Kryeministri Edi Rama një ditë më parë u tha prerazi kundërshtarëve politik se zgjedhjet lokale nuk do të shtyhen dhe se më 30 qershor do të ketë proces zgjedhor. Ky qëndrim i liderit socialist ishte dhe një sinjal ndaj ndërkombëtarëve, të cilët ai i mirëpriste si ndërmjetësues mes mazhoranës dhe opozitës, por negociata për shtyrjen e zgjedhjeve nuk pranonte.
“Miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar. Shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë, në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë Kushtetutën e Shqipërisë. Bëmë një marrëveshje në vitin 2017, por nuk e negociuam Kushtetutën e Shqipërisë, ju kujtohet. Nuk e pranuam dhe e kam refuzuar që në sekondën e parë dhe deri në sekondën e fundit, shtyrjen e zgjedhjeve përtej afatit kushtetues dhe në mos gabohem u shtynë një javë. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë për shkak se Presidenti mes 23 dhe 30 ka zgjedhur 30 qershorin, e drejta e tij. Pra zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen në 30 qershor dhe në këtë pikë, unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar sepse është Kushtetuta e Shqipërisë dhe nga ana tjetër unë kam nderin e madh të flas në emër të një shumice që sot është shumicë në Parlament dhe në popull dhe ajo shumicë nuk negocion dot Kushtetutën dhe të drejtën e vet për të hyrë në një proces zgjedhor. Nuk e negocion dot”, do të shprehej Rama.
Nga kampi tjetër, rivali politik i Ramës, Lulzim Basha shprehu disa orë më vonë vendosmërinë e tij për të mos lejuar zgjedhje në 30 qershor, madje duke i dërguar sinjal Ramës se shtyrja e zgjedhjeve ka ndodhur dy herë, duke i kujtuar vitin 2007, shkruan Gazeta SI.
“Kjo tregon se është në panik total. Është Edi Rama që ka shtyrë dy herë zgjedhjet lokale në vitin 2007. Mekanizëm pra ka, se nuk besoj që është rrënuar kaq shume, sa të mos mbajë mend se zgjedhjet janë shtyre dy herë. Janë justifikimet e fundit të njeriut që ka humbur lidhjet me realitetin”, do t’i kundërpërgjigjej Basha.
Pikërisht 12 vite më parë, e largët në memorien aktuale politike, zgjedhjet janë shtyrë dhe insistues për këtë ishte opozita atëhershme që drejtohej nga kryesocialisti Edi Rama, i cili i bënte të qartë kundërshtarit politik, kryeministrit Sali Berisha se nuk donte hynte në zgjedhje lokale, pa u plotësuar kushtet.
Kriza politike po arrinte kulmin, ndërsa presidenti Alfred Moisiu kishte firmosur dekretin që zgjedhjet lokale të mbaheshin më 20 janar të 2007. Opozita e udhëhequr nga Rama do të shprehej e vendosur në mos futjen në zgjedhje, pa u zgjidhur çështja e certifikatave. Kur po digjeshin afatet, në skenë do të futeshin ndërkombëtarët, të cilët do të ndërmerrnin nisma konkrete për të bindur palët në një zgjidhje të krizës politike.
Në lojë hyri Kryetari i radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, i cili dërgoi në Tiranë të dërguarin e tij të posaçëm, Ambasadorin Jose Pons, për të lehtësuar dialogun. Pikërisht më 10 janar diplomati Pons mbërriti në Tiranë ku zhvilloi takime me kryeministrin Sali Berisha për zgjidhjen e ngërçit. Pas këtij takimi, presidenti Alfred Moisiu më 11 janar do të thërriste të gjithë krerët e partive politike të koalicionit të mazhorancës dhe opozitës në Presidencë, duke i ftuar të gjenin një zgjidhje për daljen e ngërçit politik dhe zhbllokimin e procesit zgjedhor.
Në takim ishin kreu i PS-se Edi Rama, kreu i LSI-se Ilir Meta, si dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Bamri Topi, drejtuesit e partive Nard Ndoka i PDK-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Paskal Milo i PSD-së dhe Skënder Gjinushi i PSD-së.
