Të mërkurën pasdite u mblodh Kryesia e Partisë Socialiste, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama. Burime bëjnë të ditur se ka pasur analizë të qarqeve dhe bashkive në çdo detaj, ndërsa kanë folur thuajse të gjithë të pranishmit. Kryesia e PS-së ka vendosur që të shkohet në zgjedhjet e 30 qershorit.
“Këtë javë do të zhvillohen konsultime dhe më pas do të përcaktohen kandidatët. Do të respektojmë Kushtetutën duke shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit. Do të respektojmë afatet e KQZ. Vazhdojmë përpara: zgjedhje me standarde dhe të qeta!”, thonë burimet për A2CNN.
Ndërkohë, për gazetarët foli ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila u shpreh se mazhoranca do të shkojë në zgjedhje më 30 qershor, ndërsa tha se PD e LSI kanë vendosur të dalin nga sistemi dhe sipas saj, ata nuk janë opozita.
“Disa parti kanë vendosur të dalin nga sistemi politik. Ne kemi diskutuar për zgjedhjet e 30 qershorit sepse jemi të vendosur të garantojmë një proces zgjedhore me shqiptarët dhe për shqiptarët. Ne nuk do shkojmë në zgjedhje pa opozitën.
Ata nuk janë opozita e vendit, por disa parti që kanë dashur të mos jenë pjesë e sistemit. Ato e kanë marrë vendimin prej frikës. Arsyeja jonë përket me interesin e përgjithshëm, që shqiptarët të kenë zgjedhje më 30 qershor”, tha Spiropali.