerin Ndreu në Lezhë dhe Agron Malaj në Mat
Në listën e 61 emrave të kryebashkiakë, mund të futen edhe njerëzit e “fortë” politikisht, apo me ndikim në zonë. Të tillë janë Pjerin Ndreu për bashkinë e Lezhës, apo dhe Agron Malaj për bashkinë e Matit.
Ndreu deputet i PS-së që nga viti 2013 në qarkun e Lezhës. Dorëzoi mandatin për të kandiduar për kryetar bashkie në qytetin e Lezhës më 30 qershorit. Me karrierë oficer policie, që daton që nga viti 1992 si inspektor i policisë kriminale në Lezhë. Në vitin 2003 ka qenë zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë, si kulmi i karrierës në polici. Opozita do të akuzonte se qeveria i ka dhënë tendera kompanisë “Ndreu” Security në vlerën e 7 milionë eurove, që është pronë e familjarëve të kryebashkiakut të Lezhës.
Ndërsa Malaj, njihet si gardisti i ngjarjes së 21 janarit 2011, ku vranë 4 protestues të opozitës së majtë. Ai është proceduar për ngjarjen e 21 janarit për shpërdorim detyre, por hetimet janë pushuar në prill të 2011. Në formularin e Dekriminalizimit shkruan se ka qenë i dënuar me 10 muaj burg për armëmbajtje pa leje në vitin 1999. Gjithashtu ka jetuar edhe një vit në Angli si emigrant nga 1999-2000. Nga 2007-2013 ka qenë truproje e kryeministrit, presidentit dhe kryetarit të Parlamentit, si pjesë e grupit të shoqërimit. Caktimi i tyre nga PS-ja në këto zona të nxehta shihej si përpjekje për t’u përballuar me opozitën më 30 qershor, por beteja elektorale me opozitën nuk pati.
Deputetët që lanë Parlamentin për bashkinë
Një kategori tjetër e kryebashkiakëve që kanë qenë deputetë të PS-së. Ata dorëzuan mandatet për të drejtuar bashkitë, që me ndarjen e re territoriale kanë më shumë peshë se sa një deputet i thjeshtë që ngre kartonin me urdhrin e partisë. Ilir Xhakolli për Pogradecin, Flamur Golemi për Gjirokastrën, Rakip Suli për Kamzën, Pjerin Ndreu për Lezhën janë deputetët që kandiduan në zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërsa katër vite më parë një hap të tillë do ta ndërmerrnin deputetët Armando Subashi për Fierin apo dhe Fatos Tushe për Lushnjën. Nga 61 bashki që ka vendi afro 25% e drejtuesve të tyre vijnë nga bota e biznesit. Kjo shifër tregon se kjo kategori që ka bërë gjithçka për të fituar një vend në politik mund të jetë më e prirur jo për t’i shërbyer qytetit, por për të nxjerrë investimin e kryer ndër vite.