Të martën gazetarja e TV Klan Ola Xama u sulmua fizikisht dhe verbalisht nga një punonjës i Gardës së Republikës, në ambientet e kuvendit.
Ky është rasti i katërt që një gazetar dhunohet nga gardistët apo policët vetëm në muajin prill.
Gazetarja Xama ishte duke pritur në korridorin e Kryesisë së Kuvendit me kolegë të tjerë, të gatshëm për të intervistuar guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Ndërkohë që priste të kryente punën e saj, një prej gardistëve e kapi me forcë nga krahu dhe e tërhoqi dhunshëm Xamën, duke thënë se ajo po pengonte rrugën për një deputet të Partisë Socialiste.
Gazetarja i tha gardistit se nuk ishte e nevojshme ta lëndonte në mënyrë që ajo të largohej nga rruga, dhe se ajo do të kishte lëvizur menjëherë në rast se do t’ja kërkonte me mirësjellje. Pas kësaj, gardisti vazhdoi ta sulmonte me fjalë Xamën, në prani të kolegëve të saj dhe dëshmitarëve të tjerë.
Gazetarja, në një postim në Facebook, u shpreh:
“Unë nuk dua që të viktimizohem më këto që po shkruaj, por kam vendosur që sot, që të publikoj çdo pengesë që na krijohet në profesionin tonë, me shpresën se nëse gjërat thuhen, do të ketë zgjidhje dhe parandalim për ngjarje që mund t’i ndodhin dikujt tjetër!”
Ola Xama tha se kjo nuk ishte hera e parë që ndodhte diçka e tillë, katër vite më parë një incident i ngjashëm kishte ndodhur po ajo nuk e raportoi:
“Kjo është hera e dytë që përseritet një episod i tillë me mua, po në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, por herën e parë nuk e denoncova pasi mendova se ishte rast sporadik, sot e kuptoj që bëra gabim! Nëse nuk i themi ngjarjet, do të pasojnë të tjetra!”
Punonjësi që sulmoi gazetaren Xama punon tek Garda e Republikës. Këta individë janë të ngarkuar me mbrojtjen e zyrtarëve shtetërorë dhe ato janë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Brendshme.
Por ky nuk është rasti i parë i gardistëve dhe punonjësve shtetërorë që ushtrojnë dhunë ndaj gazetarëve teksa ata janë në krye të detyrës. Në dy javët e fundit, gazetari Renaldo Salianji u shty me forcë nga truproja e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, teksa ai po përpiqej t’i merrte asaj një koment për grabitjen në Rinas.
Gazetarët Dorjana Bezat dhe Erion Skendaj gjithashtu u penguan me force nga policia të raportojnë për dëbimet me forcë të banorëve tek Bregu i Lumit.
Po ashtu dhe Artur Cani u kërcënua me arrest dhe u ndalua të filmonte kryebashkiakun veliaj në një aktivitet publik në Liqenin Artificial. Të tjera raste dhune ndaj gazetarëve ka pasur dhe gjatë protestave të opozitës.
Për Reporter.al, gazetarja Xama tha se ajo besoj se dhuna ndaj gazetarëve frymëzohet nga komunikimi i të dy krahëve të politikës, që i cilësojnë gazetarët si “kazan”.
“Është bërë normale, sepse dhunuesit marrin zemër ngaqë kanë kuptuar se nuk ka ndëshkim,” tha Xama.
Edhe në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, citohej se kërcënimet ofendimet dhe sulmet fizike e verbale ndaj gazetarëve janë rritur në mënyrë shqetësuese, duke nisur që nga Kryeministri që i drejtohet medias me fjalën “kazan”. Këto, ndër të tjera, janë disa nga arsyet kryesore se përse Shqipëria ra me 7 vende krahasuar me një vit më parë, në Indeksin Global të Lirisë së Medias.
exit.al