Me shumë shpejtësi dhe me një mbështetje 360grade, apo e thënë ndryshe, përtej të majtës dhe të djathtës, apo e thënë edhe më qartë, edhe me ndihmën e të majtës në pushtet, po mblidhen 3000 firmat, që duhen për partinë e re të Hajdarit dhe të shokëve të saj, që të bëhet gati për pjesmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit.
Hajdari, nga ana e vet, zë e flet tani për gjëra edhe më të mëdha, sidomos kur ato janë me shkrim:
“Është e kuptueshme se Shqiptarët janë tejet të lodhur e të shqetësuar nga kjo politikë e mërzitshme dhe e dëmshme 28 vjeçare prandaj krijimi i një alternative të re, të vërtetë dhe shpresëdhënëse që ka për qëllim interesin publik, përfaqësimin qytetar dhe një politik-bërje të re me standarte perëndimore do të ishte një iniciativë për t’u gëzuar… “ shkruan ajo.
Më tej Hajdari, ka firmosur këtë qëndrim :
“Shqiptarëve u duhet “një elitë e re politike” dhe ne e konsiderojmë një obligim parësor, përgatitjen e një formule të përshtatshme përfaqësimi politik, në mënyrë që deputetët dhe të zgjedhurit t’i caktojnë qytetarët dhe jo kryetarët e partive.
Deri këtu, kemi të bëjmë me shprehjen e hapur për të krijuar një forcë të re politike, duke përfituar në mënyrë cinike, nga tërheqja prej Kuvendit dhe Zgjedhjeve, e partisë Demokratike, apo e thënë ndryshe, Partia nënë…
Dukshëm qëllimi është që Hajdari dhe shokët e saj, duan të dalin më vete, duke shkelur mbi barkun politik që i lindi, por e gjithë kjo lëvizje është krejtësisht dhe kryesisht, në interes të kryeministrit, që ka një interes të ethshëm, për të krijuar një “Opozitë te re” dhe kryesisht një opozitë të re demokratike, që deklarohet si e djathtë.
Shumë informacione që qarkullojnë se kjo parti e Hajdarit dhe e shokëve të saj, është krijuar në zyrën e Ramës, mund të jenë të vërteta por edhe të pavërteta, thelbi nuk ndryshon.
Thelbi është se përfituesi është Rama, dhe se qëllimi është që të dëmtohet Partia demokratike. Sidomos tanimë, që sondazhet e japin fituese me një diferencë të madhe.
Duket pra se, pikërisht qëllimi i kryeministrit është, që përmes Hajdarit dhe shokëve të saj, të “sheshohet” mundësisht, diferenca fituese e Partisë Demokratike, që është edhe burimi i frikës së madhe të shtabit të tij.
Askush më parë, nuk e mendonte se Hajdari dhe shokët e saj, do të ishin të gatshëm për këtë bashkëpunim, që është në logjikën politike, një goditje pas krahëve e kauzës së sotme Opozitare dhe një goditje e drejtepërdejtë e Partisë Demokratike, kur është në çastet më të vështira të saj.
Pikërisht nga vajza e të vetmit person, që PD, i ka ngritur edhe një statujë bronxi në mes të Tiranës…/360 gradë.al