Biseda për transferime nga vendi i punës dhe një aferë dashurie në zyrën e një gjykatësi të Gjykatës Themelore të Shkupit ka përfshirë opinionin publik në Maqedoninë e Veriut.
Video është filmuar në maj 2017. Në videon 40 minuta duket se si bashkëpunëtorja godet tavolinën e gjykatësit dhe i thotë se bashkëshorten e tij do ta heqë nga detyra e sekretares dhe do ta bëjë mësuese, ndërsa në vend të saj do ta sjellë një vajzë nga Gostivari.
Gjykatësi nuk e mohon paaftësinë e bashkëshortes së tij për vendin ku është, por thotë se largimi i saj nuk mund të bëhet, sepse bashkëshortja e tij ka vendim dhe se do ta padisë atë që e heq nga puna. Këtu bashkëpunëtorja nxehet dhe nis t’i bërtasë gjykatësit.
“Ky është takimi i fundit me mua, pikë! Vëri pikën, sot, këtu! E qartë?! Kjo ishte biseda e fundit me mua. E qartë? Ti do të më padisësh mua?! Unë do ta ndërroj dhe ta shohësh. Ti je i bindur se ajo do të qëndrojë gjithë jetën aty, more kalë, more fshatar!
Vetëm kaq të të them unë ty: 99% të punëve nuk ua ke idenë dhe nuk duhet të kesh. Ti më tregon mua se ajo qelbësirë me opinga e meriton! Po prej këtyre nuk bëhet shteti”, – theksoi bashkëpunëtorja profesionale.
Më pas ajo shan dhe ofendon disa herë familjen dhe kombësinë e gjykatësit shqiptar. I thotë se bashkëshortja e tij është me diplomë të blerë, nuk di të lidhë një fjali, por falë partisë është aty ku është.
“E di se çfarë duhet të bëja. Duhet të mos të të tregoja, ta ndërroj dhe të shokoheshin të gjithë në shtëpi. Ti mor, partia jote humbi, shkove në mal dhe qaje. A e sheh sa sa mendjeulët që je, partia jote humbi, shkove në mal dhe qaje”, – tha bashkëpunëtorja profesionale.
Pas disa minutash gjykatësi përpiqet ta qetësojë bashkëpunëtoren me të puthura e përqafime. TV21 thotë se pyeti në Gjykatën Themelore Shkupi 2 se kush po i filmon gjykatësit nëpër zyra.
Zëdhënësja Sanja Tomiq-Velkovski tha se procedura është në proces para organeve kompetente pasi është ngritur padi për filmim të paautorizuar, ndërsa përgjigje konkrete do të japin pasi të kenë marrë përgjigje nga atje.
Video është publikuar nga gazetari Zoran Bozhinovski. Përflitet se kamerën e fshehtë e ka vendosur vetë bashkëpunëtorja profesionale e gjykatësit, për ta shantazhuar dhe për ta mbajtur nën kontroll më tej gjykatësin./TV21