Deputetja e opozitës së re në parlament, Rudina Hajdari ka reaguar përmes një postimi në Facebook për situatën politike në vend, ku nuk harron të ketë dhe një përgjigje për lapsusin e saj në seancën plenare të së hënës.
“Ne do vijojmë që të përçajmë të gjithë Shqipërinë. Ne do shkojmë në çdo qytetet për të njohur vendin me alternativen demokrate. Ne do të fillojmë udhëtimin tonë, qytet më qytet, fshat më fshat. Ne nuk ndalemi nga beteja për të sjellë demokracinë në vend”, tha Hajdari në seancen plenare.
Ndërsa në postimin e sotëm Hajdari nuk ka harruar të sulmojë dy krerët e opoziës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, teksa shprehet se më mirë të bëjë lapsuse sesa të gënjejë demokratët.
“Kam kaluar 17 vite në Amerikë dhe ky është fakt. Po më mirë lapsuset e mia se sa t’i gënjej demokratët çdo ditë duke ju thënë që mos të kalojnë në eufori se 85% e shqiptarëve thonë “Rama ik” & “Basha & Kryemadhi hajde”. Ndërkohë i kanë lënë pa punë e pa bukë për hesapet e tyre”, shkruan deputetja në një postim në Facebook, ndërsa i ka përmendur politikanëve të folurën në anglisht.
“Po atë anglishten e di si e flas ama kur vjen puna të ulem me Amerikanët, Gjermanët, etj, aq mirë sa e bëjnë dallimin e nuk merren më me gënjeshtrat e këtyre. Prandaj kanë frikë këta kur ulem unë me ndërkombëtarët dhe sulmojnë nga mëngjesi në darkë duke u kapur me gjëra banale”, vijon më tej Hajdari.