Ish-deputetja e LSI-së Silva Caka ishte e ftuar në studion e lajmeve në Televizionin Fax News nga ku foli ndër të tjera edhe në lidhje me zgjedhjet e ardhshme vendore dhe krijimit të grupeve të reja parlamentare.
Caka tha: “Për aq kohë sa do të jenë në pushtet krye vjedhësit e zgjedhjeve ne nuk do të pranojmë të marrim pjesë. Emërimi i Damian Gjiknurit si sekretar organizativ i zgjedhjeve jo vetëm që ia ul kompetenca dikujt që vjedh vota dhe fonde publike por edhe e rrit në detyrë. Nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor.
Deputetët e rinj nuk kanë as identitet politik e as identitet personal. Ata janë aty pa asnjë lloj arsye sepse nuk dinë se çfarë përfaqësojnë. Ata nuk i njohin fare as votuesit sepse kanë pasur pozicione të tilla në fushatë.
Ata persona që kanë marrë këto mandate nga radhët e LSI-së i njoh edhe personalisht dhe nuk kanë marrë as minimumin e votave. Janë interesa afatshkurtra qoftë edhe për të marrë një rrogë, pa e ditur se edhe përfitimet financiare nuk do ti marrin sepse nuk e kanë bërë as një vit në këtë detyrë.
Nga sot po ju bëj një thirrje, që të ndalojnë duke thënë se janë anëtarë të LSI-së apo anëtarë të kësaj partie. Ndaj edhe nëse njëherë të vetme do ta përsërisin këtë qëndrim do të përballen me padi penale. Ligji e parashikon që ju ndalohet të përvetësojnë sigla dhe emërtesa që nuk ju përkasin dhe dënohen më gjobë deri në 2 vite burg”, u shpreh ish-deputetja.
Kujtojmë se më herët ditën e sotme, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërcënoi me burg këdo që do të cënojë zgjedhje e qeshorit, duke iu referuar kështu deputetëve që kane djegur mandatet.