Pas më shumë se 24 orë ngujimi në Presidencë, më 12 janar do të arrihej kompromisi, ku palët do të binin dakord për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, e se opozita do të lëshonte diçka për arritjen e këtij kompromisi.
Mediat e saj kohe do te theksonin se Moisiu do të hyjë në histori si presidenti që dha kontribut të posaçëm për t´i dhënë fund krizës më të gjate dhe më të vështirë politik në dekadën e dytë të pluralizmit politik në Shqipëri, të njohur si “kriza e certifikatave”.
Nën presionin e skadimit të afatit kushtetues që lejonin Presidentin të shpallte një datë tjetër nga data e parë, dhe sidomos të faktorit ndërkombëtar, opozita hoqi dorë nga kërkesa e saj për të noterizuar dokumentin shtese të sigurisë që do të shoqëronte certifikatat e lindjes të shpërndara para nëntorit 2006. Ndërsa demokratët asaj kohe në pushtet pranuan të nënshkruajnë një marrëveshje, pikat e të cilës i detyronte të ushtronin një kontroll më të forte ndaj përdorimit të certifikatave.
Marrëveshje u hartua edhe nga ekspertët ndërkombëtarë të Këshillit të Europës dhe të OSBE-së. Partia Demokratike përfaqësohej nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, i cili do ta siglonte atë, ndërsa Edi Rama, pas kësaj fitoreje, do të ironizonte faktin se pse mungonte kryeministri Sali Berisha.
Zgjidhja u arrit me ndryshimin në orët e vona të Kodit Zgjedhor në Parlament, duke i mundësuar presidentit Moisiu që të nxirrte një dekret të dytë për zgjedhjet, duke caktuar datën 18 shkurt, por sigurisht duke tejkaluar afatet kushtetuese. Gjithashtu ai nxori dhe dekretin e shfuqizimit të datës 20 janar 2007.
Raporti i ODIHR dhe OSBE, ku flitet për situatën politike
E njëjta situatë do të përsëritej edhe me rastin e zgjedhjeve të pjesshme vendore të Kavajës në vitin 2017. Pas shkarkimit të Elvis Roshit u kontestua data e zgjedhjeve për pjesshme në Kavajë dhe për këtë kryeministri Edi Rama rrëzoi datën 7 maj 2017. PD, LSI dhe PR nuk pranuan që të paraqisnin komisionerë. Opozita paralajmëroi për mos bindje civile, ndërsa kryeministri Rama dy ditë përpara zgjedhjeve do të deklaronte tërheqjen e kandidatit socialist. Kjo tërheqje do të vlerësohej nga ndërkombëtarët, si SHBA, BE dhe Gjermania në dobi të shtensionimit të situatës politike, duke i ftuar palët në një dialog politik.
Ndërsa presidenti Bujar Nishani pas kësaj tërheqjeje do të nxirrte një datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve në Kavajë.
Precedentët ekzistojnë në zgjidhjen e krizave politike që tashmë po mbizotërojnë në Shqipëri prej dy dekadash. Mundësia e vetme është përsëritja e skenarit ku palët të bien dakord për të shtyrë zgjedhjet, duket ndryshuar ligjin zgjedhor dhe detyruar Presidentin për nxjerrjen e një date tjetër zgjedhjesh.
Ulja në një tryezë, duket se mbetet çështje e një vullneti politik, më një formulë për takim direkt, ose me ndërmjetësimin e presidentit. “Kur deshi Rama të shtynte zgjedhjet me sebepin e certifikatave, në 2007 Kodi u ndryshua për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet ishin dekretuar për datën 20 janar 2007, më datë 13 janar u ndryshua ligji që detyronte presidentin të dekretonte një datë të re jo më vonë se 20 shkurt 2007. Presidenti i dekretoi për datën 18 shkurt 2007’, do të deklaronte Oerd Bylykbashi sa i përket krizës politike të ndodhur dy vite më parë, kur PD-ja do të ngrinte “Çadrën e Lirisë” dhe do të kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës.